Integrimi

“Care Process” e Adis Tairit lehtëson punën e infermierëve të Zvicrës

Aplikacioni “Care Process” u mundëson infermierëve që me një sqarim të shkurtër, me foto, video dhe në fund me syze virtuale, t`i ushtrojnë të gjitha proceset

“CareProcess E-Learning Plattform” është një shans i mirë për të gjithë nxënësit, studentët dhe infermierët që të informohen për të gjitha fazat e ecurisë së punës së tyre, thotë themeluesi i saj, Adis Tairi, me rrënjë nga Gostivari. “Po ashtu u jep punëtorëve siguri dhe ul numrin e gabimeve që ndodhin tek pacientët. Me shërbimet tona, ne ua lehtësojmë punën punëtorëve të rinj apo atyre që vijnë nga vendet tjera për të punuar në Zvicër”.

Na thoni, si nisi rrugëtimi juaj në këtë profesion?
Në sistemin shëndetësor në Zvicër kam nisur si praktikant, pastaj kam përfunduar shkollën e mesme dhe të lartën për infermier. Pas disa muajsh, zgjodha të vazhdoj shkollimin si edukator apo trajner për të rriturit në infermieri (Erwachsenenbildner) .

Si lindi ideja të realizoni këtë platformë me emirn “CareProcess E-Learning Plattform”?

Ideja për të realizuar këtë platformë më ka lindur para pesë vitesh. Gjatë gjithë këtij rrugëtimi kam vërejtur se personeli aktualisht është tepër i mbingarkuar, kjo për shkak të mungesës së fuqisë punëtore në këtë profesion. Shumë infermierë nuk e kanë të qartë se si duhet vepruar për shembull: me injeksionin ventrugluetar apo përkujdesjen e katetrave. Infermierët që vijnë nga vendet tjera apo ata që diplomojnë në Zvicër iu bie shumë shpejt të fillojnë të veprojnë tek pacienti sepse nuk kanë kohë t’i sqarojnë as detajet se si duhet vepruar në raste të caktuara.

Prej kohësh e kam parë që mungon  një platformë ku do të mund të sqaroheshin të gjitha proceset e punës së një infermieri. Prandaj, ne ua mundësojmë që me një sqarim të shkurtër dhe të qartë, me foto, video dhe në fund me syze virtuale, t`i ushtrojnë të gjitha proceset.

Në cilin vit është hapur “Care Process” dhe sa persona janë të përfshirë në këtë platformë?

Në dhjetor të vitit 2021 e kemi hapur “GmbH Care Process” me zyrën qendrore në Rennweg (Cyrih). Të përfshirë në “Care Process” janë gjashtë persona: Karin Nussbaumer – Stefffen dhe Artner Benjamin, të dy të suksesshëm në fushën e mjekësisë, dhe unë si infermier profesionist. Tre personat e tjerë janë të punësuar për nevojat tona në IT, dhe në marketing.

Çfarë mund t’i ndihmoni me këtë platformë kujdesit shëndetësor në Zvicër?

Ky është një shans i mirë për të gjithë nxënësit, studentët dhe infermierët që të informohen për të gjitha fazat e ecurisë së punës së tyre. Po ashtu u jep punëtorëve siguri dhe ul numrin e gabimeve që ndodhin tek pacientët. Me shërbimet tona, ne ua lehtësojmë punën punëtorëve të rinj apo atyre që vijnë nga vendet tjera për të punuar në Zvicër.

Platforma është në 12 gjuhë. Pse? A nuk është kusht njohja e gjuhës gjermane për infermierët që vijnë nga vendet jashtë Zvicrës?

Shumë prej tyre që vijnë nga vendet e huaja mund ta njohin gjuhën gjermane, por ka disa që hasin në vështirësi për t’i kuptuar disa procese. Apliakcioni në 12 gjuhë është një mundësi e mirë për t’i kuptuar secili në hollësi këto procese dhe njëkohësisht për tu përgatitur për tregun në Evropë. Synimi ynë është që si “Care Process” të zgjerohemi edhe në vendet tjera të Evropës.

Pse nuk ka funksionar si duhet deri me tani dhe cili është modeli zviceran i kujdesit shëndetësor?
Deri me tani kemi funksionuar me dhurime vullnetare dhe donacione, tani fillon procesi i rregullt.
Në Zvicër funksionon niveli i mesëm ku janë AGS dhe FaGe dhe niveli terciar, ku është shkolla e lartë për infermier. Në nivelin e dytë (sekondar) mësohet: Shkollë – teori, pastaj “Überbetrieblicher Kurs” (Kurs me profesionistë të kompanive të tjera) ku lidhet teoria me praktikë dhe vetëm praktikë i cila mund të bëhet në spitale, shtëpi të pleqve, spitex etj.

Pasi të përfundojë shkollimi, janë tri nivele: Niveli funksional 1, ndihmës infermieri (Pflegeassistent/AGS); 2: FaGe dhe 3. Specialist i kualifikuar i Infermierisë (Diplomierte Pflegefachperson).

Sa infermierë janë të angazhuar nëpër spitale dhe qendra mjekësore?
Sipas gjendjes në vitin 2020 janë:
–       174593 në spitale
–       100546 në shtëpi pleqsh
–       25858 në spitex
–       27881 nëpër qendra mjekësore

Në shumë spitale ka mungesë të personelit mjekësor. Për sa infermierë ka nevojë Zvicra?

Sipas statistikave mendohet se deri  në vitin 2030 Zvicra do të ketë nevojë për mbi 20 mijë infermierë. Aktualisht ka mungesë për rreth 11 mijë infermierë.

Po nga vendet e treta, a mund të vijë personel shëndetësor, e kam fjalën nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia?
Fatkeqësisht jo, nuk kanë mundësi të vijnë direkt për shkak se Zvicra nuk lëshon viza pune. Megjithatë, ata që vijnë si bashkim familjar, mund ta përkthejnë diplomën dhe të punësohen. Ka pasur raste të shpeshta kur, shumë shqiptarë kanë kërkuar ndihmën time. Me kënaqësinë më të madhe u kam ndihmuar dhe treguar sesi duhet vepruar.

Kush është Adis Tairi?
Jam nga Gostivari, jam 33 vjeç. Në Zvicër jam ardhur para 32 vjetësh. Si 15 vjeçar fillova si praktikant në Hirslanden Klinik. Jam i martuar dhe kam një fëmijë. Merrem aktivisht me organizata humanitare për Gostivarin (Për invalidë, të sëmurë e të tjerë). Punoj si përgjegjës për arsimin regjional te “Senevita” mësimdhënës në “Organisation der Arbeitswelt” në Cyrih dhe ekspert i ekzaminimit në kantonin e Cyrihut.