E-Diaspora

Përkujtohet heroi kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu

Të shtunën, më 23 qershor 2018, në Windisch të Kantonit të Aargaut, në simpoziumin kushtuar heroit kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, ligjëruan profesorë eminentë të Universitetit të Tiranës dhe të Prishtinës

Nën organizimin e Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë „Naim Frashëri“ në Kantonin e Aargaut, u organizua simpoziumi kushtuar figurës së heroit kombëtar „Gjergj Kastriotit – Skënderbeut“, në të cilin me kumtesat e tyre u paraqitën: prof dr. Zymer Neziri, prof. Dr. Teki Kurti, prof. Dr. Frashër Demaj, Dr. Vaxhid Sejdiu dhe Mr. Shaban Arifaj.

   

Programi u hap me interpretimin e Himnit të Flamurit, nga nxënësja Janina Isufi, kurse mirëseardhje pjesëmarrësve, ju dëshiroj kryetari i Kryesisë Kantonale z. Riza Demaj. Më pastaj pjesëmarrësit i përshëndetën, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Bernë z. Ilir Gjoni dhe ministri – këshilltar i Ambasadës së Republikës së Kosovës z. Mustafë Xhemajli.     

Punimet e simpoziumit i udhëhoqi grupi i punës: prof dr. Zymer Neziri (kryetar), prof. Dr. Teki Kurti dhe prof. Dr. Frashër Demaj.   

Fjalën e hapjes të simpoziumit e mbajti  Prof. Dr. Frashër Demaj, anëtar korrespondent  në A.SH.A.K., i cili po ashtu në bazë të rendit alfabetik paraqiti edhe kumtesën e parë me titull:Atakimi i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, tendencë antishqiptare”.  Paraqitja e tij dhe sjellja  e fakteve para pjesëmarrësve ishte me shumë interes.

Vlen të veçojmë disa fjali nga kumtesa e prof. Dr. Frashër Demajt: “Tendencat e shfaqura ndaj Skënderbeut, që vijnë nga qarqe radikale, përshkruhen me të pa vërteta, si: luftoi “kundër myslimanëve shqiptarë”, “nënën e kishte sllave”, “ishte serb, bullgar” etj.  Asnjë dokument serioz nuk flet për prejardhjen sllave të nënës së Skënderbeut; në kohën e luftërave të Skënderbeut nuk kishte numër të madh të shqiptarëve të besimit islam, islamizimi në masë i shqiptarëve fillon në shekullin XVII; Skënderbeu luftoi kundër Venedikut, Raguzës etj., që ishin të krishterë, luftoi edhe kundër P. Osmane, që ishte islame. Qëllimi i Skënderbeut ishte formimi i një shteti të kohës. Pavarësisht atakimeve nga qarqet e ndryshme antishqiptare, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është figura qendrore e historisë së popullit shqiptar dhe simbol i krijimit të kombit dhe shtetit shqiptar. Prandaj çdo shfaqje jashtë kontekstit shkencor është tendencë antishqiptare”. 

Gazetari dhe publicisti MSc. Shaban Arifaj lexoi kumtesën “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në shkrime publicistike – letrare”, i cili ndër të tjerash tha: “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, pas 550 vjetësh nga vdekja e tij, nuk u la asnjëherë në harresë. Ai jo vetëm që ringjallet përherë me vepra e krijime të ndryshme publicistike, historike, letrare, artistike, por gjithmonë mbetet figurë madhore e historisë sonë kombëtare edhe e asaj ndërkombëtare”.                                                                                                                                                   

Profesori i Universitetit të Tiranës Prof. Dr. Teki Kurti  u paraqit me kumtesën “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, princi i Arbërisë” (Dominus Albania), ku veçoi se:“Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ishte trashëgimtar i ligjshëm ndaj dhe quhej Zot i Krujës e i Arbrit. E gjithë epoka, ku Skënderbeu luftoi për bashkimin e popullit dhe për mbrojtjen e lirisë në shtetin e Arbërit, mori emrin dhe lavdinë e tij”. 

Mësuesi i shkollës shqipe, Dr. Vaxhid Sejdiu, lexoi kumtesën me titull  “Figura e heroit kombëtar  Gjergj Kastriotit – Skënderbeut,  në tekstet shkollore shqipe”, i cili në mes tjerash tha, se: “Të gjitha studimet e deritanishme për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun kanë një konkluzion të përbashkët, se Skënderbeu është hero kombëtar dhe figura më e ndritshme e historisë së përgjithshme të popullit shqiptar. Duke u nisur nga ky fakt, dëshiroj që në këtë punim t`i jap një përgjigje pyetjes se si trajtohet Skënderbeu në tekstet shkollore? Bazë për studim janë tekstet shkollore, për lëndët Gjuhë e letërsi shqipe dhe Histori, kl. V-IX, si dhe kl. I-IV për shkollat e mesme. Librat që janë në përdorim në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Kosovën Lindore (Preshevë…)”.  

Prof. Dr. Zymer Neziri, u paraqit me kumtesën“Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, në legjenda e gojëdhëna“, duke thënë se: “në këtë kumtesë është shqyrtuar paralindja dhe lindja e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, në fillim të shekullit XV, sipas legjendave e gojëdhënave popullore, të mbarështruara nga Qemal Haxhihasani (1967). Mosha e legjendave për paralindjen e Gjergjit, te Marin Barleti, biograf i tij i shquar, i kalon po ashtu pesë shekuj. Gjatë pesë shekujve të sundimit të Perandorisë Osmane, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, përpos në këngë e tregime, edhe në legjendat e gojëdhënat tona mbeti prijësi më madh i popullit shqiptar, simbol i rrallë i luftës për liri”  

Pas kumtesave, edhe diskutimet rreth figurës së Skënderbeut ishin mjaft të dobishme, kurse mbylljen e simpoziumit e bëri pedagogu dhe punëtori i dalluar shkencor, njëherit edhe anëtar nderi i L.A.P.Sh., Prof. Dr. Zymer Neziri 

Pas përfundimit të simpoziumit, në shenjë respekti për mysafirët, nxënësit e shkollave shqipe u paraqitën me 3-4 pika muzikore të cilat ishin mjaft mirë të përgatitura. Nxënësit Laura Kastrati dhe Arti Luma kënduan këngën “Ti Shqipëri më jep nder”, Albion Rexha, këngën “Gjuha shqipe” dhe nxënësit e shkollës shqipe të Neuenhof-it, Spreitenbach-ut, Brugg-it dhe Birr-it të përgatitur nga mësuesja e Qefsere Sejdiu, interpretuan kënge kori, edhe atë këngët “Moj Arbëri” dhe “Fryn Murlani me stuhi”.

Dhe në fund pjesëmarrësit ishin të ftuar në një apero të përgatitur nga mbështetësit e shkollës shqipe Linda dhe Visar Muriqi nga Brugi, i Kantonit të Argaut. 

Sektori për informim i L.A.P.Sh. “Naim Frashëri” -Argau