Lajme
Presidenti Biden pajtohet për një takim me Putin-in
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden dhe presidenti rus, Vladimir Putin, kanë rënë dakord në parim për një takim mbi Ukrainën, tha të hënën presidenti francez, duke ofruar një rrugëdalje të mundshme nga një prej krizave më të rrezikshme evropiane në dekada.
Tregjet financiare u përtërinë në dritën e shpresës për një zgjidhje diplomatike, ndonëse pamjet satelitore tregojnë grumbullimet ruse më afër kufirit të Ukrainës, ndërsa jehona e luftës u dëgjua të hënën në lindje, ku forcat qeveritare ukrainase po luftojnë me separatistët pro-rusë.
Zyra e presidentit francez, Emmanuel Macron, tha në një deklaratë se ai u kishte propozuar të dy udhëheqësve një takim mbi “sigurinë dhe qëndrueshmërinë strategjike në Evropë”.
Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Biden e pranoi propozimin “në parim”, por vetëm “nëse nuk ndodh një pushtim”.
“Ne jemi gjithmonë gati për diplomaci”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki. “Ne jemi gjithashtu të gatshëm të imponojmë pasoja të shpejta dhe të rënda, nëse Rusia në vend të kësaj zgjedh luftën”.
Pak hollësi janë bërë të qarta rreth takimit të propozuar, që u shpall pas një breshërie telefonatash midis presidentëve Macron, Biden, Putin e Zelenskiyy dhe kryeministrit britanik, Boris Johnson.
Zyra e presidentit Macron dhe Shtëpia e Bardhë thanë se thelbi i planit do të përpunohej nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, gjatë takimit të tyre të planifikuar për 24 shkurt.
Se çfarë roli do të luante Ukraina në takim dhe nëse do të kishte një të tillë, është gjithashtu e paqartë.
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se ka një nevojë urgjente për bisedime, për të shmangur luftën, ndërsa Gjermania tha se Rusia duhet të kthehet në tryezën e bisedimeve.
Kremlini tha të hënën se ende nuk ka plane konkrete rreth takimit.
Lajmi për propozimin e presidentit Macron pasoi një javë tensionesh në rritje të nxitura nga grumbullimi ushtarak i Rusisë.
Forcat ruse janë grumbulluar rreth Ukrainës fqinje që nga fundi i vitit të kaluar, në atë që vendet perëndimore thonë se është një prelud i një pushtimi, që mund të ndodhë në çdo moment.
Rusia mohon të ketë plane pushtimi, por shqetësimet u rritën më tej kur Ministria bjelloruse e Mbrojtjes njoftoi se Rusia do të zgjasë stërvitjet ushtarake në Bjellorusi, që duhej të përfundonin të dielën.
Të dielën, sekretari Blinken tha se zgjatja e stërvitjeve në Bjellorusi, në kufi me Ukrainën, në veri, shtoi shqetësimin se Rusia është në prag të një sulmi dhe duhej shfrytëzuar çdo mundësi për të vënë në punë diplomacinë.
Granatimet sporadike përgjatë vijës që ndan forcat qeveritare të Ukrainës dhe separatistët prorusë në lindje janë intensifikuar që nga e enjtja. Të shtëna u dëgjuan sërish të hënën, përfshirë një shpërthim në qendër të qytetit të Donetskut, të kontrolluar nga separatistët. Shkaku është ende i panjohur.
Agjencia ruse e lajmeve, RIA, citoi kryengritësit të kenë thënë se dy civilë u vranë nga granatimet e forcave qeveritare të Kievit. Mediat ruse raportuan se 61,000 të evakuuar nga Ukraina Lindore kanë kaluar në Rusi.
Kievi ka akuzuar forcat proruse se kanë bombarduar bashkatdhetarët e tyre në rajonin e shkëputur, në mënyrë që të fajësojnë forcat e qeverisë ukrainase për sulmet./VOA
E-Diaspora
-
Arnold “The Cobra” Gjergjaj triumfon në luftën e fundit Gjatë së shtunës Arnold “The Cobra” Gjergjaj triumfoi kundër Dennis Lewandowski. Kjo ndeshje e madhe u...
-
Nju-Jork: Baleti Kombëtar i Kosovës me dy shfaqje
-
Belgjikë: Kori “Siparantum” do të dhuroj paraqitje dinjitoze
-
Çikago: Pianistja Anila Aliu, me koncert recital
-
Sopranoja Elbenita Kajtazi ndan bursa vjetore për studentët shqiptarë të muzikës
Jeta në Zvicër
-
Bernë: Parukierja me kombinim të pazakontë – prerje, larje dhe këshilla juridike Parukierja në Bernë, Geraldine Scherler ka “guxuar” me një kombinim të pazakontë. Pse të zgjidhni midis...
-
Zgjedhjet Evropiane 2024: Një e katërta e popullsisë zvicerane ka të drejtë vote
-
Zvicër: 26-vjeçari vozit me 161 km/h në zonën e kufizimit 80 km/h
-
AAK – dega në Zvicër zgjedh strukturat drejtuese
-
Incidentet raciste në Zvicër – në rritje, veçanërisht në shkolla