Kosova

Presidentja Osmani takohet me Rubion: Të bashkuar për paqe dhe siguri

"Diskutuam mundësitë për forcimin e aleancës sonë, si dhe hapat konkretë në këtë drejtim që kanë rëndësi jetike për popullin tonë”, ka shkruar Osmani

“Me SHBA-të jemi të bashkuar në vendosmërinë për të mbrojtur paqen dhe për të garantuar një të ardhme më të sigurt për brezat e rinj”. Kështu ka theksuar presidentja Vjosa Osmani pas takimit që ka zhvilluar me Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio.

“Në 18-vjetorin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, ishte nder i veçantë që sot u prita në Departamentin Amerikan të Shtetit nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio. Diskutuam mundësitë për forcimin e aleancës sonë, si dhe hapat konkretë në këtë drejtim që kanë rëndësi jetike për popullin tonë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Presidentka e Kosovës ka treguar se e ka falënderuar Rubion për përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes, për mbështetjen vendimtare amerikane për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe për prezencën ushtarake amerikane në Kosovë si prezencë kyçe për paqen e stabilitetin në rajon.

“Diskutuam për rëndësinë e madhe të anëtarësimit të Kosovës në NATO, si dhe për hapjen e kapitujve të ri të bashkëpunimit në ekonomi e mbrojtje, si pjesë e partneritetit tonë strategjik. Krah për krah me Shtetet e Bashkuara, mbetemi të përkushtuar ndaj forcimit të paqes dhe sigurisë, adresimit të sfidave të përbashkëta globale dhe avancimit drejt integrimit euroatlantik të Kosovës”, ka nënvizuar Osmani.