Kosova

Presidentja e Kosovës në pritje të Kushtetueses për caktimin e datës së zgjedhjeve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nuk e ka nënshkruar ende dekretin për datën e zgjedhjeve pasi është duke pritur nëse Gjykata Kushtetuese do të vendos masë të përkohshme ose jo për dekretin e saj për shpërndarje të Kuvendit.

Këshilltari për media i presidentes, Bekim Kapina, ka deklaruar se nëse Gjykata Kushtetuese e vlerëson si të nevojshme caktimin e një mase të përkohshme, Presidenca e mirëpret atë ndërsa ka deklaruar se kjo nuk paragjykon vendimin përfundimtar të Gjykatës lidhur me kushtetutshmërinë e dekretit për shpërndarje të Kuvendit.

“Presidentja ende nuk e ka nënshkruar dekretin për datën e zgjedhjeve sepse, siç i ka njoftuar edhe partitë në takimin konsultativ, ajo është në pritje të Gjykatës Kushtetuese. Nëse Gjykata Kushtetuese e vlerëson si të nevojshme caktimin e një mase të përkohshme, Presidenca e mirëpret atë, duke ritheksuar se masa në asnjë moment nuk paragjykon vendimin përfundimtar të Gjykatës lidhur me kushtetutshmërinë e dekretit”, është shprehur ai, transmeton albinfo.ch.