Kosova

Politikë e diasporës duhet të jetë shqiptaria dhe jo partia

Samiti i Dytë i Diasporës po i zhvillon punimet në City Center në afërsi të Tiranës. Ai karakterizohet nga një pjesëmarrje e madhe e bashkatdhetarëve nga shumë vende të botës dhe nga një debat i gjallë, i kanalizuar në një sesion plenarë dhe disa panele. Pjesëmarrje e krerëve më të lartë të Shqipërisë dhe të Kosovës është tregues për rëndësinë që politika e këtyre dy vendeve i ka dhënë këtij samiti, shkruan albinfo.ch.

Folësi i parë i sesionit plenar  ka qenë mysafiri i angazhuar nga IOM, studiues i shquar irlandez i çështjeve të diasporës, Kingsley Aikins. Ai ka kërkuar nga diaspora që të ndjekë rrugën e vet, duke bërë kështu përpjekje për mbrojtje nga asimilimi si dhe për balanc në mes të ruajtjes së rrënjëve dhe integrimit në vendin ku jetojnë.

Që samitet e diasporës të jenë të diasporës dhe jo të qeverive

Në emrin  e Kongresit Botëror të Hebrenjve (JVC) ka folur nënkryetarja e kongresit në fjalë, Marie Van De Zyl, kryetare e këtij kongresi për Britaninë e Madhe. Zonja nga Kongresi Hebraik ka kujtuar miqësinë në mes të shqiptarëve dhe hebrenjve, duke iu referuar faktit tashmë të njohur të shpëtimit që shqiptarët u kanë bërë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, të përndjekur nga nazizmi. Ajo gjithashtu ka folur rreth përvojave të hebrenjve në organizimin e tyre si diasporë e lashtë dhe shumë e konsoliduar gjithandej në botë, që mund t`u shërbejnë edhe shqiptarëve.

Liza Gashi nga organizata Germin ka tërhequr vëmendjen e publikut me qasjen e saj jokonformiste rreth çështjes së organizimit të diasporës dhe rreth vetë këtij samiti. Ajo ka thënë se duhet të përfundojë koha kur samitet sikur ky i organiojnë qeveritë. Kjo është dhe duhet të jetë punë e vetë diasporës, ka thënë znj. Gashi, duke u mirëpritur nga të pranishmit, shkruan albinfo.ch. Folësja në fjalë ka kërkuar të hiqet dorë nga formalizmat dhe që problemet të emërtohen me emrin e vërtetë në mënyrë që edhe zgjidhja e tyre të jetë më e lehtë.

Mark Gjonaj, asambleisti i Nju Jorkut me rrënjë shqiptare nga Ulqini ka folur për përvojat e diasporës shqiptare në SHBA, duke u fokusuar në ndihmesën që kjo diasporë i ka dhënë çështjes shqiptare në përgjithësi dhe asaj në Kosovë, në veçanti. Gjonaj nga kjo foltore i është drejtuar edhe qyetetarëve shqiptarë të Tuzit, në Mal të Zi që në zgjedhjet që mbahen javën që vjen të bëjnë zgjehdjen e duhur, të zgjedhin përfaqësuesit shqiptarë. Ai po ashtu ka folur për nevojën e ruajtjes së gjuhës dhe traditave shqiptare në mërgim.

Afaristi i njohur Lazim Destani ka folur në emrin e komunitetit shqiptar të Gjermanisë. Ai ka vënë theksin në nevojën për ruajtjen e rrënjëve shqiptare te brezi i dytë në mërgatën shqiptare të Gjermanisë dhe vendeve tjera. Destani ka apeluar për më shumë unitet në mes të diasporës, pavarësisht nga qëndrimet rreth politikës në vendet e prejardhjes.

 

Kryetari i Bashkisë së Piana del Albanese, Rosario Petta, ka folur pjesërisht në gjuhën shqipe dhe atë italiane. Ai ka evokuar ruajtjen e gjuhës dhe traditës shqiptare nga ana e arbëreshëve, të cilët sipas tij, kurrë nuj e kanë harruar dashurinë për atdheun e të parëve, Shqipërinë. Këtë dashuri e kanë përcjellë brez pas brezi ndërsa aktualisht, edhe përmes programeve arsimore, Italia ka mundësuar bartjen mëtej të gjuhës tek arbëreshët e brezave të rinj.

Thaçi: “Nuk do të lejoj të humbet asnjë milimetër i territorit të Kosovës”

Siç edhe mund të pritej, sesioni plenar i Samitit të Dytë të Diasporës ka rrjedhur megjithatë në shenjë të fjalimeve të krerëve më të lartë të shteteve. Kanë qenë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ata që kanë marrë minutazhën më të madhe dhe sigurisht interesimin më të madh të publikut në këtë sesion. Ndonëse iu drejtuan mërgimtarëve, pjesën më të madhe të fjalimeve të tyre ata ia kushtuan aktualitetit në vendet respektive, që siç dihet, është i mbarsur me probleme të mëdha, shkruan albinfo.ch nga samiti.

Presidenti Thaçi fillimisht ka përmendur të dhënën e njohur se shumica e madhe e krerëve të politikës së sotme shqiptare të të gjitha trojeve, ka “sfond migracioni”. Në këtë kuptim, ai ka përmendur veten, kryeministrin Rama, kryetarin e BDI-së, Ali Ahmetin dhe politikanë të tjerë të cilët para se të bëheshin këta që janë, kanë jetuar në shtete të ndryshme perëndimore, si mërgimtarë. Ai ka nxjerrë përfundimin se kontributi i diasporës në zhvillimet politike në vend është i pashembullt.

Ndërkaq, presidenti i Kosovës është ndalur më shumë në aktualitetin politik kosovar, duke prekur njërën nga çështjet më të përfolura atje: debatin e ndezur mbi shkëmbimin e territoreve ose korrigjimin e kufijve. Thaçi ka siguruar audiencën se “nuk do të ketë kurrë shkëmbim territoresh dhe se ai vetë në cilësinë e presidentit nuk do të lejojë që “asnjë milimetër t`i hiqet territorit të Kosovës”. Por, Thaçi gjithashtu ka thënë se korrigjim kufijsh duhet të ketë dhe nga kjo do të përfitojë Kosova, duke ia bashkuar asaj Luginën e Preshevës. Ai ka thumbuar me këtë rast “ata politikanë që në të kaluarën kanë bashkëpunuar me Miloshevicin në dëm të luftës në Kosovë, e sot brengosen për tërësinë territoriale të Kosovës”. Po ashtu Thaçi ka sulmuar “politikanë të caktuar” të cilët për axhendat e tyre partiake ose grupore, dëmtojnë miqësinë me partnerët tanë tanë më të mëdhenj, amerikanët.

Rama: Diaspora nuk ka parti

Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është ndalur më shumë në aktualitetin politik të vendit që drejton. Ai ka thënë se në kohën që ai është kryeministër, Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara, sidomos në legjislacion dhe në vënien e rregullit në drejtësi. Vettingu në fushë të drejtësisë, që është në rrjedhë e sipër, është një hap shumë i madh, që nuk është imagjinuar më parë se do të mund të zhvillohej. Po ashtu Rama ka tërhequr vëmendjen në ato që ai tha se janë spekulime, lidhur me tregtinë në stil të madh me drogë në Shqipëri, raporton albinfo.ch nga Samiti i Diasporës. Ai tha se e kundërta është e vërtetë, duke përkujtuar se çerdhja më e madhe e drogës, Lazarati, është shkatërruar pikërisht në kohën e kësaj qeverie.

Rama ka thënë se turizmi ka shënuar një rritje të dyfishtë në këto vite ndërsa ka kritikuar opozitën e cila me politikën e saj të futjes së frikës, po e dëmton këtë turizëm që po ecte rrugës së mbarë.

Ai ka thënë se diaspora nuk duhet të ketë parti dhe as militantizëm politik duke u bazuar në preferencat mnbi pilitikën në vend. Sepse, ka thënë Rama, politika e diasporës është shqiptaria.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti në fjalën e tij ka thënë se pikërisht nga diaspora kanë nisur momentet më të rëndësishme historike të kombit shqiptar. “Momentet më të rëndësishme historike, rrjedhat i kanë pasur nga mërgata. Pavarësia e Shqipërisë me Ismail Qemalin u organizua nga mërgata, sikurse Ushtria Çlirimtare e Kosovës u ushqye nga mërgata”, theksoi Ahmeti.

Në katër panelet që janë zhvilluar në mënyrë paralele, dhe në sesionet përkatëse pas tyre, veprimtarë dhe ekspertë të shumtë kanë rrahur problemet nga këndvështrimi i tyre, që lidhen me diasporën shqiptare. Gjatë këtyre tryezave që po vazhdojnë, po zhvillohet edhe një debat i gjallë me pjesëmarrjen e publikut të interesuar. Rreth debateve në fjalë, albinfo.ch do të informojë lexuesit e saj përmes deklarimeve të disa nga pjesëmarrësit.

Dita e parë e punimeve të Samitit të diasporës ka treguar se organizimi kësaj here është marrë me seriozitet. Lista e të ftuarve dhe folësve (edhe ndërkombëtarë) ishte mjaft impresionuese por jo vetëm kaq. Organizimi i bashkëbisedimeve në katër panele paralelisht me gjithë drejtimin kompetent të tyre dhe teknikën që funksionon mirë, flet për një qasje serioze të organizatorit.