Koronavirusi: çast pas çasti
Për kuzhinierin shqiptari-amerikan, bamirësia kthehet në mision
Aleks Daku, në kohë pandemie ju del në ndihmë njerëzve në nevojë dhe atyre që janë në vijën e parë të frontit.
Nju Xhërsi është një nga shtetet më të goditura nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara. Kur autoritetet urdhëruan kufizimin e aktiviteteve dhe operacioneve përfshirë në restorante, pronari dhe kuzhinieri shqiptaro-amerikan i restorantit Amici në Cherry Hill të Nju Xhërsit, Aleks Daku, u hodh në aksion për të ushqyer njerëzit në nevojë dhe ata që janë në vijën e parë të frontit të luftës me virusin. Në një bisedë përmes Zoom me kolegen Keida Kostreci, zoti Daku tregoi se çfarë e nxiti atë dhe se si po përshtatet me kushtet e reja të biznesit.
Aleksi thotë se ditët e para kur u morën masat kufizuese, ishin të vështira për të dhe ekipin e tij. Atij iu desh të pushonte disa punonjës nga puna.
“Ne nuk e mbyllëm kurrë restorantin dhe arritëm të marrim në punë gjysmën e punëtorëve prapë pasi i pushuam disa prej tyre”, thotë ai.
Të gjithë punonjësit janë rikthyer në punë.
Çelësi i rikthimit ishte dëshira për të ndihmuar.
“Duke hapur restorantin vetëm to-go për ushqim për të marrë në shtëpi, gjithashtu ofruam supë falas për ata që janë 65 vjeç e sipër”.
Fushata për të ndihmuar, u zgjerua, kur Aleksi dhe ekipi i tij vendosën të japin ushqim falas për ata që nuk e përballonin dot ta blenin, si edhe për të shpërndarë ushqim falas, për punonjësit që janë në vijën e parë të frontit të luftës me virusin. Komuniteti filloi të ndihmonte, duke blerë prej tij ushqime ose karta të restorantit.
“Vendosa që të ofroj ushqim falas për këdo që nuk ka ushqim, të vijë këtu pa pyetje të marrë ushqim për fëmijët e vet dhe familjen e e vet. Dhe e bëra, sepse e ndjeva personalisht që ishin shumë njerëz në nevojë, ku asnjë zyrë nuk funksiononte, ku papunësia rritej dita-ditës. Impakti ishte aq i madh saqë unë pata shumë thirrje nga komuniteti për të ndihmuar. Po ecim me ritme shumë të shpejta. Mbasi kthyem shumicën e punëtorëve, vendosëm gjithashtu të ndihmojmë gjithë komunitetin, ata që janë në vijën e parë: policinë, zjarrfikësat, të gjithë, pastaj dhe doktorët dhe infermierët që janë në vështirësi me jetën, duke rrezikuar jetën e vet për të tjerët”.
40 për qind e fitimeve nga restoranti përdoren për ushqime falas për ata që janë në vijën e parë të frontit, duke shpërndarë ushqime dy herë në javë.
“Ka mundësi që kjo të rritet sepse mbështetja ekonomike është shumë e madhe në komunitet dhe kjo bën të ecësh përpara, të punosh më fort, të japësh diçka për këtë komunitet që më ka bërë mua personin që jam sot”, thotë ai.
Në këtë kohë pandemie, biznesi i Aleksit është rritur, pas vështirësive të para.
“Kjo është diçka vërtet e veçantë, sepse kur jep, zoti të jep. Dhe ka funksionuar. Unë kur e fillova, nuk e fillova që njerëzit të më japin mua. Unë mendova kam 20 vjet që punoj në Amerikë, komuniteti më ka ndihmuar, pse të mos jap dicka mbrapa”.
Gjithsesi ai mirëpret ndihmën që po japin administrata dhe Kongresi amerikan në mbështetje të bizneseve si i tiji.
Aleksi, i cili që i ri emigroi në Itali kur jetoi dhe studioi për arte kulinare, para se të emigronte në Shtetet e Bashkuara, përveç impulsit njerëzor për të ndihmuar, ka edhe disa arsye të tjera.
“Ne si emigrantë kemi vuajtur shumë për të lëvizur nga një shtet në një shtet tjetër. Një nga ato ka qenë edhe ikja në Itali, kur isha 17 vjeç. Isha në shkollë dhe nuk kisha bukë për të ngrënë dhe shkonim në radhë për të marrë ushqim falas. Duke pasur parasysh që kemi ecur në një rrugë shumë të vështirë për të arritur diku, unë ndjehem përgjegjës sado pak e vogël kjo kauzë, që të jap diçka mbrapsht njerëzve që na kanë mbështetur për shumë vite”.
Ai thotë se ndihma për të tjerët është edhe pjesë e traditës së tij familjare, pasi gjyshi nga ana e nënës para Luftës së Dytë Botërore kishte dyqane, dhe jo vetëm ndihmonte me ushqime falas, por edhe i kishte falur të gjitha borxhet e atyre që nuk përballonin dot të paguanin.
Reagimi ndaj fushatës së tij ka qenë diçka e jashtëzakonshme, thotë Aleksi.
“Unë vetëm mesazhet kur lexoj mbi 100 mesazhe në ditë, kur më falenderojnë për atë që po bëj, më bëjnë të punoj 15 orë pa asnjë lloj lodhjeje”.
Ai thotë se kjo i jep krenari.
“Ka ditë që vij në orën 6 të mëngjesit me gjithë ekipin tim, që ushqimi të shkojë në kohë, aty ku duhet të shkojë, për shembull tek doktorët dhe kjo më bën shumë krenar”.
Aleksi ka hapur një llogari në faqen gofundme, ku njerëzit të kontribuojnë nëse dëshirojnë për ushqimet që ai shpërndan falas.
Në një ndër shtetet më të prekura, si banor Aleksi thotë se shqetësimi është i pranishëm, por për të, impulsi për të ndihmuar, u kthye në një formulë suksesi për biznesin, edhe në këto kohra të vështira.
Të ngjashme
Të tjera nga Koronavirusi: çast pas çasti
E-Diaspora
-
Cyrih: Takim pune për zbatimin e Marrëveshjes së Bashkimit të shkollave shqipe LAPSH mbetet i përkushtuar që mësimi plotësues të jetë i unifikuar, i qëndrueshëm dhe në shërbim... -
KQZ: Afër 64.000 votues nga diaspora janë regjistruar për të votuar -
Vlashent Sata “Lufto me kenë i mirë, ma shumë ke me kenë i lirë” -
Nata e parë e Tri Net Film Fest, një fillim i mbarë i festivalit -
Itali
9-vjeçarja shqiptare fiton festivalin italian “Zecchino d’Oro” për herë të parë në 68 vjet
Jeta në Zvicër
-
Nga 8 dhjetori Aeroporti i Cyrihut lejon pjesërisht lëngjet në bagazhin e dorës Pasagjerët do të jenë në gjendje të mbajnë lëngje në bagazhet e tyre të dorës fillimisht... -
Zvicër: Kërkohet kontrollim më i mirë i letërnjoftimeve të të huajve -
Ndalimi i reklamave të duhanit në Zvicër për të mbrojtur të miturit do të fillojë në vitin 2027 -
Tregtia e energjisë elektrike diellore midis banorëve të së njëjtës komunë do të jetë e mundur nga viti 2026 -
Ndryshimet e transportit publik që priten në qytetet më të mëdha të Zvicrës në vitin 2026













