Lajme

Pas BREXIT-it, shumë kompani po largohen nga Britania e Madhe

Megjithëse Britania e Madhe nënshkroi një marrëveshje me Bashkimin Evropian që do të mundësojë tregtinë e mallrave pa tarifa doganore edhe pas BREXIT-it, disa firma britanike po shqyrtojnë mundësinë e zhvendosjes së plotë ose të pjesshme të bizneseve të tyre në vende të tjera evropiane, duke thënë se kanë frikë për perspektivat e tyre nëse qëndrojnë në vend. Nuk është e qartë se sa firma të tilla po analizojnë një zhvendosje të mundshme.

Një vit më parë, Instituti i Drejtorëve, një grup lobist që përfaqëson interesat e biznesit, zbuloi në një sondazh se një e treta e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme po planifikonin ose po mendonin të zhvendoseshin ose të krijonin lehtësira shtesë në vende të tjera të Evropës. Autoritetet holandeze të investimeve thonë se ata kanë joshur 140 kompani të shqetësuara nga BREXIT-i që nga referendumi i Britanisë së Madhe më 2016 dhe më shumë se 100 të tjera po shqyrtojnë largimin.

Vende të tjera të BE-së po raportojnë gjithashtu numra rekord të firmave britanike që lëvizin ose konsiderojnë zhvendosje të plotë ose të pjesshme. Sllovakia, brenda një viti nga referendumi i BREXIT-it në vitin 2016, regjistroi 400 firma britanike që zhvendosën aktivitetin në këtë vend, një ndër të cilët është Jaguar Land Rover, i cili aktualisht po ndërton një fabrikë të re pranë Nitra në Sllovakinë perëndimore.

Mes bizneseve britanike që po zhvendosen në Sllovaki është Goodfish Group, një kompani me qendër në Angli e cila, deri në referendumin e BREXIT-it, bënte kallëpe plastikë për prodhuesit e automjeteve në Britani.Kompanisë tani i duhet të diversifikojë aktivitetin, kryesisht përmes blerjes së linjave të tjera të prodhimit pasi ka regjistruar një rënie serioze të porosive që nga referendumi. Tani kjo kompani prodhon kallëpë edhe për sektorë të tjerë.Kompania eksporton një të tretën e produkteve të saj në vendet e BE dhe nga referendumi duhet të mbyllë një nga katër fabrikat.

Greg McDonald, i cili themeloi kompaninë Goodfish Group në vitin 2010 pas një karriere 25-vjeçare në menaxhimin e investimeve dhe zhvillimin e korporatave, është i pasigurt për BREXIT-in dhe kritikon politikanët britanikë, të cilët ai thotë se thjesht nuk e kuptojnë kompleksitetin dhe rëndësinë e proceseve zinxhirë të furnizimit dhe vështirësitë e menaxhimit të operacioneve të përditshme në sektorë që nuk i përkasin financave apo marrëdhënieve me publikun.

“Ata nuk kanë marrë asnjë të dhënë, janë krejt jashtë këtij realiteti”, thotë McDonald.

Ai fillimisht regjistroi një kompani në Sllovaki për të qenë gati për të transferuar një pjesë të prodhimit atje në rast se Britania e Madhe nuk arrinte një marrëveshje për tregti pa tarifa me BE-në. Marrëveshja, e arritur natën e Krishtlindjes, e cila u miratua në mes të javës nga Dhoma e Komunave, nuk e ka bindur atë. McDonald ka përfunduar kërkesat ligjore për të filluar tregtinë në Sllovaki. Ai tani duhet të nënshkruajë një kontratë qiraje për një fabrikë, e cila do të mbështesë operacionet e tre fabrikave që ai ka aktualisht në Britani të Madhe.

Kryeministri britanik Boris Johnson përshëndeti marrëveshjen, e cila u jep kompanive britanike qasje pa tarifa dhe pa kuota në tregun e përbashkët të BE-së, kur bëhet fjalë për mallra dhe pjesë këmbimi, duke thënë se kjo do të shënojë fillimin e “asaj që do të jetë një marrëdhënie e mrekullueshme midis Britanisë dhe miqtë dhe partnerët tanë në BE”.

Kryeministri tha se, BREXIT-i më në fund risjell lirinë në zgjedhjet e britanikëve dhe se tani britanikët do t’i bëjnë gjërat “ndryshe dhe më mirë” se më parë.

Pak pas këtyre komenteve, babai i kryeministrit, Stanley, ish-deputet britanik në Parlamentin Evropian, tha se do të kërkonte pasaportë franceze. E ëma e Stanley Johnson ishte lindur në Francë.

McDonald ka frikë se nuk do të dalë kështu.

“Ne do të kemi qasje pa tarifa, por ka plot mënyra të tjera për ta dëmtuar biznesin”, thotë McDonald.

Ai përmend barrën e dokumenteve dhe inspektimeve doganore shtesë dhe vonesat e shtuara për transferimet në porte që do të shtojnë kostot dhe do ta bëjnë më të vështirë konkurrencën për kompaninë e tij.

“Për shkak të kësaj, kompanitë e automjeteve jashtë Britanisë do të zvogëlojnë operacionet prodhuese në Britani të Madhe. Honda, Toyota, BMW do të punojnë në Britani aq sa për të kënaqur tregun e brendshëm britanik por jo si më pare për të gjithë tregun e BE-së”, parashikon ai.

Pjesa më e madhe e industrisë në të gjithë Evropën varet nga lëvizja e lehtë, pa pengesa e pjesëve, nga një fabrikë në tjetrën përmes kufijve të hapur, me pak vonesa dhe inspektime dhe pa shumë dokumentacion burokratik. Kjo do të thotë që firmat i bëjnë planifikimet duke parashikuar dërgimin në kohë të pjesëve, produkteve dhe mallrave që u nevojiten. Për bizneset britanike në industrinë e automobilave, si dhe në sektorë të tjerë të prodhimit, tregtia tani do të jetë shumë më e komplikuar.

McDonald shpreson se duke filluar prodhimin në Sllovaki dhe “duke qenë në anën e BE-së”, siç thotë ai, kompania Goodfish, e cila aktualisht punëson 110 punëtorë të rregullt dhe 25 punonjës me orar të shkurtuar, ose si kontraktorë dhe ka një aktivitet me vlerë prej 18 milionë dollarësh, do të ketë shanse më të mira për të rezistuar nëse konkurron në një treg shumë më të madh.

Ai thotë se gjetja e një zgjidhjeje në periudhën e BREXIT-it ka qenë stresuese për të. Ai kërkon ndjesë që flet me zë të ngjirur, duke shpjeguar se i ka ikur zëri nga stresi.

Sfidat e rrjeteve të furnizimit, dokumentet e ngarkuara dhe ndikimi i vonesave të transportit, plus kostot e rritura, po shqetësojnë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme britanike që bëjnë tregti me BE.

“Prodhuesit dhe fermerët do të përballen me kontrolle irrituese në kufij për gjëra të tilla si doganat, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, siguria, kontrolli i produkteve bimore e shtazore e shumë më tepër. Kompanitë e shërbimeve do të humbasin hyrjen në tregun e përbashkët nëse nuk krijojnë filiale brenda tij”, thotë Charles Grant i Qendrës për Reformën Evropiane (CER), një organizatë kërkimore me qendër në Londër.

Në një analizë për CER këtë javë, Grant thotë se disa prodhues britanikë do ta kenë të vështirë të përmbushin kërkesat e marrëveshjes kur bëhet fjalë për origjinën e përbërësve dhe lëndës së parë në mallrat e tyre. Një përqindje e lartë e përbërësve të përdorur duhet të jetë prodhuar në Britani ose në vendet e BE-së dhe askund tjetër për t’u kualifikuar për tarifa zero të BE-së ose për të shmangur kuotat.

“Fjalimi i fitores i Johnsonit pas marrëveshjes, në të cilin ai deklaroi në mënyrë të gabuar se marrëveshja do të thoshte ‘pa pengesa jo-tarifore’, lë të kuptosh se qeveria ende nuk i kupton plotësisht pasojat e marrëveshjes tregtare”, tha Grant.

BREXIT-i nuk ka mbaruar ende, duke parashikuar që nëse marrëveshja rezulton në realitet si kokëçarje e madhe për një numër të madh njerëzish, biznesesh dhe institucionesh, do të fillojë një debat për ta përmirësuar.

Sipas marrëveshjes, secila palë, Britania ose BE mund të kërkojnë një rishikim të dispozitave mbi tregtinë, katër vjet pasi ajo të hyjë në fuqi.

“Kjo do ta bëjë marrëdhënien BE-Britani një temë të zgjedhjeve të përgjithshme të pritshme në tre-katër vjet”, shton ai.

“Kur bëhet fjalë për industrinë e automjeteve, fakti që është arritur marrëveshje është pozitiv”, thotë Paul Lund i Fitch Ratings, një agjenci amerikane e vlerësimit të kredisë.

Lund e përshkruan marrëveshjen si alternativë më e mirë se mungesa e plotë e marrëveshjes.

“Ekzistonte shqetësimi se do të vendoseshin tarifa për pjesët që vijnë në Britani për prodhimin e makinave dhe më pas nuk do të dihej se çfarë tarifash do të vendoseshin mbi makinat që eksportohen [në BE]”, shpjegon Lund.

Ai shqetësim nuk ekziston më. Tani problem mbeten ndërprerjet dhe kostot e rrjetit të furnizimit për shkak të ndërlikimeve të krijuara për kalimin e kufirit. Trafiku në porte mund të mbingarkohet. Po ashtu, kostot do të rrisin çmimet e produkteve duke vështirësuar konkurrimin.

“Mendoj se kjo do të godasë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Nuk besoj se është problem i madh për firmat e mëdha industriale që janë shumë më të përshtatura për të përballuar dokumentacionin dhe për të zgjidhur barrën administrative dhe për ta bërë atë më automatike”, vëren ai.

Lund shton se firmat britanike do të duhet të kenë më shumë kapital në dorë në mënyrë që të mund të mbajnë dhe të magazinojnë më shumë pjesë dhe produkte për të garantuar që nuk ka ndërprerje në kapacitetet e tyre për të furnizuar klientët, gjë që shton edhe më tepër kostot e prodhimit. /VoA/


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI