Kosova

Presidentja Osmani: Këtu na sollën njerëz me qëllime të rrezikshme

Osmani me deklaratë të fortë: Deputetët e çuan vendin drejt zgjedhjeve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekretuar të premten shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, pasi deputetët dështuan të zgjedhin presidentin e ri brenda afatit kushtetues, përcjell albinfo.ch.

Në një konferencë për media, Osmani tha se dështimi i seancës së të enjtes në mbrëmje nuk ishte i rastësishëm, por sipas saj një veprim i kalkuluar politik. Ajo e cilësoi situatën si të evitueshme dhe kritikoi deputetët që nuk arritën të përmbushin detyrimin kushtetues për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Sipas saj, Kushtetuta përcakton qartë se presidenti duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Duke qenë se mandati i saj përfundon më 4 prill, data 5 mars ishte afati i fundit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri.

Osmani theksoi se ky afat ka skaduar në mesnatën e së enjtes dhe se pas këtij momenti nuk ekziston më mundësi kushtetuese për zgjedhjen e presidentit nga ky Kuvend. Ajo shtoi se nenet 82 dhe 86 të Kushtetutës duhet të interpretohen së bashku dhe se një Kuvend që nuk arrin të zgjedhë presidentin përballet me mekanizmin kushtetues të shpërndarjes.

Presidentja bëri të ditur se gjatë ditës së sotme do të ftojë liderët e partive politike për konsultime lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve të reja parlamentare.

Procesi për zgjedhjen e presidentit dështoi në seancën e jashtëzakonshme të së enjtes për shkak të mungesës së kuorumit. Në sallë ishin të pranishëm vetëm 66 deputetë të koalicionit qeverisës, ndërsa deputetët e opozitës munguan. Kandidatë për president ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas procedurës kushtetuese, për zgjedhjen e presidentit nevojiten të paktën 80 vota në dy raundet e para dhe 61 vota në raundin e tretë. Në mungesë të kuorumit, procesi nuk arriti të vazhdojë.