Rinia kërkon dy javë “pushime lehonie” për baballarët

Të rinjtë u shprehën për pushimet dyjavore të lindjes për etërit dhe për ndryshimin e karakterit të lëndës së religjionit nëpër shkolla

Në sesionin e 19 federal mbajtur të dielën në sallën e Parlamentit Nacional në Bernë, 200 politikanë të rinj zviceranë kanë rrahur tema të ndryshme nga aktualiteti politik i vendit. Në mesin e kërkesave që kanë formuluar është edhe ajo për “pushimet e lindjes” për etërit e rinj.

Këto pushime do të zgjatnin dy javë dhe do të financoheshin nga sigurimet ekzistuese, njofton “tages Anzeiger”. Kërkesa do të përpilohet në formë të një peticioni që do t`i dorëzohet të dy dhomave të Parlamentit.

Si mysafire në sesionin e të rinjve ishte e pranishme kryesuesja e Qeverisë Federale Doris Leuthard, e cila në përshëndetjen e saj lavdëroi të rinjtë për guximin e tyre që ta thonë të vërtetën edhe kur ajo është e pakëndshme.

Sesioni i të rinjve ka kërkuar po ashtu edhe ndryshimin e mësimit të lëndës së religjionit nëpër shkollat zvicerane. Kjo lëndë duhet të zëvendësohet me një lëndë tjetër, obligative e cila do të trajtonte në mënyrë përgjithësuese rolin shoqëror të religjioneve botërore.