Kosova

Për 1 vit, humbin jetën 24 punëtorë në vendin e punës

Sipas statistikave, në pesë vjetët e fundit në Kosovë mbi 90 punëtorë e kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës

Niveli i ulët i sigurisë në punë, por edhe pakujdesia janë identifikuar si faktorët që kanë ndikuar nga viti në vit në rritjen e numrit të personave që humbin jetën në vendin e punës.

Sipas statistikave nga 1 janari 2018 e deri më sot kanë humbur jetën 24 punëtorë në vendet e punës në Kosovë.

Kreu i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka treguar numri i personave që humbin jetën në vendin e punës shtohet çdo ditë.

“Gjatë vitit 2018 ka pasur 23 raste. Fatkeqësisht është numër rekord”, ka thënë Jusuf Azemi, shkruan monitor.

Sipas Azemit, këto raste, ndër të tjera, po ndodhin për shkak të mungesës së edukimit të pronarëve dhe punëtorëve.

Në këtë mënyrë, ai tha se shteti po bën krim ndaj punëtorëve të sektorit privat dhe situatën aktuale e ka quajtur gjendje jashtëzakonisht të rrezikshme, përcjell albinfo.ch.

Reagime të ashpra për vdekjen e punëtorëve në punë ka pasur edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka thënë se viti 2018 ishte fatal për punëtorët e Kosovës.

Si rrjedhojë, siguria në vendin e punës në Kosovë gjatë vitit 2018 ka qenë një nga temat më të diskutuara.

Vetëm gjatë 2018, në vendin e punës humbën jetën 23 persona kurse më shumë se 112 persona pësuan lëndime trupore.

Shpesh faji është hedhur mbi kushtet që po iu ofrohen në vendet e punës, të cilat po konsiderohen që të mos jenë në nivelin e duhur.

Në Inspektoratin e Punës kanë treguar se vitin e kaluar janë vendosur 251 gjoba për mosrespektim të ligjit në fuqi për siguri në punë.

Nevoja për inspektor po vazhdon që të jetë e madhe pasi kanë vetëm 42 inspektorë, të cilët duhet të mbulojnë të gjithë territorin e Kosovës.

Sipas statistikave, në pesë vjetët e fundit në Kosovë mbi 90 punëtorë e kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës.

Kjo ka nxitur shqetësimin e organizatave që merren me të drejtat e punëtorëve, përfaqësues të të cilave kanë bërë thirrje për siguri më të madhe në punë