Kosova

Refuzohet propozimi i mbrojtjes për t’i dëgjuar nëntë dëshmitarë në rastin “Banjska”

Të pandehurit deklarohen të pafajshëm, Prokuroria paralajmëron prova të reja

Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar propozimet e mbrojtjes për dëgjimin e 9 dëshmitarëve të propozuar nga avokatja Jovana Filipoviq, duke vlerësuar se as pretendimet e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) nuk tregojnë se i pandehuri ka pasur rol të drejtpërdrejtë gjatë datave kritike të përshkruara në parashtrimin e mbrojtjes, përcjell albinfo.ch.

Gjykata theksoi se dëshmitarët e propozuar nuk do të ndryshonin vlerësimin mbi fajësinë ose pafajësinë e të pandehurit, i cili sipas aktakuzës akuzohet vetëm për rol ndihmues brenda grupit të akuzuar.

Po ashtu, u refuzuan edhe propozimet e mbrojtjes për nxjerrjen e ekspertizës për krahasimin e uniformave, pasi gjykata vlerësoi se një vlerësim i tillë mund të bëhet direkt nga përmbajtja e fotografive. Në lidhje me pyetjen nëse arma ishte snajper apo pushkë gjuetie, gjykata tha se kjo nuk ka relevancë për të përcaktuar përfshirjen e Dushan Maksimoviq në grupin terrorist.

Kryetari i trupit gjykues, Ngadhënjim Arrni, deklaroi se arsyetimi më i detajuar mbi bazën ligjore dhe arsyeshmërinë e refuzimit të këtyre propozimeve do të përfshihet gjatë përpilimit të aktgjykimit.

Gjithsesi, propozimi i avokates Jovana Filipoviq për dëgjimin e dëshmitarit Millosh Radosajlleviq mbetet i validuar dhe do të mbahet, ashtu siç ishte miratuar paraprakisht nga kjo gjykatë./betimipërdrejtësi

Rasti “Banjska”, sërish dy të akuzuarit nuk deklarohen e njëri thotë se nuk është fajtor

Sot ka nisur vazhdimi i gjykimit në rastin “Banjska” në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas ndryshimit të trupit gjykues.

Rasti që më herët udhëhiqej nga gjyqtari Arben Hoti, tash drejtohet nga gjyqtari Ngadhënjim Arrni si kryetar i trupit gjykues, me anëtarë Rrahman Beqiri dhe Donikë Shala, pas avancimit të Hotit në Gjykatën e Apelit.

Në seancë ishte i pranishëm dëshmitari Millosh Radosajlleviq, i propozuar nga mbrojtja për të dhënë deklarimin e tij. Kryetari Arrni njoftoi se për momentin nuk ka mundësi kohore për të vazhduar me dëshminë, për shkak të ndryshimit të trupit gjykues, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu u konstatua se aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) është lexuar dhe pranuar nga të gjitha palët, pasi mbrojtja dhe prokuroria hoqën dorë nga leximi zyrtar.

Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq thanë se nuk dëshirojnë të deklarohen.

Ndërsa, Dushan Maksimoviq tha se nuk është fajtor për akuzën që ngarkohet.

Avokati  Millosh Deleviq, theksoi se aktakuza duhet të përqendrohet në veprimet konkrete të Vladimir Toliq, jo në Milan Radoiçiqin.

Prokurori Naim Abazi tha se shqyrtimi duhet të fillojë rishtazi dhe provat të lexohen për të vazhduar nga faza e mëparshme. Avokatët e të akuzuarve dhe të pandehurit ranë dakord, duke thënë se kjo shmang vonesa dhe siguron efikasitet të procedurës.

Lidhur me propozimin për dëgjimin e nëntë dëshmitarëve të ri nga ana e mbrojtjes, pas analizimit të shkresave, Prokuroria ka kundërshtuar këtë propozim.

Sipas prokurorisë, propozimi i tillë ka mungesë të relevancës dhe individualizimin konkret të provës që janë propozuar.

Prokuroria konsideron se dëshmitarët e propozuar nuk rezultojnë të tregojnë për atë se çfarë ka ndodhur në Bansjkë.

“Dëshmitarët e propozuar synojnë të ndërtojnë një narrativë të përgjithshme të mbrojtjes apo alibi kolektive a ndonjë vlerë të re provuese dhe që është krejtësisht në kundërshtim me provat materiale  dhe personale që i kemi dorëzuar në këtë shqyrtim gjyqësor”, ka thënë prokurori Abazi.

Avokatja Jovana Filipoviq kërkoi që dëshmitarja Dragana Antonijeviq të ftohet sërish, pasi ka punuar me Maksimoviq dhe mund të japë informacione, por gjykata konstaton se nuk është arritur ta sigurojë prezencën e saj. Deklarata e saj është konsideruar e lexuar për të mos zvarritur procesin, ndërsa gjykata do të bëjë një përpjekje të re në të ardhmen.