Kosova

Sa pensionistë përfitojnë nga rritja e pensioneve

Ministri i Financave të Kosovës, Bedri Hamza bëri të ditur se rritja do të jepet në mënyrë retroaktive prej periudhës 1 janar 2019

Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim që të rriten pensionet.  Me këtë vendim pensionet bazike janë rritur për 20 për qind, ato kontributdhënëse për 15 për qind dhe pensionet e punëtorëve të ndërmarrjes Trepça për 20 për qind.

Ministri i Financave të Kosovës, Bedri Hamza bëri të ditur se rritja do të jepet në mënyrë retroaktive prej periudhës 1 janar 2019.

Në Republikën e Kosovës, janë gati 204 mijë persona apo rreth 7 për qind nga numri i përgjithshëm i popullsisë që marrin pensionet bazike të moshës, pensionet kontribut paguese, mandej pensionin invalidor, shkruan ‘Monitor’.

Hulumtimet e bëra nga institucione të ndryshme lidhur me gjendjen socio-ekonomike të qytetarëve, tregojnë se kategoritë e pensionistëve janë ato që përballen me shkallë të lartë të varfërisë, përcjell albinfo.ch.

Sylejman Meta, kryetari i Sindikatës së Pensionistëve kë treguar se gjithë kategoritë e pensionistëve nuk janë në gjendje të mirë.

“Në emër të sindikatës mund të them se pensionistët që nga mbarimi i luftës janë në gjendjen më të keqe dhe më të mjerueshme se sa gjithë kategoritë e tjera. Fakti që mesatarja e pensioneve prej mbarimit të luftës deri në këto vite del te jetë 77 euro, flet për gjendjen e pensionistëve”, ka thënë Meta për Monitor.al.

Ai ka thënë se edhe rritja e fundit nuk është e kënaqshme. “Edhe kjo nuk është e mjaftueshme, por nuk do ta kundërshtojmë. Ne kemi kërkuar që të ndryshohet skema pensionale dhe ligji aktual i skemave pensionale të tërhiqet”.

Bazuar në të dhënat e institucioneve shihet se në Republikën e Kosovës janë gati 204 mijë persona apo rreth 7 për qind nga numri i përgjithshëm i popullsisë, që marrin pensionet bazike të moshës, pensionet kontribut paguese, mandej pensionin invalidor.

Sipas këtyre të dhënave 126 mijë e 888 janë shfrytëzues të pensionit të pleqërisë, e që marrin nga 75 euro në muaj. Ndërsa 45 mijë e 391 persona janë pensionist kontribut-pagues, e që ndahen në katër kategori, të cilët marrin nga 158 deri në 230 euro në muaj në bazë të përgatitjes shkollore.

Në kategoritë e pensionistëve janë edhe të verbrit, gjithsej 2 mijë persona, të cilët ndahen në dy kategori dhe ata paguhen nga 125 euro deri në 250 euro.

Po ashtu nga buxheti i shtetit paguhen edhe 29 mijë e 86 pensionistë të kategorisë familjare, ata që janë përfitues të pensionit invalidor.

Nga buxheti bëhet edhe kompensimi i personave paraplegjik dhe tetraplegjik dhe pensionet për këto kategori sillen 75 euro deri në 150 euro.

Kujtojmë se prej kur kanë nisur të jepen pensionet, fillimisht shuma ka qenë 45 euro në muaj për personat mbi 65 vjeç, kurse ata që kanë paguar kontributet kanë marrë 85 euro në muaj. Më pas janë rritur në 60, respektivisht 112 euro.

Ndërsa në vitin 2016 është bërë kategorizimi i pensionistëve në bazë të përvojës së punës, nivelit arsimor dhe karakteristikat tjera, me çka edhe shuma e pensioneve ka ndryshuar në bazë të kategorisë.

Buxheti i Kosovës për vitin 2019, sipas projektimit aktual është 2.3 miliardë euro dhe me këto para paguhen edhe të gjithë pensionistët e vendit.