Shqipëria

Rama: Të mos humbasim mundësinë nga plani i rritjes së BE-së

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se mes vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të vendoset gjithmonë paqja, pasi në të kundërtën, rrezikohet integrimi në Bashkimin Evropian, përcjell albinfo.ch.

Rama, në fjalën hyrëse të Samtit BE-Ballkan Perëndimor, i cili po mbahet në Tiranë, tha se ekonomitë e gjashtë vendeve të rajonit nuk mund të lulëzojnë duke penguar lëvizjen ekonomike të njëra-tjetrës.

“Në planin e rritjes në fuqi, domosdoshmëria është e qartë, ose do të marrin masat e nevojshme që të ecim përkrah njëri-tjetrit ose të dështojmë. T’u japim qytetarëve tanë rrugën drejt BE-së. Ekonomitë tona nuk mund të lulëzojnë duke penguar lëvizjen ekonomike të njëra-tjetrës. Ose bëjmë paqe për të punuar për begatinë tonë, ose kjo mungesë do të na bëjë që të humbasim paqen… Më vete jemi të gjithë të vegjël. Së bashku mbartim rëndësi. Si mund të bëhemi më të lirë dhe më të mëdhenj nëse kamionët tanë duhet të presin ende 26 orë në ditë. Si mund të heqim këto barriera? A mos jemi dembelë? Të çmendur? Budallenj, apo çfarë jemi? A nuk është ende e qartë për secilin prej nesh se nuk ka rrugë të shkurtër për në BE”, tha Rama.

Ai theksoi se vendet e rajonit duhet të lënë pas problemet e së shkuarës dhe të merren me të ardhmen, derisa edhe kujtoi nisjen e Procesit të Berlinit.

“Unë e pranoj se ndryshe nga Shqipëria, disa nga vendet e rajonit përballen me çështje komplekse midis tyre, megjithatë bëj thirrje t’i lëmë pas këto. Çështjet dypalëshe duhen zgjidhur përmes bashkëpunimit dhe dialogut dypalësh. 10 vjet më parë, udhëheqësit e BP u takuan në zyrën e kancelares në Berlin. Objektivi nuk ishte për t’u marrë me plagët e së shkuarës, por me të ardhmen. Gjatë këtyre 10 vjetëve Procesi i Berlinit na ka dëshmuar se sa më e lehtë të thuash se të bësh është sigurimi i lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit”, tha Rama.

Krahas kësaj, Rama vlerësoi siç tha Bashkimin Evropian, për mundësitë që përmes Planit të Rritjes po i jep Ballkanit Perëndimor.

“Falënderues për presidenten e KE-së, për Varhelyi, për gatishmërinë e tyre për të dëgjuar shqetësimet tona, lidhur me arsyen pse BE-ja duhet të gjejë rrugë të reja për të na ndihmuar në rrugëtimin tonë. Është e qartë se mundësia e re që përfaqëson ky plan është jo vetëm pjesë e përpjekjeve tona prej një dekade për një të ardhme të përbashkët, por na sfidon për të dëshmuar për gatishmërinë tonë për fatin e përbashkët evropian. Mundësitë mund të merren ose të humben, ne duhet të angazhohemi pa asnjë rezervë, hezitim, apo kufizime apo shtrëngime, por që të përfitojmë nga kjo mundësi”, u shpreh Rama.

Komisioneri Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi, ka deklaruar gjatë Samitit mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian që po mbahet në Tiranë të enjten, se plani i rritjes ekonomike synon që të dyfishojë ekonomitë e vendeve të rajonit në 10 vjetët e ardhshme.

Varhelyi apeloi ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor se nëse duan të përfitojnë nga ky plan, do të duhet të aplikojnë dhe të pranojnë rregullat e Bashkimit Evropian.

“Jam vërtet i kënaqur që rikthehem në Tiranë dhe besoj se tashmë Tirana është kthyer në një pikëtakim për të gjithë rajonin dhe për të shtyrë gjithë vendet e rajonit për t’u bërë anëtare të BE. Ne po arrijmë në përfundim të mandatit tonë dhe duam të lëmë diçka të prekshme për të gjithë rajonin. Plani i rritjes është ambicioz, kemi gjysmën e kohës për ta vënë në dispozicion, por kemi besim të plotë se ju do t’i merrni të mirat që parashikohen. Ky plan do të ndihmojë të dyfishojë ekonomitë e vendeve të BE-së në 10 vitet e ardhshme. Dyfishimi ekonomik do të thotë që disa vende që janë më pas do të arrijnë 60% të këtij zhvillimi me mesataren e vendeve të Bashkimit Evropian. Tashmë që të ecim përpara na duhet që rajoni të ecë vërtetë me shpejtësi dhe të arrihen ato reforma që e bëjnë këtë plan funksional dhe ky plan do të funksionojë nëse ju aplikoni dhe pranoni rregullat e Bashkimit Evropian. Dëshira ime e tretë është për partnerët e institucioneve financiare ne kërkojmë që përveç 30 miliardë eurove, ne kërkojmë që të na jepni dhe 6 miliardë që e sjell të gjithë këtë në nivelin e fondeve strukturore”, ka thënë Varhelyi.