Shëndetësi
Rrëfehet gruaja shqiptare që mposhti kancerin
“Kisha dyshime se nuk do e përballoja dot sëmundjen por ja që e përballova”, thotë ajo
Betejat më të vështira në jetë ndonjëherë kthehen në fitore, që i japin jetës një rrjedhë krejt tjetër.
- Hoxha është nga Selita e Elbasanit, e ishte vetëm 34 vjeçe kur zbuloi se vuante nga sëmundja e kancerit të gjirit. Ajo kuptoi se diçka nuk shkonte me trupin e saj, në një ditë krejt të zakonshme dhe të rastësishme. Që nga ai moment, gruaja vendosi të shkonte për një konsultë të thjeshtë me mjeken e familjes, nga ku nisi edhe rrugëtimi i saj i vështirë, por kurajoz për të përballuar sëmundjen.
Në një rrëfim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, gruaja e dianostikuar me kancer tregon se në momentet e para ndjeu dyshime brenda saj, nëse do t’ia dilte apo jo mbanë me sëmundjen.
“Problemin e zbulova para një viti, nuk kisha mbushur 34 vjeçe. Nuk kisha asnjë lloj shqetësimi fare. Problemin e zbulova gjatë larjes në dush, pashë që tek gjoksi kisha një kokërr. Gjatë kësaj kohe bëra vizitë tek doktoresha dhe më tha që duhet të bësh disa analiza e disa eko. Erdha këtu në Tiranë, bëra disa analiza, bëra disa eko dhe një mamografi. Më morën dhe një pjesë materiali për të kontrolluar nëse ishte gjë e keqe apo jo. Pastaj hoqa një pjesë të gjoksit, mora disa kura dhe pasi doli biopsia bëra edhe një ndërhyrje tjetër që e hoqa gjoksin komplet. Brenda muajit unë kam bërë dy operacione. Pasi hoqa gjoksin, pas tre javësh fillova kimioterapinë, bëra 8 seanca. Pra, një në tre javë, i ndoqa këtu në Tiranë”, thotë N. Hoxha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
E pyetur se cili ishte mendimi i parë pasi ajo mori vesh se kishte diçka të keqe në trupin e saj, gruaja tha se nuk mendoi, por i dha kurajo vetes për ta përballuar sëmundjen.
“Kisha dyshime se nuk do e përballoja dot sëmundjen por ja që e përballova”, thotë ajo, përcjell albinfo.ch.
Ajo tregon se mbështetja e familjarëve, bashkëshortit, të të afërmve ka qenë inkurajuese dhe i ka dhënë më shumë forcë në betejën e saj me sëmundjen.
Nga ana e saj, psikologia pranë Spitalit Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare, Irsida Lalaj që ka ndjekur edhe rastin në fjalë, shpjegon se kjo grua bën pjesë tek pacientet e forta që e kanë përballuar sëmundjen me shumë kurajo.
“Në rastin e pacientes në fjalë, ajo është një paciente e fortë e guximtare dhe nuk është nga ato paciente që dorëzohet lehtë dhe e ka përballuar me sukses. Mbështetja morale është pikë kyçe për një grua që vuan nga sëmundja e kancerit”, thotë Lalaj.
Pas këtij rrëfimi, gruaja e diagnostikuar me kancer gjiri nuk mund të mos japë një mesazh për të gjitha gratë.
“Unë i bëj apel të gjitha grave që të bëjnë eko, të bëjnë mamografi dhe ta mposhtin sëmundjen. Të mos lejojnë të mposhten. Unë u them që të bëheni të forta”.
Të ngjashme
Të tjera nga Shëndetësi
E-Diaspora
-
Revista e manifestimit “Kurora e Lirisë”, një publikim që sjell standard të ri Kjo revistë përfaqëson një ndër botimet e para të këtij niveli, e cila sjell një format... -
Gjermani
Blendi Krasniqi zgjidhet në parlamentin e qytetit të Nidda-s -
Francë
Ambasadat e Francës dhe Kosovës urojnë aktoren Luana Bajrami për suksesin në Oscar -
Ylli shqiptar i CS2, Drin “Makazze” Shaqiri kampion i ESL Pro League -
Gjermani
Kompanitë e verës nga Kosova prezantohen në panairin ndërkombëtar “ProWein” në Gjermani
Jeta në Zvicër
-
Një në gjashtë zviceranë ka konflikte me fqinjët Zhurma mbetet shkaku kryesor i mosmarrëveshjeve, ndërsa problemet me hapësirat e përbashkëta dhe duhanin renditen menjëherë... -
Kjo kompani ajrore në Zvicër ofron deri në 15 mijë euro për largim vullnetar -
Jura regjistron ulje të aksidenteve dhe zero viktima në rrugë për vitin 2025 -
Kantoni Schaffhausen po shqyrton heqjen e mësimit të dy gjuhëve të huaja në shkollën fillore -
Çiftet në Zvicër mund të përdorin përsëri mbiemër të dyfishtë













