Shqipëria

Samiti i NATO-s në Madrid, merr pjesë edhe Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndodhet për një vizitë zyrtare në Spanjë, ku do të marrë pjesë në punimet e Samitit të NATO-s që do të zhvillohet ditën e mërkurë dhe të enjten në Madrid, përcjell albinfo.ch.

Rama dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama, ishin të ftuar dje në darkën mbretërore gala, organizuar nga Madhëria e Tij, Mbreti Felipe VI i Spanjës dhe Mbretëresha Letizia në Pallatin Mbretëror të Madridit, ku morën pjesë kryetarët e qeverive dhe të shteteve anëtare të NATO-s.

Ditën e mërkurë, Rama, së bashku me pjesëmarrësit e tjerë në Samit do të mirëpriten nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. Jens Stoltenberg dhe Presidenti i qeverisë së Mbretërisë së Spanjës, Pedro Sanchez.

Në vijim, Rama do të ndjekë seancën plenare të Samitit, ku të pranishëm do të jenë edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka dhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

Fjala e hapjes së Samitit do të mbahet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ndërsa Presidenti i qeverisë së Mbretërisë së Spanjës, Pedro Sanchez, do të mbajë një fjalë përshëndetëse.

Samitin do t’i adresohet online edhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Pas përfundimit të seancës plenare, kryetarët e shteteve dhe të qeverive, pjesëmarrës në Samit, do të vizitojnë ekspozitën e teknologjisë së NATO-s.

Pasditen e së mërkurës, Rama dhe bashkëshortja e tij Linda Rama do të vizitojnë Muzeun Kombëtar Prado, në Madrid, e më pas kryeministri Rama do të marrë pjesë në darkën e shtruar nga Presidenti i qeverisë së Mbretërisë së Spanjës Pedro Sanchez.

Samiti i NATO-s do të vijojë punimet të enjten, në ditën e dytë të tij, ku Rama do të marrë pjesë, së bashku me ministrat Xhaçka dhe Peleshi.

Në këtë seancë, Samitit do t’i drejtohet edhe Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s Gerald Connolly.

Në ditën e dytë të punimeve të Samitit, kryeministri Rama do të zhvillojë një takim bilateral me kryeministren e Suedisë Magdalena Andersson.

Në përfundim, Rama do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes me Enagás, e cila është një kompani spanjolle energjetike dhe operator evropian i sistemit të transmetimit, i cili zotëron dhe operon rrjetin e gazit të Spanjës.