Takimi

Roli dhe kontributi i OJQ-ve në kanalizimin e potencialit të rinisë kosovare

Aktiviteti me titullin “Takimi” dhe moton “Guxo të ëndërrosh në Kosovë”, që u mbajt me 24 mars 2022 , shoqata albinfo.ch nisi bisedën e parë me përfaqësues të organizatave jo qeveritare nga Kosova dhe përfaqësues shoqatash nga Zvicra, për të hedhur dritë mbi kanalizimin e potencialit të të rinjve dhe të rejave apo realizimin e ëndrrave të tyre në vend. Tematika e trajtuar ishte: Kontributi i OJQ-ve të Kosovës në kohezionin social. Çfarë sfidash?

Kosova, në krahasim me shtetet e tjera evropiane, vazhdon të mbetet një vend me moshë mesatare të re. Në bazë të një strategjie për rini për vitet 2019-2023 nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, thuhet se 20% e popullatës së Kosovës dominohet nga mosha 15-24 vjeçare. Kjo grupmoshë po ashtu përbën pjesën e forcës aktive të shoqërisë dhe forcës së aftë për punë. Në kontekst vendi, si në aspektin shoqëror, por edhe atë ekonomik, këto shifra si të tilla do të duhej të ishin premtuese. Mirëpo, si rezultat i faktorëve të ndryshëm, një numër i konsiderueshëm i kësaj grupmoshe nuk e shohin Kosovën si vend mundësie për qëndrim. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në dekadën e fundit më shumë se 200 mijë qytetarë kanë lëshuar vendin. Vetëm gjatë vitit 2020 numri i emigrantëve kosovarë ishte afër nëntë mijë, me arsyetime si bashkimi familjar, martesat, gjetja e një vendi pune, shpërngulja e përhershme, studime afatgjate me punësim, e të tjera.

Duke marrë për bazë këto shifra, sfida kryesore në këtë aspekt mbetet se si të rinjtë dhe të rejat të gjejnë perspektivë në vendin e tyre dhe se si të krijohen mekanizma të suksesshme për angazhimin e tyre në tregun e punës. Pikërisht për këtë temë, shoqata shqiptare në Zvicër –  albinfo.ch, e cila njëherësh është edhe zëri e diasporës shqiptare, është angazhuar që të krijojë hapësirë diskutimi më të gjerë për vënien në dukje të këtij fenomeni, por edhe për gjetjen e përbashkët të një zgjidhjeje.

Aktiviteti me titullin “Takimi” dhe moton “Guxo të ëndërrosh në Kosovë”, të enjten e 24 marsit nisi bisedën e parë me përfaqësues të organizatave joqeveritare nga Kosova dhe përfaqësues shoqatash nga Zvicra, për të hedhur dritë mbi kanalizimin e potencialit të të rinjve dhe të rejave apo realizimin e ëndrrave të tyre në vend. Në këtë panel, që zuri vend në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës, të pranishëm ishin drejtoresha e organizatës “Artpolis”, Zana Hoxha, bashkëdrejtoresha e organizatës “Germin”, Sihana Bejtullahu, përfaqësuesi i Zyrës kantonale për integrim dhe parandalim të racizmit, zyrë e bashkangjitur me Departamentin e Ekonomisë dhe Sportit –  Migjen Kajtazi dhe Bulent Kaya – shef projekti për Kryqin e Kuq zviceran. Biseda u moderua nga gazetari Arbër Selmani.

Përgjatë këtij diskutimi u prezantuan kontributet e organizatave dhe institucioneve që të pranishmit prezantojnë, duke dhënë perspektivat e tyre mbi vendin ku jetojnë.

Zana Hoxha, pasi ndau kontributin që organizata e saj jep në angazhimin dhe punësimin e të rinjve dhe të rejave në vend, duke përdorur artin si mjet shprehës, tha se shembujt e mirë të funksionimit brenda Kosovës duhet të përcillen edhe në diasporë. Në këtë mënyrë, diaspora shqiptare duhet të jetë një pikë kontakti dhe frymëzimi për rininë. Ajo po ashtu tha se duhet punuar më shumë në krijimin e mundësive për sa më shumë të rinj dhe të reja pavarësisht se nga cila pjesë e Kosovës vijnë, qoftë në kontekstin urban apo rural.

@albinfo.ch Zana Hoxha, drejtoreshë e organizatës “Artpolis”

“Duhet të thyhet perceptimi se gjithkah tjetër jashtë Kosovës është më mirë se këtu. Kjo nuk është e vërtetë. As në Zvicër nuk është më mirë nëse nuk di të jetosh atje, nëse nuk punon dhe nuk je një qenie funksionale, e cila jeton duke e zhvilluar kapacitetin e brendshëm, duke bashkëvepruar me të tjerët, duke krijuar diçka, as në Zvicër nuk ma merr mendja që mund të kesh një jetë të lumtur. Pra, duhet të kuptohet kjo e vërtetë”, tha Hoxha, teksa shtoi se është e rëndësishme të dihet se ka punë në Kosovë dhe se çdo punë e ndershme është një punë që duhet bërë.

Në anën tjetër, ekziston një perceptim i gjerë se në Kosovë nuk ka perspektivë për rininë, gjendje kjo e cila është krijuar si pasojë e disa faktorëve të ndryshëm. Entuziazmi i pasluftës për të rindërtuar vendin, shoqërinë dhe veten sikur ishte një shtytje për të ecur para, gjendje kjo e cila u përçua edhe pas pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Por ky entuziazëm nisi të shuhej në vitet 2014-2015 kur edhe ndodhi vala e madhe e emigrimit të kosovarëve drejt shteteve të Perëndimit, dhe një prej arsyeve kryesore ishte mendimi se jashtë vendit, një vend i punës i denjë është më lehtë i arritshëm.

@albinfo.ch Sihana Bejtullahu, bashkëdrejtoreshë e organizatës “Germin”

Sipas Sihana Bejtullahut, duke iu referuar periudhës së pas pavarësisë, ky perceptim nuk erdhi krejt rastësisht, por ishin disa faktorë që ndikuan.

“Nuk kishte planifikim konkret se si rinia do të angazhohej dhe si do të kalojë nga procesi i shkollimit në atë të punësimit. Do të thotë ekzistonte një hapësirë, një hendek mes asaj se çka studion rinia dhe mandej çka pas studimeve? Kur del në treg të punës, kërkesat janë të tjera. Normal që vullneti për të punuar duhet të shkojë bashkë me dëshirën për atë punë, me studimet, përvojën dhe mundin që e ke bërë. Pra është krijuar një hendek i cili normal që e shuan shpresën”, tha Bejtullahu. Një tjetër aspekt, sipas saj, ishte edhe mungesa e përfshirjes së rinisë në procese vendimmarrëse.

“Nuk është se e kemi një rini që nuk e do punën, por thjesht disa prej faktorëve kanë ndikuar që të krijohet ai perceptim”, ka thënë ajo, tek ka shtuar se Kosova gëzon një rini të shëndoshë, shumë të talentuar, sukseset e të cilëve veçse janë treguar edhe jashtë vendit.

@albinfo.ch Migjen Kajtazi, përfaqësues i Zyrës kantonale për integrim dhe parandalim të racizmit, zyrë e bashkangjitur me Departamentin e Ekonomisë dhe Sportit

Ndërsa Migjen Kajtazi, i cili ndau perspektivën e tij si punonjës institucioni shtetëror dhe punonjës në shoqata, tha se tashmë janë zhvilluar disa iniciativa bashkëpunimi mes shqiptarëve në Kosovë dhe diasporë, por që duhet të punohet edhe më shumë në këtë drejtim.

“Ne si shoqëri, qoftë në diasporë si komunitet shqiptar apo këtu, duhet ta shohim Kosovën si një vend me potencial dhe të angazhohemi në aspektin e zhvillimit ekonomik. E ky është një angazhim së pari shtetëror, sepse është detyrë shtetërore aspekti ligjor dhe ekonomik që të rinjtë të kenë perspektivë dhe mundësi karriere e përparimi në Kosovë. Kuptohet se nëse ka mundësi të shumta ka edhe zgjedhje të shumta, por jo të ketë vetëm një zgjedhje”, tha Kajtazi, derisa në panel u diskutua edhe nëse përgjegjësia për përfshirje të rinisë dhe krijim të mundësive për ta u ka rënë vetëm organizatave joqeveritare.

@albinfo.ch Bülent Kaya – Shef projekti në Kryqin e Kuq Zviceran

E Bülent Kaya i kontribuoi këtij diskutimi, duke dhënë shifra dhe statistika rreth mënyrës së funksionimit të shoqatave në përgjithësi në Zvicër, teksa theksoi se bota e shoqatave atje është shumë e dendur dhe dinamike, të cilat shoqata japin kontributin e tyre në forma të ndryshme.

“Shoqatat kontribuojnë në faktin që të rinjtë ta gjejnë një vend në hapësirën publike, të bëhen aktiv dhe të qëndrojnë në Zvicër sepse ekziston liria e lëvizjes dhe mund të shkojnë diku tjetër të krijojnë përvoja, edhe nëse është punë vullnetare, mirëpo të qëndrosh në një vend pa pasur perspektivë është e dhimbshme”, ka thënë Kaya.

TAKIMI – kjo ngjarje përmbajtësore e sjellë në Kosovë nga Shoqata albinfo.ch u mbajt më 24 dhe më 25 mars, me disa biseda dhe ngjarje ku ndërmarrës, profesionistë, aktorë të ndryshëm të shoqërisë civile nga Zvicra, Gjermania, Austria, Anglia, Suedia dhe Kosova shkëmbyen idetë e tyre dhe panë mundësi për bashkëpunim në projekte, të cilat do ta fuqizonin sidomos rininë e Kosovës.