Futboll

Ronaldo rikthehet tek Manchester United

Cristiano Ronaldo po kthehet te skuadra e Manchester Unitedit. Klubi nga Premier League bëri të ditur të premten se ka arritur marrëveshje për transferimin e sulmuesit 36-vjeçar nga Portugalia, në varësi të kushteve personale, vizës dhe një ekzaminimi mjekësor. Ronaldo, që ishte pjesë e Juventusit prej vitit 2019, u tha të enjten drejtuesve të klubit nga Serie A se nuk donte të luante më për ta, dhe këtë e konfirmoi trajneri Massimiliano Allegri të premten.

Unitedi nuk zbuloi detajet e marrëveshjes për Ronaldon, por raportohet se do të paguajë 25 milionë euro, plus tre të tjerë në formë bonusesh. Ndërkohë, ylli portugez që kishte kontratë me Juventusin deri në vitin e ardhshëm, me Unitedin do të firmosë për dy vjet. Ronaldo luajti për Unitedin nga viti 2003 deri në vitin 2009 dhe u shndërrua në një super yll nën drejtimin e trajnerit të atëhershëm të ekipit anglez, sir Alex Fergusonit.

“Të gjithë në klub mezi presin të mirëpresin Cristianon në Manchester”, tha Unitedi në një deklaratë të shkurtër, duke i dhënë fund një dite zhvillimesh të shpejta. “Cristiano, një fitues pesë herë i Topit të Artë, deri më tani ka fituar mbi 30 trofe të mëdhenj gjatë karrierës së tij, duke përfshirë pesë tituj të Ligës së Kampionëve, katër kupa botërore të klubeve, shtatë tituj të ligave në Angli, Spanjë e Itali dhe Kampionatin Evropian për Portugalinë. Herën e parë për Manchester Unitedin ai shënoi 118 gola në 292 ndeshje.

Është kjo një prej lëvizjeve të fundit të mëdha gjatë këtij afati kalimtar të verës që mbyllet më 31 gusht, me Lionel Messin – rivalin e vjetër të Ronaldos – që iu bashkua Paris Saint-Germainit pasi i skadoi kontrata me skuadrën Barcelonën. Sulmuesi i PSG -së, Kylian Mbappe është gjithashtu subjekt i një oferte prej rreth 160 milionë eurosh nga Real Madridi dhe pritet që gjatë këtyre ditëve të zyrtarizohet edhe transferimi i tij. Disa orë para se Unitedi të konfirmonte kthimin e Ronaldos në klubin ku ai shënoi 118 gola në 292 ndeshje, trajneri aktual Ole Gunnar Solskjaer tha se Ronaldo “e di që ne jemi këtu” nëse dëshiron të bashkohet.

“Ai është lojtari më i madh i të gjitha kohërave, nëse më pyesni mua”, tha Solskjaer, një ish-sulmues i United që luajti përkrah Ronaldos. “Një qenie kaq e madhe njerëzore gjithashtu. Të gjithë ata që kanë luajtur me të, mendoj se kanë një pikë të dobët për të”.

Ronaldo do të largohet nga Juventusi pas tre vjetësh. Ai te Juventusi u transferua nga Real Madridi për 100 milionë euro.

“Cristiano më tha se nuk ka më në plan të luajë për Juventusin”, tha Allegri në një konferencë shtypi. “Cristiano dha kontributin e tij. Ai e vuri veten në dispozicion, tani ai largohet dhe jeta vazhdon”.

Manchester City po shqyrtonte mundësinë e transferimit të Ronaldos gjatë ditëve të fundit, pasi objektivi i tij kryesor, Harry Kane, tha të mërkurën se ai do të qëndronte te skuadra e Tottenhamit tani për tani. Por, trajneri i kampionit të fuqi të Anglisë, Cityt, Pep Guardiola dukej pesimist për mundësinë e transferimit të Ronaldos kur foli në një konferencë shtypi në të njëjtën kohë me Solskjaerin. Nuk është hera e parë që Unitedi e ka mposhtur Cityn për një lojtar që e donin të dy klubet. Alexis Sanchezi iu bashkua Unitedit në vitin 2018, pasi dukej se ishte pranë transferimit në City, ndërsa Unitedi ishte i gatshëm të paguante 80 milionë funte për të nënshkruar me Harry Maguiren nga Leicesteri në 2019 – një shumë që City nuk u përpoq të përballonte. Unitedi, i cili nuk ka fituar titullin e kampionit në Premier League që nga viti 2013, gjithashtu ka transferuar gjatë kësaj vere edhe dy futbollistë të tjerë të rëndësishëm. Mesfushorin Jadon Sancho nga skuadra e Borussia Dortmundit dhe qendërmbrojtësin Raphael Varane nga Real Madridi për një kosto të kombinuar prej rreth 150 milionë eurosh.

“Sot largohem nga një klub i mahnitshëm, më i madhi në Itali dhe sigurisht një nga më të mëdhenjtë në të gjithë Evropën. Kam dhënë zemrën dhe shpirtin tim për Juventusin dhe gjithmonë do ta dua qytetin e Torinos deri në ditët e mia të fundit. Në fund, të gjithë mund të shikojmë prapa dhe të kuptojmë se kemi arritur gjëra të mëdha, jo gjithçka që kemi dashur, por megjithatë, kemi shkruar një histori mjaft të bukur së bashku”, tha Ronaldo në një postim në rrjetet sociale pak pasi u zyrtarizua te Manchester Unitedi. “Unë gjithmonë do të jem njëri prej jush. Tani jeni pjesë e historisë sime, pasi unë mendoj se jam pjesë e juaja”.