Zhvillim

Rinisë së Kosovës i duhet perspektiva në shtetin e vet

Intervistë me Heini Conrad, Drejtor i organizatës HELVETAS në Kosovë

  • albinfo.ch: Heini Conrad, Landes Direktor von HELVETAS in Kosovo

  • albinfo.ch: Heini Conrad, Landes Direktor von HELVETAS in Kosovo

  • albinfo.ch: Heini Conrad, Landes Direktor von HELVETAS in Kosovo

Që nga viti 2001 organizata Intercooperation është e angazhuar në bashkëpunimin zhvillimor në Kosovë; Më 2012 kjo organizatë u bashkua me organizatën Helvetas dhe që atëherë quhet Helvetas Swiss Intercooperation. Me projektet e saj të ndryshme Helvetas ka për qëllim të përmirësojë kushtet e jetesës së popullsisë së Kosovës. Në këtë intervistë, Heini Conrad, drejtor vendi i Helvetasit, informon lidhur me punën e organizatës së tij në Kosovë.

Albinfo.ch: Z. Conrad, kush është Helvetas dhe cili është roli i saj në Kosovë?

Heini Conrad: Helvetas Swiss Intercooperation është sot organizata më e madhe zvicerane jo-qeveritare që është e angazhuar në bashkëpunimin për zhvillim. Helvetas operon në mbi 30 vende; Gjithsej punojnë rreth 1.200 punëtorë në mbarë botën, në projekte të ndryshme; në Zvicër janë rreth 120 njerëz të punësuar. Në Kosovë, ne jemi 30 të punësuar, në tre programe; 28 prej të punësuarve tanë janë vendas, vetëm dy, duke përfshirë veten time, janë të huaj. Ne udhëheqim kryesisht programe për bashkëpunimin zhvillimor zviceran të Drejtorisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (DEZA). Kosova bën pjesë ndër pesë programet më të mëdha të vendit që i ka Helvetasi; aktualisht buxheti vjetor arrin shumën prej rreth 6 milionë frangash.

Albinfo.ch: Në Albinfo gjatë vitit 2014 janë botuar disa artikuj mbi aktivitetet e programeve të Helvetasit në Kosovë, ku janë pikat fokale të të gjithë programit tuaj?

Heini Conrad:Tani kemi këto programe: që nga 2013 EYE (Rritja e Punësimit të të Rinjve) dhe S4RE ​​(Aftësitë për Punësim Rural – APR); pastaj që nga qershori i vitit 2014 kemi programin DEMOS (Decentralizimi dhe Përkrahje Komunale). Fokusi i punës sonë në Kosovë konsiston me mbështetjen e zhvillimit ekonomik, duke u fokusuar në krijimin e vendeve të punës për të rinjtë. Këto përfshijnë aktivitetet e EYE-s dhe S4RE, ku një rol të rëndësishëm e luan edhe arsimimi më i mirë. Pastaj, qeveria lokale, ku ne përmes programit DEMOS mbështesim komunat në punën e tyre.

Gjatë viteve, kompetencat tona janë zgjeruar. Kemi filluar me një projekt afatgjatë në bujqësi, një projekt për kultivimin e perimeve dhe frutave si dhe promovimin e Hortikulturës në Kosovë, që u zhvillua prej vitit 2001-2012, dhe më vonë erdhi LOGOS-i (nga 2006), në mbështetje të administrimit lokal. Bazuar në këtë, ne kemi arritur të marrim projekte të reja, kryesisht nga DEZA, por edhe projekte të vetëfinancuara, së bashku me sponsorë tjerë, si: USAID dhe Fondacioni Medicor.

Albinfo.ch: Në cilat fusha punon DEMOS?

Heini Conrad:Në thelb, ky program është për ofrimin e shërbimeve më të mira për banorët e komunave. DEMOS bashkëpunon me 17 komuna, që do të thotë pothuajse me gjysmën e komunave në Kosovë. Projekti fokusohet në tri fusha të shërbimeve komunale: menaxhimin e mbeturinave; sheshet publike; dhe mobiliteti lokal (transporti publik, transporti i makinave, parkingjet, etj.

Aktivë në 17 komuna

Albinfo.ch: A bashkëpunoni me organizata qeveritare?

Heini Conrad:Suksesi i programeve tona varet, ndër të tjera, nga bashkëpunimi i mirë me disa ministri. Ministria e Punës është një partner i programit EYE (Rritja e Punësimit të të Rinjve); DEMOS bashkëpunon me Ministrinë e Administrimit Lokal. Për çështje të arsimit është përgjegjëse Ministria e Arsimit; meqë komunat varen nga Ministria e Financave për planifikimin dhe flukset financiare, atëherë DEMOS këshillon komunat në këto çështje.

Albinfo.ch: Cili është qëllimi i mbështetjes së Helvetasit në Kosovë?

Heini Conrad:Ne jemi duke u përpjekur për të kuptuar se kush janë partnerët e vërtetë, të cilët edhe në të ardhmen do t’i kryejnë këto detyra. Në zhvillimin ekonomik, kjo mund t’i rrisë shanset e zhvillimit që kompanitë të jenë të suksesshme dhe të rriten, në mënyrë që të krijohen më shumë vende pune dhe më shumë të ardhura. Qëllimi është për më shumë prosperitet, për më shumë njerëz në Kosovë.

Albinfo.ch: A do të thotë se kjo do të realizohet nëpërmjet këtyre katër projekteve (programeve)?

Heini Conrad:Suksesi i punës sonë varet nga dy faktorë kryesorë; së pari janë partnerët; në ç’masë janë ata të gatshëm për të përmirësuar iniciativën vetjake dhe a kanë një kornizë pune. Këtu përfshihen mjetet, të cilat sigurohen përmes programeve tona nga DEZA, por edhe nga vetëkontributi vetjak, pra për investimet e nevojshme nga vetë partneri; pa vetiniciativë nuk shkon. Këto janë elemente që ne po përpiqemi t’i sjellim. Për të pasur këtë sukses, ne duhet gjithashtu të jemi të aftë për të kapërcyer dallimet kulturore; Pra, të kuptojnë se ku jemi ne, çfarë është e mundur këtu dhe çfarë nuk është e mundur.

Albinfo.ch: Aktualisht, ju jeni aktiv në dy rajone, në Malet e Sharrit dhe në pjesën lindore të Kosovës, përkatësisht në Kamenicë dhe Novobërdë, a është kështu?

Heini Conrad:Kjo është e saktë për S4RE (Aftësitë për Punësim Rural), porse Helvetas bashkëpunon me projektin EYE në gjithë territorin e Kosovës. Momentalisht jemi pak a shumë të fokusuar në kompanitë e Prishtinës; por po ashtu ne punojmë, ta zëmë, me rrjetin zinxhiror të supermarketëve të mëdhenj: Viva fresh dhe Meridian, dhe ato janë të shpërndara në të gjithë vendin.

DEMOS mbështet 17 komuna, që janë pothuajse gjysma e komunave të Kosovës; në njërën anë, në Juglindje, pra në rrethin e Vitisë, Gjilanit, Kamenicës etj., dhe rishtazi tani edhe në Prishtinë, si dhe në komunat Rahovec, Gjakovë, Junik dhe Pejë. Janë kryesisht komuna që tregojnë interes në risi dhe përmirësime, dhe që punojnë mirë. Ato vlerësohen nga Ministria e Pushtetit Lokal me kritere të ndryshme. Ne i pranojmë këto kritere dhe më pas ndërmarrim edhe hetime shtesë.

  • 440 të rinj të punësuar

Albinfo.ch: Me çfarë projekte keni pasur më shumë sukses deri më tani?

Heini Conrad:Kjo është fare e qartë, ato janë S4RE (APR) ​​dhe EYE që veprojnë tash e dy vjet; DEMOS është ende në fillimet e tij, dhe është ende shumë herët për të folur për suksesin. APR ka arritur që në zonat e thella rurale t’u mundësojë të rinjve perspektiva të reja dhe t’u sjellë atyre të ardhura; Në vitet e fundit janë punësuar 440 të rinj.

Ne jemi gjithashtu shumë të kënaqur me EYE (Rritja Punësimit të të Rinjve). Tani e dimë më mirë se çka funksionon dhe ne e shohim se ka dy lloje të kompanive, ku dhe kemi sukseset fillestare. Nga njëra anë me kompani të mëdha siç është kompania “Rugove” e cila prodhon ujë dhe djathë. Ajo, falë mbështetjes tonë, ka zhvilluar një strategji të re dhe punon me sukses. Kompania po rritet dhe mund të sigurojë më shumë vende pune. Pastaj ka kompani të reja që ofrojnë shërbime në Zvicër dhe Gjermani, në hulumtimin e tregut dhe të marketingut, që përmes të punësuarve në Kosovë, pra duke i shfrytëzuar aftësitë profesionale të të rinjve si dhe pagat e lira, ofrojnë edhe punë në Kosovë. Këto kompani si “Baruti”, ” Mik Agency ” për një kohë të shkurtër janë rritur dhe tashmë kanë mbi njëqind vende të reja pune.

Albinfo.ch: A jeni të angazhuar edhe në ndërmjetësimin e punësimit mes Kosovës dhe shteteve të tjera?

Heini Conrad:Jo, gjer më tani nuk kemi bërë ndërmjetësim të drejtpërdrejtë mes Kosovës dhe shteteve të tjera. Sidoqoftë, ne jemi të interesuar për mundësitë që eventualisht ofrohen atje, por para së gjithash, ne duam që vende të reja pune të krijojhen këtu në vend. Prandaj, shembujt e kompanive të sipërpërmendura që punojnë në Kosovë janë kaq interesante.

Nuk ka bashkëpunim me komunat e korruptuara

Conrad: Ne nuk punojnë me ato komuna ku ka korrupsion ose nëse kryetari i komunës apo përfaqësues të tjerë komunalë janë të përfshirë në një hetim ose janë nën dyshimin për korrupsion. Në anën tjetër, mbështetje marrin komunat që punojnë mirë dhe që propozojnë projekte. Pra ne nuk shkojmë atje dhe t’u themi se komuna juaj ka nevojë për një autobus. Nëse ata e planifikojnë atë, atëherë realizimi i atij projekti mund të mbështetet nga DEMOS-i. Mirëpo, në qoftë se nuk vjen një kërkesë e tillë, atëherë nuk ka as projekt.

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI