Lajme
“Një ditë tjetër” e Mira Kazhanit në Cyrih: Promovimi që u shndërrua në një përqafim kolektiv
Një pasdite e paharrueshme në SOHO Cyrih, ku rrëfimi i Mirës nga libri “Një ditë tjetër” u bë një fije drite që lidhi shumë udhë në një histori të vetme
Më 29 nëntor, në lokalin SOHO në Cyrih, u promovua libri “Një ditë tjetër” i gazetares dhe autores Mira Kazhani, e njohur gjerësisht edhe për podkastin e saj të suksesshëm “Zë me Mirën”. Një sallë e mbushur përplotë me pjesëmarrës nga e gjithë Zvicra, por edhe nga Gjermania, Franca dhe Austria, që udhëtuan për të qenë pjesë e kësaj ngjarjeje letrare. Publiku krijoi radhë të gjata për të blerë librin, ndërsa atmosfera ishte e mbushur me kureshtje, solidaritet dhe një përqafim të heshtur kolektiv për rrëfimin e autores.
Foto: Korab Macula
Ngrohtësi, energji dhe një organizim shembullor në shërbim të librit
Promovimi u zhvillua në një atmosferë të pastër emocionale. Mira Kazhani i përshëndeti të gjithë me qetësinë, përulësinë edhe sinqeritetin që e karakterizon në podkastin e saj “Zë me Mirën”. Ajo firmosi çdo kopje, iu dha kohë çdo lexuesi dhe krijoi një afërsi të rrallë, të sinqertë, që mbeti e pranishme në gjithë hapësirën. Ngjarja u shoqërua me një moment të papritur e të ëmbël: Flora, mikesha e nënës së autores, këndoi disa vargje që prekën zemrat e të pranishmëve. Nuk ishte program i strukturuar, ishte thjesht një shfaqje e vogël dashurie, një dhuratë emocionale që forcoi më tej lidhjen e publikut me këtë promovim.
Foto: Ernida Avdimetaj
Organizimi i Kastriot Çaushit, pronarit të SOHO-s, ishte i përkryer. Ky lokal po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një qendër të gjallë të kulturës shqiptare në Cyrih, duke ofruar një hapësirë ku diaspora hyn në dialog, reflekton, lexon, dhe krijon ura të reja bashkësie.
Fjalimi i Enver Robellit: filozofi, humor dhe një thirrje për rikthimin te libri
Botuesi Enver Robelli, udhëheqës i Shtëpisë Botuese “Dora d’Istria” Libraria | Dora Books 1, hapi promovimin me një fjalim të thellë, të ndërtuar me finesë dhe ironi të butë. Ai foli për ritmet e fundvitit, për “apostujt e konsumerizmit” dhe klimën e stërngarkuar të dhjetorit. Në këtë kontekst, prania e publikut ishte për të një shenjë e madhe shprese: “Pas të Premtes së Zezë vjen e Shtuna e Bardhë,” tha ai, duke dhuruar buzëqeshje dhe reflektim.
Robelli solli në vëmendje diferencën e ndjeshme mes “tumor” dhe “humor”, duke theksuar se një shkronjë e vetme e ndryshon kuptimin, ashtu si një libër mund të ndryshojë jetën. Ai përmendi takimin me publicistin Paul Lendvai dhe idenë se fati është rastësi, një fytyrë që ndryshon sipas provave të jetës.
Foto: Ernida Avdimetaj
Më pas, ai theksoi lidhjen e fortë mes leximit dhe shoqërive të zhvilluara, duke sjellë statistika nga Zvicra dhe vendet nordike. Robelli ngriti shqetësimin për rënien e përdorimit të shqipes në Zvicër dhe nevojën që diaspora të mbajë gjallë librin shqip.
“Gjuha kultivohet duke lexuar. Librat çlirojnë imagjinatën. Dhe njerëzit me imagjinatë të çliruar janë njerëz të mirë,” u shpreh ai.
Fjalimin e tij e mbylli me një të vërtetë prekëse: “Në libra ne nuk e kërkojmë jetën tonë, në libra e gjejmë atë.”
Foto: Korab Macula
Fjala e autores, Mira Kazhani, kur rrëfimi bëhet dritë
Mira Kazhani foli hapur, qartë dhe me një ndjenjë të dukshme mirënjohjeje: “Faleminderit shumë, nuk prisja të ishit kaq shumë. Unë jam 45 vjeç dhe gjatë këtij viti kam jetuar sa për 45.”
Ajo rrëfeu se ky vit ishte i mbushur me “herë të para”, disa të bukura, të tjera të vështira, por të gjitha të rëndësishme. Momenti më sfidues ishte diagnoza me kancer në gji, një realitet që ajo e përballoi me një forcë që, siç tha, nuk e dinte se e kishte.
“Ka qindra, mijëra gra më të forta se unë. Merita ime është se u ula dhe shkrova një libër.”
Foto: Ernida Avdimetaj
Ajo tregoi se libri u shkrua në heshtje, me kujdes, pa pasur një plan të qartë për botimin, derisa kërkoi vlerësimin profesional të botuesit. Përgjigjja e tij e sinqertë e bëri të besonte se libri mund të shërbente për të tjerët.
Mira foli për përqafimin publik që ka marrë përmes librit: “Nuk njoh shumë njerëz në këtë sallë, por në fakt jeni të njohur – jeni njerëz që më keni shkruar, më keni ndjekur dhe keni ardhur për mua.”
Foto: Ernida Avdimetaj
Në këtë moment, ajo u drejtua prindërve të diasporës me një thirrje të ngrohtë:
“E di që fëmijët tuaj flasin gjuhën e vendit ku jetojnë, dhe kjo është natyrshme. Por ju lutem, jepuni të lexojnë edhe shqip. Libra shqip. Gjuha është pjesë e shpirtit, pjesë e kujtesës, pjesë e lidhjes me veten. Mos ua prisni këtë fije të artë.”
Publiku e priti këtë mesazh me duartrokitje të gjata.
Foto: Korab Macula
Më pas, Mira falënderoi Enver Robellin, duke i dhënë fjalës së saj një notë të sinqertë profesionale: “Kam një ndjenjë të mirë që këtë udhëtim po e bëjmë bashkë… I ke dhënë thjeshtësinë dhe seriozitetin udhëtimit të ‘Një ditë tjetër’.”
Dhe e mbylli me reflektimin: “Unë e di që në Shqipëri serioziteti zviceran shihet si diçka e mërzitshme… Por mendoj se serioziteti është shumë i shëndetshëm për një jetë të mbarë dhe do të duhej ta kishim edhe ne pak më shumë në Tiranë.”
Për librin “Një ditë tjetër…”
“Një ditë tjetër…” është një rrëfim i guximshëm përballë një prej sfidave më të mëdha të jetës, diagnostikimit me kancer në gji. Me sinqeritet, ndjeshmëri dhe forcë të brendshme, Mira Kazhani na fton të ecim krah saj në një udhëtim ku frika, dhimbja, humori dhe dashuria gërshetohen në mënyrë të natyrshme.
Ky libër është një udhërrëfyes i çmuar për ata që përballen me sëmundjen:
si të përballohet tronditja e parë, si të gjendet mjeku i duhur, si të merret vendimi për terapi, dhe si të menaxhohet frika.
Por libri shkon shumë përtej dimensionit praktik. Ai depërton në tabutë shoqërore, në pabarazitë e heshtura, në raportin shpesh të brishtë mes pacientit dhe shëndetësisë, si edhe në dinamikën emocionale të grave që përballen me një diagnozë që prek jo vetëm trupin, por edhe identitetin, rolet dhe hapat e tyre të përditshëm. Epilogu është i bukur dhe i papritur – një fitore ndaj sëmundjes, por edhe ndaj heshtjes. Ky libër është për ata që kërkojnë forcë pas një diagnoze tronditëse, për ata që duan ta kuptojnë kancerin si përvojë thellësisht njerëzore dhe për ata që besojnë se e vërteta, kur rrëfehet me guxim, mund të shndërrohet në shërim.
“Një ditë tjetër…” nuk është vetëm për t’u lexuar – është për t’u jetuar.
Fotografitë i kanë shkrepur: Korab Macula dhe Ernida Avdimetaj
Librin e gjeni në: Një ditë tjetër… – Mira Kazhani | Dora Books
E-Diaspora
-
Familja Munishi dhe vizioni i Nikolas: Një histori suksesi në Wil Dhjetëra miq, partnerë dhe biznesmenë shqiptarë e zviceranë morën pjesë në inaugurimin zyrave te reja, duke... -
“Një ditë tjetër” e Mira Kazhanit në Cyrih: Promovimi që u shndërrua në një përqafim kolektiv -
Ndërmarrësi shqiptar në Zvicër mbështet klubin e njohur të hendbollit HC Luzern me 100 mijë franga -
Sonte fillon festivali “Tri Net Film Fest”, në Freienstein -
Shoqata “Parandalo” kërkon mbrojtje institucionale për personat me aftësi të kufizuara
Jeta në Zvicër
-
Familja Munishi dhe vizioni i Nikolas: Një histori suksesi në Wil Dhjetëra miq, partnerë dhe biznesmenë shqiptarë e zviceranë morën pjesë në inaugurimin zyrave te reja, duke... -
Shtëpitë e të moshuarve në kantonin Aargau po arrijnë kapacitetin maksimal. -
Trenat e natës: Sa të dobishëm janë dhe çfarë mund të ofrojnë? -
Kërkimet më të shpeshta në Google në Zvicër në vitin 2025 -
Punonjësit e Bashkisë së Gjenevës janë në grevë, duke u mobilizuar kundër shkurtimeve buxhetore






















