Lajme

Putin vazhdon masat kundër biznesmenëve perëndimorë

Sipërmarrësit perëndimorë në Rusi vazhdojnë të kenë nevojë për leje të posaçme nga qeveria për të shitur aksionet e tyre në korporatat e mëdha.

Sipas agjencisë së lajmeve Interfax, një dekret i miratuar nga presidenti rus, Vladimir Putin, në gusht u zgjat me një vit të hënën dhe tani do të skadojë më 31 dhjetor 2023.

Pas luftës së nisur nga Rusia kundër Ukrainës, Perëndimi vendosi sanksione ndaj Moskës. Për shkak të rreziqeve të shtuara, shumë kompani dhe sipërmarrës po kërkojnë të zvogëlojnë biznesin e tyre me Rusinë.

Megjithatë, qeveria ruse u dha fund këtyre përpjekjeve muaj më parë dhe ndaloi shitjen e aksioneve në sektorë me rëndësi strategjike, si nxjerrja e lëndëve të para apo sektori financiar.

Shitje të tilla janë të mundshme vetëm me një përjashtim nga qeveria.

Rregullorja zbatohet për sipërmarrësit nga “vendet armiqësore”, pra shtetet që kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Me këtë rregullore, Kremlini dëshiron të parandalojë një eksod masiv të kompanive perëndimore.