Lajme

Qeveria e Zvicrës heq dorë nga lehtësimi i paralajmëruar i masave

Këshilli Federal do të heqë dorë nga konsultimi për hapat e mëtejmë lehtësues që ishte paraparë të zhvillohej më 11 gusht

Situata është përgjithësisht e mirë, por ekziston një “dinamikë negative” dhe pasiguri, për shembull për të kthyerit nga pushimet. Kështu ka shkruar ministri Berset në Twitter pas një telefonate me disa drejtorë kantonalë të shëndetit, raporton srf.ch.

Për këtë arsye Këshilli Federal do të heqë dorë nga konsultimi për hapat e mëtejmë lehtësues që ishte paraparë të zhvillohej më 11 gusht.

Ndërkohë, Zyra Federale e Shëndetit Publik (BAG) ka bërë disa sugjerime për masat e parandalimit të përhapjes së koronavirusit, transmeton albinfo.ch. Këto sugjerime i ka bërë një letër drejtuar kantoneve dhe partnerëve socialë.

Sipas letrës në faqen e internetit të BAG, Qeveria Federale dëshiron që kantonet të marrin masa në javët e ardhshme për të mbrojtur fëmijët, të rinjtë dhe veçanërisht njerëzit e lëndueshëm.

Qeveria Federale ka rekomanduar që kantonet “urgjentisht” t’i bëjnë testet e përsëritura të detyrueshme për profesionistët shëndetësorë të pavaksinuar dhe të pashëruar në spitale, shtëpi pleqsh, mjedise kujdesi dhe organizata Spitex.

Njerëzit asimptomatikë mund të kontribuojnë ndjeshëm në transmetimin e virusit, shkruan BAG. Prandaj, testet janë të nevojshme si plotësim i koncepteve të vaksinimit dhe mbrojtjes.

Situata e përgjithshme, “e mirë”

Përkundër rritjes së fundit të numrit të rasteve, Qeveria federale dëshiron të përmbahet nga shtrëngimi i masave të përgjithshme. Por në të njëjtën kohë, asnjë lehtësim nuk është i arsyeshëm të bëhet për momentin, thotë qeveria.