Kosova

Rreth 143 mijë aplikime nga diaspora

Përfundoi regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës, votimi nis më 25 maj

Të dielën në mesnatë është përmbyllur periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për të votuar në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Brenda 12 ditëve, KQZ ka pranuar 142,803 aplikime, pjesa më e madhe e të cilave janë aprovuar dhe votuesit e regjistruar do të duhet të presin afatet për të votuar, varësisht mënyrës së votimit që kanë përzgjedhur gjatë regjistrimit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar për përfundimin e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës dhe të dhënat preliminare nga ky proces, transmeton albinfo.ch.

“Në bazë të të dhënave preliminare, nga fillimi i këtij procesi, më 6 maj dhe deri në përfundim të tij, më 17 maj 2026, përmes platformës elektronike janë pranuar 142,803 kërkesa për regjistrim, prej të cilave deri më tani janë aprovuar 109,696, ndërsa 7,325 të tjera janë refuzuar dhe 25,702 janë në pritje për shqyrtim”, tha Elezi.

Sipas Elezit, mënyra më e përzgjedhur për të votuar, është votimi përmes postës.

“Nga 109,696 aplikime të aprovuara, 81,901 shtetas janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës, 2,855të tjerë për të dërguan pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë dhe 24,940 janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike”, tregoi Elezi.

Kur do të votohet?

Sipas Zëdhënësit të KQZ-së, votimi jashtë vendit zhvillohet më herët.

“Së pari, planifikohet që votimi përmes postës të fillojë më 25 maj dhe të përfundojë më 6 qershor, ndërkaq, votimi në përfaqësi diplomatike organizohet më 6 qershor”, tha Elezi.

Votimi me postë dhe votimi në përfaqësi diplomatike

Më tej, Elezi ka shpjeguar se “për votimin me postë, janë funksionalizuar kutitë postare, ndërsa për votimin fizik në përfaqësi diplomatike KQZ do të saktësojë numrin e ambasadave dhe konsullatave në të cilat do të organizohet votimi.

“Për votimin me postë, janë funksionalizuar kutitë postare në 23 shtete të ndryshme të botës, përfshirë Kosovën, dhe adresat e tyre do të bëhen publike gjatë kësaj jave. Kurse, për votimin fizik në përfaqësi diplomatike, KQZ do të saktësojë numrin e ambasadave dhe konsullatave në të cilat do të organizohet ky lloj votimi. Sipas vendimit fillestar, procesi i votimit planifikohej të organizohet në 48 përfaqësi diplomatike me gjithsej 70 vendvotime, prej të cilave 33 ambasada dhe 15 konsullata. Megjithatë, pasi në periudhën e regjistrimit ka një numër përfaqësish që kanë më pak se 50 votues të regjistruar, KQZ do ta rishikojë listën e përfaqësive diplomatike në të cilat do të organizohet votimi më 6 qershor”, njoftoi Elezi.