Lajme

OEK: Ngërçi politik po krijon dëme të pariparueshme ekonomike në vend

Kriza politike në Kosovë si pasojë e vonesës në formimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 6 tetorit, ka krijuar efekte shumëdimensionale në fushën e ekonomisë dhe pritet që ky do të jetë një vit i vështirë për vendin tone.

‘Ngërçi’ politik me të cilin po ballafaqohet shteti ynë tash e sa muaj, sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka efekte negative në të gjitha proceset në shoqëri në përgjithësi, por edhe të ekonomisë në veçanti.

Rukiqi në një intervistë për KosovaPress deklaron se është hera e tretë që vendi ka situatë të tillë me vonesa pas zgjedhore për konstituimin e qeverisë, që sipas tij, po e bënë të pamundshëm funksionimin e qeverisë dhe parlamentit.

Ky vakum institucional sipas Rukiqit nuk paraqet problem vetëm për buxhetin e shtetit, por rreziku është edhe te depresioni ekonomik që paraqet pasoja në mbarë shoqërinë.
“Nuk është vetëm problematika e buxhetit, mirëpo është problematika në përgjithësi e funksionimit të shtetit, dekurajimi që krijohet pastaj që mund të çojë edhe një depresion ekonomik dhe që pastaj ka edhe pasoja të tjera në shoqëri dhe të zhvillimeve të përgjithshme në shoqëri”, thotë Rukiqi.

Kreu i OEK shton se në bazë të hulumtimeve të bëra më parë, edhe në periudhat e kaluara kur ka pasur ngërçe politike dhe gaz-lotsjellës në kuvend, ka pasur një ulje të dukshme të konfidencës të të bërit biznes vend, edhe nga ana e kompanive vendore dhe ato të huaja, andaj këto rrethana politike aktuale reflektojnë në gjithë sektorët.
Rënia e investimeve të huaja, papunësisë dhe eksporteve, sipas Rukiqit janë elementet që ndërlidhen me situatën aktuale në vend dhe riparimi i këtyre dëmeve merr kohë me vite.

Madje, sipas kreut të OEK ka një tendencë të rritjes së emigrimit në përgjithësi për shkak të një mungesë të perspektivës për të rinjtë në Kosovë.

“Ne kemi rënie të investimeve të huaja direkte, pothuajse nuk kemi fare rritje të eksportit në të njëjtën kohë kemi edhe një trend të uljes të numrit të popullsisë. Të gjitha këto janë vërejt në indikatorët e rëndësishëm që lehtë mund të vërtetohen dhe riparimi i këtyre dëmeve nuk është çështje e muajsh ose e një periudhe afatshkurtër, por merr shumë më shumë kohë se në të njëjtën kohë kemi një stabilitet shumë më të theksuar në vendet e regjionit që janë bërë shumë më konkurruese sidomos sa i përket investimeve të huaja”, thotë ai.

Rukiqi po ashtu thotë se në tre-katër vjetët e fundit ka pasur më tepër politika që më shumë shërbejnë për konsum ditor, por jo që e çojnë përpara agjendën zhvillimore të vendit.

“Të gjitha këto lidhen me atë që është funksioni bazik i Qeverisë, për të krijuar politika të mira dhe të miratohen ligje që mundësojnë implementim të këtyre politikave përmes parlamentit, këto faktikisht janë inekzisitente në rrethanat që ekziston një qeveri në dorëheqje dhe që ka vetëm një rol kujdestar ose bazik për reforma ose ndryshime pozitive për bizneset, ne pothuajse nuk kemi fare aktivitet”, thotë Rukiqi.

Qeveria Haradinaj është në dorëheqje që prej muajt korrik të vitit ta kaluar, përderisa zgjedhjet janë mbajtur më 6 tetor dhe ende nuk është formuar qeveria e re për shkak të mos pajtimeve të dy partive më të mëdha të dala nga zgjedhjet parlamentare, e të cilat janë në negociata për më shumë se tre muaj, përcjell Albinfo.ch.