Kosova

Pas fjalimit të gjatë të Abdixhikut, Kuvendi i LDK-së vazhdon punimet me dyer të mbyllura

Afër një orë fjalim, Abdixhiku ia dorëzon fatin politik Kuvendit të LDK’së

Lidhja Demokratike e Kosovës sot mban Kuvendin e saj, ku pritet të përcaktohet se kush do të jetë në krye të partisë, përcjell albinfo.ch.

Pas rezultatit në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ku LDK-ja siguroi vetëm 15 vende në Kuvend, kryetari i kësaj partie Lumir Abdixhiku ka thënë se të ofrojë dorëheqjen në Kuvend dhe pastaj u mbetet kuvendarëve të vendosin nëse do ta pranojnë apo jo.

E sot 355 delegatët e LDK-së mblidhen për të diskutuar lidhur me udhëheqjen e partisë

 “Me përgjegjësi të plotë morale e politike, ia ofroj për shqyrtim Kuvendit të LDK-së dorëheqjen time nga detyra e kryetarit për ta vendosur përballë këtij Kuvendi çështjen e votëbesimit. Nuk e bëj këtë për të shmangur përgjegjësinë, por për ta përmbushur si detyrim moral. S’e bëj këtë për të krijuar krizë. Prandaj, ju pyes çfarë dëshironi të bëni me mua si kryetar dhe me të ardhmen e kësaj partie? Çfarëdo vendimi që merrni unë do ta respektoj me qetësi, me dinjitet dhe me plot besim”, tha ai gjatë fjalës para Kuvendit.

Abdixhiku tha se përgjegjësia i takon atij.

“Përgjegjësia ka emër, ka funksion, ka adresë dhe sot kjo adresë jam unë si prijës i kësaj partie. Unë i marr mbi vete të gjitha përgjegjësitë. Plotësisht. Prijësi nuk është ai që del përpara veç kur gjërat nuk shkojnë mirë”.

Ai bëri thirrje për unitet brenda partisë dhe tha se LDK mund të ringritet

“Nuk mundemi pa njëri-tjetrin. Asnjë lider nuk e ngrit një parti vetëm. Asnjë strukturë nuk funksionon pa njerëz, asnjë e ardhme nuk ndërtohet mbi përçarje të brendshme. Unë besoj që kjo shtëpi e ka këtë kapacitet. Ringritja është fati ynë. Këtë rrugë e kemi bërë njëherë, nuk arritëm ta mbajmë gjatë, mund ta bëjmë sërish.

Abdixhiku tha se edhe në të kaluarën LDK është ngritur me “punë të heshtur, me organizim, me durim dhe me njerëz që nuk u larguan kur ishte vështirë”.

“U ngrit jo me zhurmë, jo me përçarje, jo me hakmarrje, por me qartësi. Nëse e kemi bërë njëherë, mund ta bëjmë sërish. Sot e kemi përvojën e ringritjes. Kemi nevojë ta forcojmë veten aty ku kemi ngecur”.

“LDK ka qenë gjithmonë më e fortë kur ka ditur të bashkojë mendimin me përgjegjësinë. Dhe këtu qëndron e ardhmja jonë politike. Jo në ikje, jo në ndarje, jo në falje e hakmarrje, por në ringritje të përbashkët”.