Lajme
Vaksina mRNA kundër kancerit agresiv të gjirit jep shenja pozitive në studim të hershëm
Një vaksinë terapeutike e bazuar në teknologjinë mRNA, që po testohet kundër formës më agresive të kancerit të gjirit – kancerit trefish negativ – ka treguar rezultate premtuese. Megjithatë, studimi mbetet ende në fazë fillestare dhe nuk përbën provë përfundimtare të efikasitetit, thekson onkologu Nicolas Mach nga Spitalet Universitare të Gjenevës (HUG).
Vaksinat me ARN mesazhere, të njohura gjerësisht për përdorimin e tyre gjatë pandemisë së Covid-19, po zhvillohen tashmë edhe me qëllim terapeutik. Qëllimi i tyre është të trajnojnë sistemin imunitar që të njohë dhe të kontrollojë qelizat tumorale.
Në një intervistë për radion “Forum”, Nicolas Mach, mjek kryesor dhe drejtues i Qendrës së Kancerit në HUG, shpjegoi se ARN-ja mesazhere mund të përmbajë “ose një proteinë të jashtme, si në rastin e Covid-it, ose një proteinë që vjen nga vetë qelizat tumorale të pacientit”. Ideja është të nxitet një përgjigje e synuar imunitare kundër tumorit.
Pacientë në gjendje të favorshme
Studimi i zhvilluar nga kompania BioNTech përfshiu 14 gra të diagnostikuara me kancer trefish negativ të gjirit, një formë veçanërisht agresive dhe e vështirë për t’u trajtuar.
Megjithatë, sipas Mach, rezultatet duhet të interpretohen me kujdes. Pacientet e përfshira në studim nuk kishin më sëmundje aktive: ato kishin kaluar ndërhyrje kirurgjikale, si dhe trajtime me kimioterapi dhe radioterapi, dhe nuk kishin pësuar rikthim të sëmundjes gjatë vitit pasues.
“Studiuesit janë vendosur në një situatë relativisht të favorshme,” thekson ai.
Sipas tij, këto rezultate përbëjnë “një lajm të mirë”, por vaksina ende nuk mund të konsiderohet si pjesë e trajtimeve standarde në spitale apo klinika.
Gara për kërkime të reja
Mach flet për një “garë” globale në zhvillimin e trajtimeve të reja kundër kancerit, ku laboratorë të ndryshëm ndjekin strategji të ndryshme.
“Ne nuk luajmë në të njëjtën ligë,” shprehet ai, duke theksuar se kompani si BioNTech dhe Moderna po përpiqen të vërtetojnë efikasitetin e produkteve të tyre në kombinim me trajtime të tjera dhe në faza relativisht të hershme të sëmundjes.
Në të kundërt, ekipi i tij përqendrohet në zhvillimin e një vaksine që mund të përdoret e vetme tek pacientët me sëmundje të avancuar, për t’u kombinuar më pas me terapi të tjera.
Ai shton se kërkimi nuk pengohet nga mungesa e financimit. Sfida kryesore mbetet shkencore: të kuptohen më mirë mekanizmat e kancerit, arsyet pse disa tumore i shmangen trajtimeve ekzistuese dhe pse disa pacientë arrijnë të riaktivizojnë sistemin e tyre imunitar, ndërsa të tjerët jo.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Austri
Mes dy kulturave, një sukses, historia e Algjerina Ruhanit Dy diploma universitare në fushën e menaxhimit të proceseve, analizës së të dhënave dhe supply chain,... -
Moda Ademi shkëlqen në skenën e “Jaboro Nights” në Biel -
Mërgata kosovare në Zvicër voton më 6 qershor në ambasadë dhe konsullata -
10 kompani nga Kosova prezantohen në panairin “She Leads 2026” në Cyrih -
Katy Perry konfirmohet për “Sunny Hill Festival”, ylli botëror vjen në Prishtinë
Jeta në Zvicër
-
Raporti Botëror i Pasurisë: Shtohen dy milionë milionerë të rinj brenda një viti Tregjet e aksioneve në rritje të hovshme kanë zgjeruar ndjeshëm “klubin” e milionerëve të dollarit në... -
Zvicër: Parlamenti kërkon kontroll të rreptë të kufijve, por nuk ka para për ta realizuar -
Zvicra mobilizon 4,000 ushtarë për sigurinë e Samitit G7 në Evian -
Përdorimi i kokainës vazhdon të rritet në Zvicër -
Mërgata kosovare në Zvicër voton më 6 qershor në ambasadë dhe konsullata













