Kosova

Rrahje mes profesorëve të fakultetit të arteve

Profesori në Fakultetin e Arteve, Alban Nimani, po pretendon se gjatë ditës është sulmuar fizikisht nga kolegu i tij, Mehmet Behluli.

Të dy profesorët janë intervistuar nga Policia e Kosovës, ndërsa me procedurë të rregullt janë liruar, ndërsa të dy profesorët pretendojnë se janë goditur.

Ngjarja, sipas Nimanit, ka ndodhur në zyrën e prodekanit të Fakultetit të Arteve në Prishtinë, Basri Mekolli, raporton KTV, përcjell albinfo.ch.

Zëdhënësja rajonale e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, e ka konfirmuar rastin. Personat e përfshirë në këtë rast, sipas Ahmetit janë intervistuar dhe me procedurë të rregullt janë liruar.

Postimi i plotë i Alban Nimanit

Te dashur miq,

Dua të ju informoj se sot, në zyrën e prodekanit të Fakultetit të Arteve, jam sulmuar fizikisht nga një profesor me marrëdhënie të rregullt pune që quhet prof. asoc. Mehmet Behluli. Falë zotit që jam megjithatë person gjakftohte.

Ky është niveli më i ulët në të cilin mund të bie një institucion publik i edukimit, e aq më tepër një Fakultet i Arteve.

Ky institucion ka rënë nën çdo nivel etik, prandaj kjo letër është dorëheqja ime e parevokueshme nga Universiteti i Prishtinës – Fakulteti i Arteve.

Mendoj se Universiteti publik i Prishtinës “Hasan Prishtina” është pjesë shumë e rëndësishme e ekosistemit shtetëror të Kosovës dhe me dhimbje te madhe mendoj se këtë ekosistem e kemi ç’kër…, prandaj shpresoj se profesorët do t’i harrojnë interesat personale dhe të mendojnë dhe punojnë për fëmijët dhe te ardhmen e këtij vendi.