Departamenti amerikan i Shtetit, në raportin e tij të fundit për të drejtat e njeriut, vlerëson se në vendet e Ballkanit Perëndimor vijojnë kufizimet e lirisë së shprehjes dhe të medias, si dhe problemet me mosndëshkimin e krimeve të luftës, raporton albinfo.ch.
Kosova
Raporti kritikon mungesën e hapave të qëndrueshëm për identifikimin, hetimin dhe ndëshkimin e zyrtarëve të përfshirë në shkelje të të drejtave të njeriut. Përmendet gjithashtu se Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është përballur me shpifje, kërcënime, sulme dhe presione që kanë çuar shpesh në vetëcensurë.
Shqipëria
Theksohet ndikimi i qeverisë, partive politike dhe grupeve kriminale mbi mediat, ku presioni, korrupsioni dhe autocensura mbeten probleme madhore.
Bosnja dhe Hercegovina
Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, kritikohet për sulme verbale dhe juridike që, sipas raportit, kanë minuar rendin kushtetues dhe kanë shtuar tensionet ndëretnike.
Serbia
Vihen re kufizime serioze të lirisë së shprehjes dhe medias, dhunë ndaj gazetarëve, autocensurë dhe mungesë transparence në pronësinë e mediave.
Mali i Zi
Raporti përmend raste të torturës dhe presione të vazhdueshme ndaj mediave kritike.
Maqedonia e Veriut
Theksohet rreziku nga paditë strategjike (SLAPP), presionet politike dhe sulmet ndaj gazetarëve që hetojnë korrupsionin dhe gjuhën e urrejtjes.
DASH vëren se kritikat ndaj disa vendeve partnere të afërta të administratës Trump janë zbutur, ndërsa janë shtuar referencat për kufizime të fjalës politike edhe në disa aleatë të SHBA-së në Evropë, si Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania.












