Shqiperia

Rama: Duam një paqe që respekton Ukrainën dhe të drejtat e saj

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka hapur zyrtarisht Samitin e Ukrainës me vendet e Evropës Juglindore, ku ka theksuar se paqja e vetme që vendet duan, është ajo e cila respekton Ukrainën dhe të drejtat e saj.

Në fjalën hapëse të mbajtur në krye të Samitit, kryeministri theksoi se e ardhmja që të gjithë në Shqipëri duan, është vetëm ajo e përbashkët.

“Jemi këtu për të rritur solidaritetin tonë për Ukrainën. Duam të përsërisim që Rusia duhet ta ndalë këtë luftë”, theksoi kreu i Qeverisë.

Më tej, ai e përforcoi disa herë faktin se Tirana mbetet e vendosur krah Ukrainës në rezistencën e saj ndaj Rusisë, pavarësisht vetëdijes së një vendi të vogël me kufizime për ndihma financiare dhe ushtarake.

Kjo megjithatë, nuk e kufizon mbështetjen shqiptare për Kievin, por kërkon që kushdo në rajon të kontribuojë në mbijetesën e popullit ukrainas dhe jo fitores së oreksit imperial të Rusisë.

“Të ndalosh Ukrainën në vend të Putinit, e shndërron botën në një vend që sundohet nga fuqia, jo të drejtat”, vijoi.

Kjo luftë, sipas Ramës, ka të bëjë thelbësisht me dinjitetin e të gjithëve dhe kombet e vogla nuk duhet të kthehen në ushqim për oreksin e Rusisë.

Duke iu referuar më tej Ballkanit, ai tha parashtroi se ky është një rajon ku pas më shumë se një çerek shekulli brenga të lëna nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe dikaturës së fundit të Evropës ende duhen shëruar.

Zgjidhjen e vetme e sheh te rezistenca ndaj forcave që e kërkojnë shpërbërjen e asaj çfarë është arritur të ndërtohet deri tani.

“Duhet të vazhdojmë të gjithë të jemi së bashku dhe të mobilizojmë lidhjet dhe kapacitetet tona. Nuk duhet ta lëmë Ukrainën të humbasë dhe Rusinë të fitojë. Një rezultat i tillë do të ishte i papërballueshëm dhe ekzistenca e BE do ishte në rrezik”, paralajmëroi Rama.

Teksa, në mbyllje, e ritheksoi mbështetjen e pakushtëzuar ndaj vetë Zelenskyt dhe Kievit në vijim.