Kosova

Shaqiri ka të hyra të pabesueshme nga Chicago Fire

Ylli shqiptar, Xherdan Shaqiri, ende po vazhdon të jetë lart në listë për pagën më të madhe dhe po ashtu të paguhet shumë mirë nga Chicago Fire, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se pagat e futbollistëve në SHBA vazhdojnë të rriten. Sidomos në klubin e David Beckhamit, Inter Miami. Ky klub për paga i ndan 42 milionë dollarë në vit. Gati gjysma e tyre ndahet për argjentinasin Messi (20,4 milionë dollarë).

Me Sergio Busquetsin, një tjetër lojtar i Miamit, është në top-treshe.

Për dikë mund të jetë befasi, por Xherdan Shaqiri është menjëherë në vendin e katërt me të hyra financiare në vit prej 8,2 milionë dollarësh. Shuma përbëhet nga paga bazë prej 7,4 milionë dollarësh dhe kompensimi i garantuar prej 800 mijë dollarësh në vit.

Por Shaqiri e meriton këtë shumë parash, ashtu siç thotë portieri zviceran, Roman Buerki.

“Shaqiri është i vlefshëm për këto para, pasi klubi ia ofroi ato. Unë do të firmosja po ashtu nëse do të më ofroheshin. Mendoj se nuk ka thënë se do të vijë vetëm nëse i fitoi 7 milionë në vit. Secili do ta bënte këtë”, ka thënë Buerki për mediat zvicerane.

Në SHBA pagat e lojtarëve janë publike. Dhe, krahasime të ndryshme bëhen vazhdimisht.

Për shembull, Messi ka pagë më të madhe se pagat e përgjithshme të 25 prej 29 klubeve në MLS.  Të hyrat e tij janë për 19,8 milionë dollarë më shumë se mesatarja e ligës.

Messi ka pagë bazë prej 12 milionë dollarësh, por Inter Miami  do t’ia paguajë 20,4 milionë dollarë gjatë edicionit të vitit 2024, duke përfshirë kompensimin e garantuar.

Messi ka të hyra të tjera nga partnerët si Apple e Adidas.

Argjentinasi merr 5 milionë më tepër se lojtari i dytë më i paguar, Lorenzo Insigne i Torontos. 15,4 milionë dollarë i merr Insigne gjatë vitit 2024, ndërsa Busquets është i treti me 8,8 milionë dollarë.

Pas Shaqirit janë Sebastian Driussi (6,7 milionë), Federico Bernardeschi (6,3 milionë), Emil Forsberg (6 milionë), Hector Herrera (5,2 milionë), Hany Mukhtar (5,2 milionë), Carles Gil (4,5 milionë).

Inter Miami për paga i ndan 41,7 milionë dollarë. Pason Toronto FC me 31,4 milionë dollarë, Chicago Fire me 25,1 milionë dollarë, Nashville me 21,4 milionë dhe Cincinnati me 18,7 milionë.