Shqiperia

Pompeo uron shqiptarët “në emër të qeverisë së SHBA-së dhe popullit amerikan”

Në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë ka ardhur edhe një mesazh urimi nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, transmeton albinfo.ch.

Ai në emër të qeverisë dhe popullit amerikan, ndër të tjera thotë se ShBA mbështet Shqipërinë si një aleate e palëkundur, në reformat për t’u anëtarësuar në BE.

Mesazhi i urimit nga Mike Pompeo:

Ndërsa Shqipëria feston Ditën e saj të Pavarësisë, unë ju dërgoj urimet në emër të qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe popullit amerikan.

Këtë vit, ne festojmë edhe vendimin e Bashkimit Evropian për të hapur negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë, një shenjë e përparimit të rëndësishëm që Shqipëria ka bërë në zbatimin e reformave të nevojshme për anëtarësimin në BE. Ne e përgëzojmë Shqipërinë për udhëheqjen e saj si kryesuese e OSBE-së për 2020-ën dhe vlerësojmë gjithçka që ajo ka bërë për të shfaqur përkushtimin e saj ndaj komunitetit Transatlantik. Shqipëria luan një rol qendror në ndihmesën për sigurimin e paqes dhe stabilitetit si pjesë e Aleancës së NATO-s, dhe Shtetet e Bashkuara qëndrojnë pranë Shqipërisë si një aleate e palëkundur.

Uroj mirëqënie dhe shëndet për popullin shqiptar, ndërsa punojmë së bashku për të kapërcyer sfidat me të cilat na përballi pandemia COVID-19.