Lajme

Qeveria gjermane sqaron pozicionin e saj karshi Gjykatës Speciale

Qeveria gjermane thotë se i kushton rëndësi të madhe dhe e mbështet Zyrën e Prokurorit të Specializuar që merret me krimet që pretendohet se janë kryer nga UÇK-ja.

“Nga perspektiva e Qeverisë Federale, sqarimi i krimeve të luftës dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut luan rol qendror në procesin e pajtimit”, thuhet në një përgjigje të Qeverisë gjermane ndaj një hetimi të bërë nga e majta në Parlamentin gjerman, raporton “Deutsche Welle”, që thotë se ka qasje në atë dokument. “Korrupsioni dhe krimi i organizuar ende vazhdojnë të jenë sfida kryesore për politikën dhe ekonominë e Republikës së Kosovës”.

Deputetët e së majtës në Parlamentin gjerman janë interesuar nëse autoritetet gjermane kanë rënë dakord në heshtje të bashkëpunojnë me udhëheqësit kosovarë, si Hashim Thaçin, i cili është në mesin e të akuzuarve nga Specialja për krime lufte.

Nga Berlini thonë se pas zgjedhjeve në Kosovë në vitin 2001 kanë bashkëpunuar me përfaqësuesit e zgjedhur, por gjithmonë kanë theksuar rëndësinë e sqarimit të krimeve të luftës.

Në përgjigjen e Qeverisë thuhet se është ndihmuar puna e Tribunalit të Hagës, Gjykatës Speciale për Kosovën, e cila ndihmohet “financiarisht dhe brenda kornizës së ndihmës juridike.

“Për më tepër qeveria federale dërgoi tre punonjës në Gjykatën Speciale të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit Special”, thuhet nga Qeveria.

Sipas Sevim Dagdelenit, një deputete nga e majta gjermane që ka iniciuar këtë hetim, akuzat kundër Hashim Thaçit dhe “strukturave të tij mafioze” janë “injoruar dhe mbuluar” për vite me radhë.

Ajo ka cituar gjetjet e raportuesit special të Këshillit të Evropës, Dick Martyt, ish-prokurores së Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte, por edhe shërbimit të inteligjencës gjermane BND, që në vitin 2005 kishte lidhur udhëheqësit e Kosovës me krimin e organizuar. Ai raport u zbulua plotësisht përmes botimeve të Wikileaksit.

“Qeveria gjermane mban një pjesë të përgjegjësisë që krimet e rënda në Kosovë kanë mbetur pa u ndëshkuar deri më sot dhe se korrupsioni është ende në lulëzim”, ka thënë Dagdelen për DW.

Përgjigjet ndaj disa pyetjeve të së majtës nuk u transmetuan, sepse ato klasifikohen si “sekrete” dhe përfshijnë njohuritë e shërbimeve gjermane. Si shembull nëse Berlini ka informacion që njerëzit e SHIK-ut janë akona në krye të inteligjencës së Kosovës sot? Dhe, se nëse shërbimet sekrete të Kosovës kanë dashur të minojnë hetimet e UNMIK-ut, EULEX-it dhe KFOR-it kundër Hashim Thaçit e tjerëve?

“Komandantët e UÇK-së u gjykuan si aleatë në luftën e paligjshme të vitit 1999 të NATO-s dhe u mbështetën gjatë rrugës për në pozitat më të larta politike dhe shërbimet sekrete. Nuk është çudi që Qeveria gjermane i mban të fshehta lidhjet e saj të errëta me Kosovën”, thotë Dagdelen.

Disa çështje kanë të bëjnë edhe me negociatat aktuale mes Kosovës dhe Serbisë. Qeveria gjermane zbulon se përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-ve shpesh diskutuan procesin e negociatave, por se BE-ja nuk u këshillua për përmbajtjen e të ashtuquajturës marrëveshje e Washingtonit. Ajo i referohet marrëveshjes së nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në shtator të vitit të kaluar.

E kur u pyet nga e majta nëse, sipas Berlinit, Washingtoni favorizonte shkëmbimin e territoreve, Qeveria gjermane kujtoi se kjo ide është nisur nga presidentët Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq në një forum të Austrisë në gusht të vitit 2019.

“Përfaqësuesit e administratës amerikane herë pas here për media kanë deklaruar se janë të hapur për çdo zgjidhje për të cilën bien dakord të dy palët, por gjithashtu sqaruan se SHBA-ja nuk punon në drejtimin e ndryshimit të kufijve”, thuhej në përgjigjen e Qeverisë gjermane.