Lajme

Reagime të shumta, shkruhet saktë Prishtina në kompanitë e njohura gjermane

Falë reagimit të qytetarëve tanë dhe angazhimit tonë diplomatik, portali i lajmeve t-online dhe kompania ajrore Freebird Airlines kanë korrigjuar pasaktësitë në platformat e tyre.

Tek t-online, Republika e Kosovës tashmë paraqitet në përputhje me kufijtë e saj kushtetues, ndërsa tek Freebird Airlines destinacioni Prishtinë është shënuar saktë, duke zëvendësuar formën e gabuar “Priština” me “Prishtina” ose “Pristina”, njofton ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.

Ky është një shembull tjetër i qartë se reagimi qytetar dhe diplomacia aktive japin rezultate konkrete. Nëse hasni ndonjë institucion apo kompani gjermane ku Republika e Kosovës apo qytetet tona nuk paraqitet në mënyrë korrekte, ju lutemi të na shkruani në [email protected], duke bashkëngjitur dëshmitë përkatëse, në mënyrë që këto pasaktësi të adresohen dhe korrigjohen, shkruan tutje Ajeti në rrjetet sociale.