Kosova

Një demokraci e mirëfilltë është ajo që e punëson rininë

Më 25 mars 2022, në vazhdën e aktiviteteve të larmishme të organizuara në kuadër të TAKIMI – Guxo të ëndërrosh në Kosovë, u mbajt biseda e tretë ku u shqyrtuan mundësitë e pjesëmarrjes qytetare si parakusht për ndërtimin e demokracisë së mirëfilltë në Kosovë.

Duke vënë të rinjtë e të rejat në qendër, ky diskutim, përpos që trajtoi e analizoi kanalet, përmes së cilave rinia mund të përfshihet në politikëbërje, u fokusua sidomos në pengesat e tanishme që e bllokojnë një angazhim të këtillë.

Me këndvështrimet dhe analizat e të ftuarave e të ftuarve, të cilit ishin Dr. Nita Luci, antropologe, Dr. Vjollca Krasniqi, sociologe dhe Andreas Gross, politikan zviceran, u diskutua për atë se nëse të rinjtë e të rejat në Kosovë ndodhen në një kontekst që ua lejon atyre të ëndërrojnë, e mbi të gjitha që t’i kthejnë në realitet ëndrrat e tyre; u fol përtej statistikave, për vështirësitë në punësim e arsimim si dhe u përmendën nismat përmes së cilave të rinjtë e të rejat në Kosovë po përpiqen të ngrisin zërin e tyre vazhdimisht.

Diskutimi nisi pikërisht te togfjalëshi që ka përcjellë të gjitha aktivitetet e Takimi – “Guxo të ëndërrosh në Kosovë”. Moderatorja e diskutimit, Aulonë Kadriu, redaktore në Kosovo 2.0, e shtroi pyetjen nëse Kosova, respektivisht klasa politike, politikëbërësit e ligjvënësit po i reduktojnë ëndrrat e të rinjve e të rejave, duke ua pamundësuar atyre ta përmbushin vetveten brenda Kosovës?

Diskutimi u nis me Nita Lucin, e cila vuri në pah një pengesë qenësore për rininë, që është izolimi për shkak të regjimit të vizave, i cili vazhdon të mbajë qytetarët e Kosovës të kufizuar midis Evropës. Fakti që Kosova mbetet shteti i vetëm në rajon me këtë regjim, normalisht që u ngrit si çështje e parë kur fjala është për padrejtësitë dhe pabarazitë me të cilat përballen jo veç rinia, por qytetarët në tërësi.

U përmend po ashtu rëndësia e krijimit të hapësirave dhe mekanizmave përmes të cilave rinia mund të artikulojë kërkesat e tyre, të cilat meritojnë të dëgjohen dhe duhet të dëgjohen nëse synojmë të arrijmë gjithëpërfshirje, që është parakusht i shoqërive demokratike. Rinia veç është aktive dhe e vetëdijshme për ndryshimin që duhet të ndodhë, mirëpo kërkohet vullnet i njëmendtë i klasës politike që ta dëgjojë atë dhe ta njohë si subjekt.

@albinfo.ch Dr. Vjollca Krasniqi, ligjëruese në Universitetin e Prishtinës, sociologe
@albinfo.ch Dr. Vjollca Krasniqi, ligjëruese në Universitetin e Prishtinës, sociologe

Diskutimi vazhdoi me Vjollca Krasniqin, e cila e diskutoi ëndrrën si përvojë kolektive dhe si kërkesë për ndryshim, duke e asocuar atë me shpresën dhe mobilizimin. Kur është fjala për shpresën, Krasniqi përmendi rëndësinë e të pasurit të një shprese kritike që kërkon drejtësi shoqërore. Në këtë drejtim, Krasniqi renditi një varg brengash që i pengojnë të rinjtë e të rejat ta përjetojnë veten si qytetarë të barabartë në Kosovë, duke vënë theks tek papunësia dhe te fragmentimi i shoqërisë, si pasojë e të bëmave të klasës politike, apo siç u quajt në bisedë – “klikave politike”.

@albinfo.ch Andreas Gross, politikan zviceran dhe Kryetar i Komitetit të Shoqatës albinfo.ch
@albinfo.ch Andreas Gross, politikan zviceran dhe Kryetar i Komitetit të Shoqatës albinfo.ch

Më pas, Adreas Gross, duke tërhequr përvoja nga aktivizmi i tij në Zvicër, foli për modelet që shteti i tij ka ndjekur, për mobilizimin e popullit zviceran ndër vite, që përkundër rezistencës së klasës politike, kanë arritur të triumfojnë e të kenë demokraci të drejtpërdrejtë e jo demokraci përfaqësuese. Demokracinë përfaqësuese ai e cilësoi si demokraci primitive, e cila është e pamjaftueshme pasi nuk ofron pjesëmarrje, përtej votimit, i cili ndodh në intervale të caktuara e të rralla politike.

Kësisoj, Gross propozoi, ose thënë më mirë kërkoi një transformim të demokracisë nga ajo përfaqësuese në atë të drejtpërdrejtë, pasi është thelbësore që qytetarët të kenë mundësi të shprehen në mënyrë të vazhdueshme për ligjet, politikat e gjithçka që ndodhë përreth tyre, duke përmendur referendumin në veçanti. Ai përmendi pikëpamjen institucionale, politike – duke thënë që ka shumë njerëz që në Kosovë nuk ndihen në shtëpi, nuk ndihen të mirëpritur në vendin e tyre, sepse nuk kanë punë dhe nuk kanë mundësi ta tejkalojnë ndjenjën e të qenit sipërfaqësor. Kjo ndjenjë, sipas tij, mund të tejkalohet kur nismat qytetare mundësohen më shumë, kur aplikohen politika sociale që i ndihmojnë njerëzit të punësohen dhe ta kenë fjalën e fundit për vendimet e rëndësishme në shoqëri.

Diskutimi vijoi tutje duke u thelluar në kontekstin e gjerë shoqëror të Kosovës, duke vënë theksin tek veprimi kolektiv dhe aftësitë kolektive për ta zhvilluar komunitetin, përtej nacionales, por si përpjekje për ta ndërtuar një demokraci që u shërben të gjithëve. Krasniqi përmendi që shkalla e lartë e papunësisë e ka zbehur identitetin qytetar të të rinjve dhe ndjenjën e përkatësisë në vend, sepse këta të fundit nuk arrijnë ta realizojnë veten e tyre si profesionistë dhe si njerëz që jetojnë nga puna e tyre.

U problematizua edhe diskrepanca e madhe midis strukturës demografike të rinisë – pra Kosova ka shumë të rinj e të reja, dhe pjesëmarrjes së tyre në votim – e cila është e ulët në krahasim me numrin e të rinjve/rejave në Kosovë, diskrepancë kjo që u quajt apati, ose humbje e besimit e shpresës tek rinia që vota e tyre do të mund të ndërronte diçka.

@albinfo.ch Dr. Nita Luci, ligjëruese në Universitetin e Prishtinës, hulumtuese
@albinfo.ch Dr. Nita Luci, ligjëruese në Universitetin e Prishtinës, hulumtuese

Luci vazhdoi duke shqyrtuar se si përjetohet dhe mendohet pjesëmarrja dhe se si realizohet kjo nga të rinjtë dhe të rejat. Duke marrë për bazë përvojat e saj në universitet, me të rinjtë e të rejat, ajo u ndal te vetë nocioni i perspektivës dhe çka ajo nënkupton për të rinjtë e të rejat.

Sipas Lucit, pjesëmarrja e të rinjve dhe të rejave nuk mungon dhe kjo bëhet përmes udhëvë të ndryshme, përfshirë ato institucionale, respektivisht forumet rinore të partive politike përmes së cilave rinia artikulon kërkesat e saj dhe angazhohet për t’i elaboruar edhe ideologjitë. Një udhë tjetër që Luci e përmendi ishte shoqëria civile, qofshin format e formalizuara si organizatat jo-qeveritare e edhe nismave tjera kolektive për çështje si mjedisi, feminizimi, drejtësia shoqërore. Luci përmendi rëndësinë e krijimit të një vendi ku rinia i ndërton hapësirat e veta të angazhimit dhe përfaqësimit, teksa u kthye te historia e mëparshme e Kosovës kur bëhet fjalë për angazhimin, duke përmendur lëvizjet e grave, lëvizjet e punëtorëve, të cilat kanë lënë gjurmë në mënyrën e tanishme të angazhimit qytetar.

Përgjithësisht, kishte një pajtueshmëri midis të pranishmëve që institucionet përkatëse duhet të tregojnë vullnet dhe angazhim serioz që t’u krijojnë të rinjve e të rejave ambient të përshtatshëm për t’u përfshirë, për t’u angazhuar e për ta shpërfaqur potencialin, dilemat, kritikat e kërkesat e tyre.

Diskutimi u përfundua në këtë frymë, duke i dhënë edhe një herë rëndësi edhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut, sidomos të grupeve të cenueshme, të cilat kaherë përjashtohen, e pa të cilat nuk mund të ndërtohet demokracia që i njeh të gjithë qytetarët si të barabartë.