Kosova

Policia e Kosovës ekstradon nga Anglia të kërkuarin me urdhërarrest ndërkombëtar

Policia e Kosovës ka bërë ekstradimin nga Anglia në Kosovë të një shtetasi kosovar të kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar.

Sipas njoftimit zyrtar, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet tjera të policisë dhe institucionet e drejtësisë, realizoi ekstradimin më 15 janar 2026. I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet angleze pasi i njëjti kërkohej nga institucionet e Kosovës për veprat penale “vrasje në tentativë” dhe “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Ekstradimi u krye falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe atyre angleze. Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari iu dorëzua njësive përkatëse policore për procedurat e mëtejshme ligjore.

Policia e Kosovës njofton se do të vazhdojë shkëmbimin e informacionit me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim parandalimin dhe zbardhjen e aktiviteteve kriminale, si dhe gjurmimin dhe arrestimin e personave dhe grupeve që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.