Lajme
Shefja e FMN-së: Sistemi financiar, të bëhet më gjithëpërfshirës
Hendeku midis të pasurve dhe të varfërve po rritet, brenda shumë vendeve dhe midis vendeve të botës. Pabarazia mund të çojë edhe në kriza ekonomike, paralajmëron FMN-ja.
Pabarazia mund të çojë edhe në kriza ekonomike. Kjo konfirmohet nga një studim i Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilin e prezantoi shefja e FMN, Kristalina Georgieva.
Të ardhurat dhe pasuria janë të shpërndara në mënyrë shumë të pabarabartë – dhe hendeku po zgjerohet. Ky, thotë Kristalina Georgieva, është “një sinjal i rrezikshëm”. Ky zhvillim mund të ketë pasoja fatale. “Kur pabarazia rritet, zakonisht është një parashikim i besueshëm i një krize financiare”, tha shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, shkruan DW.
Ky është rezultat i një studimi të gjerë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, FMN, të cilit i referohet Georgieva. Ajo sheh në horizont një krizë financiare dhe ekonomike – dhe gjithashtu shikon, se hendeku mes të varfërve dhe të pasurve po zgjerohet në të gjithë botën. Detyra e madhe e shoqërisë është krijimi i një sistemi financiar që përfshin shumë më tepër njerëz, që i nxjerr ata nga varfëria dhe i lejon të marrin pjesë në mirëqenie.
Rreziku i trazirave publike
Georgieva kujtoi se “pabarazia e tepërt parandalon rritjen, ajo minon themelet e një vendi”. Dhe kjo rrezikon të shkatërrojë konsensusin shoqëror.
“Kjo shkatërron besimin në institucionet. Dhe mund të ushqejë rrymat populiste dhe të çojë në trazira publike”, tha shefja e FMN. Si rezultat, shumë qeveri kërkojnë zgjidhje të shpejta dhe shpërndajnë dhurata për qytetarët – por kjo shumicën e herëve keqëson problemin.
Kristalina Georgieva ka reputacionin që është energjike dhe këmbëngulëse për çështje që i ka për zemër. Bullgarja e drejton Fondin Monetar Ndërkombëtar që nga 1 tetori. Para kësaj, ajo ishte numri dy i Bankës Botërore si Kryetare e Kryesisë, dhe gjithashtu ka punuar për shumë vite në Komisionin Evropian.
Studimi i FMN-së i paraqitur tani merr nën lupë lidhjen midis krizave ekonomike dhe pabarazisë gjatë 150 viteve të kaluara. Rezultati është i qartë: pa përjashtim, hendeku mes të ardhurave dhe pasurisë është thelluar, para ardhjes së kolapseve ekonomike. Kështu ka ndodhur para recesionit të bursës në vitin 1929, si dhe para krizës financiare më 2007.
Dhe vitet “e zhurmshme njëzet”, vitet 1920, janë sipas studimit shembulli më i mirë i zhvillimit të gabuar social dhe ekonomik. Progresi teknologjik çoi fillimisht gjoja në një “epokë të artë” dhe më pas në katastrofë. Prandaj detyrën e saj në këtë dekadë Kristalina Georgieva e ka të qartë: “Ne duhet të parandalojmë që vitet 2020 të bëhen një përsëritje e viteve 1920”.
Paga pa kufi në sektorin financiar
Atëherë çfarë duhet bërë? Pabarazia midis vendeve është bërë më e vogël, gjë që ka çuar në zhvillim dhe mirëqënie më të madhe. Por problemi e rreziku qendron tek pabarazia brenda vendeve. Dhe njëri nga shkaqet është industria e financave. “Pagat pa kufi në sektorin financiar mund të çojnë në një sistem që i shërben vetes më shumë sesa shoqërisë”.
Studimi i FMN e kishte treguar qartë këtë: sa më thellë të shtrihet sektori financiar, sa më e madhe të jetë pjesa e tij në ekonomi, aq më i madh është ndikimi i tij në vendimet politike, aq më shpejt rritet pabarazia. Detyra është të rishkruhen rregullat dhe t’u jepet qasje më shumë njerëzve në sistemin e financimit.
Kjo përfshin lehtësimin e huave për ndërmarrjet e vogla, sepse huatë për ndërmarrjet e mëdha rritin pabarazinë. Dhe për Georgievën një gjë është veçanërisht e rëndësishme: “Mënyra më e mirë për të zvogëluar pabarazinë e të ardhurave është t’u jepet grave qasje më e mirë në mjetet financiare.” Georgieva njoftoi se FMN do të mbajë parasysh përfundimet e studimit, kur të mbështesë projektet financiare në të gjithë botën, përcjell Albinfo.ch.
E-Diaspora
-
Berlin
Java e Kulturës së Kosovës në Berlin vijon me një film që sjell plagët e luftës Berlini mirëpret filmin e Dea Gjinovcit në kuadër të Javës së Kulturës së Kosovës... -
Refuzimi i “Nismës së Kaosit” dëshmoi se qytetarët zgjodhën faktet mbi politikën e frikës -
Salzburg
Shkoi për pushime në Kosovë pa miratim, mërgimtari humb vendin e punës në Austri -
Në Bernë mbahet mbrëmje letrare kushtuar 95-vjetorit të lindjes së Dritëro Agollit -
Profesoresha nga Kosova ligjëron në Universitetin e Regensburgut në Gjermani
Jeta në Zvicër
-
Ankesë ligjore pas dështimit të iniciativës zvicerane për sigurinë ushqimore Iniciativa popullore federale “Për ushqim pa OMGJ” nuk ka arritur pragun e 100,000 nënshkrimeve të vlefshme.... -
Rihapen më herët se sa ishte planifikuar pikat kufitare mes Gjenevës dhe Francës -
Vapa ekstreme mund të zgjasë deri në fund të qershorit në Zvicër -
Qindra kompani në Cyrih paguajnë punëtorët nën standardet ligjore -
Cyrih/Vjenë
Trenat e rinj të natës lidhin Cyrihun me Vjenën














