Lajme
Shein vazhdon të shesë rroba që përmbajnë kimikate të rrezikshme
Veshjet e shitura online nga Shein vazhdojnë të përmbajnë kimikate të rrezikshme, paralajmëron një raport i Greenpeace Gjermani. Tetëmbëdhjetë nga 56 artikujt e analizuar – rreth 32% – nga marka kineze rezultuan të ndotur. Edhe Zvicra nuk përjashtohet nga ky problem.
Mes mostrave të testuara, çizmet e shiut për gra të dërguara në Zvicër kishin një nivel ftalatësh 71 herë më të lartë se kufiri i lejuar, sipas raportit të publikuar të enjten nga Greenpeace Zvicër.
Përveç ftalatëve, që janë zbutës plastikë, në artikujt e testuar u gjetën edhe PFAS, ndotës të qëndrueshëm të përdorur për efektet e tyre kundër ujit dhe njollave.
Sëmundje të rënda të lidhura me kimikatet
Këto substanca janë lidhur me sëmundje të ndryshme, përfshirë forma të caktuara të kancerit, çrregullime të zhvillimit te fëmijët, si edhe dobësim të sistemit imunitar.
Punëtorët dhe mjedisi në vendet prodhuese preken veçanërisht rëndë. Konsumatorët ekspozohen përmes kontaktit me lëkurën, djersitjes ose thithjes së fibrave. Gjatë larjes ose hedhjes së rrobave, këto kimikate përfundojnë në lumenj, në tokë dhe në zinxhirin ushqimor.
“Rezultatet tona tregojnë qartë se vetërregullimi i Shein nuk vlen asgjë,” thotë Joëlle Hérin, eksperte e konsumit dhe ekonomisë qarkore në Greenpeace Zvicër.
Problemi përsëritet
Greenpeace Gjermani kishte zbuluar që në vitin 2022 kimikate të rrezikshme mbi kufijtë ligjorë të BE-së në produkte të Shein. Kompania i tërhoqi artikujt dhe premtoi përmirësime të rëndësishme në menaxhimin kimik.
Megjithatë, hetimi i ri i titulluar “Shame on You, Shein” tregon se këto premtime nuk janë përmbushur.
“Shein duket se pranon dëmin ndaj njerëzve dhe mjedisit. Produkte të sinjalizuara më parë shfaqen sërish pothuajse identike, me të njëjtat substanca të rrezikshme,” shpjegon Hérin.
Kërkohet ligj i fortë kundër ‘fast fashion’
“Për të dhënë fund maleve të rrobave dhe për të mbajtur prodhuesit përgjegjës, na nevojitet legjislacion i fortë kundër ‘fast fashion’, i ngjashëm me shembullin francez,” thekson ekspertja, transmeton albinfo.ch.
Greenpeace kërkon që legjislacioni zviceran për kimikatet të zbatohet për të gjitha produktet që shiten në vend, përfshirë ato të tregtuara nga platformat e huaja online. Po ashtu, qeveria duhet të vendosë kërkesa për qëndrueshmëri, duke përfshirë riparueshmërinë dhe jetëgjatësinë e produkteve tekstile dhe këpucëve.
Për të ngadalësuar ciklin e dëmshëm të industrisë, Këshilli Federal duhet të krijojë edhe një ligj “anti-fast-fashion”, që përfshin një taksë paraprake mbi të gjitha produktet tekstile – me vlerë më të lartë për rrobat e prodhuara në ritme të shpejta.
Reagimi i Shein
E kontaktuar nga agjencia Keystone-ATS, Shein deklaroi se e merr “shumë seriozisht” sigurinë e produkteve të saj. Kompania shtoi se nuk ishte informuar paraprakisht për rezultatet e testimeve të Greenpeace, ndaj “nuk ka pasur ende mundësi t’i verifikojë ato”.
Shein tha se bashkëpunon me agjenci të njohura ndërkombëtare të testimit dhe sigurisë për të siguruar që produktet jo-konforme të mos shfaqen në platformë. “Kur identifikohen probleme, marrim masa të menjëhershme, duke përfshirë heqjen e produkteve ose ndalimin e shitësve,” shton kompania.
E-Diaspora
-
Francë
Ambasadat e Francës dhe Kosovës urojnë aktoren Luana Bajrami për suksesin në Oscar Filmi francez “Two People Exchanging Saliva” fiton çmimin për filmin më të mirë të shkurtër, ndërsa... -
Ylli shqiptar i CS2, Drin “Makazze” Shaqiri kampion i ESL Pro League -
Gjermani
Kompanitë e verës nga Kosova prezantohen në panairin ndërkombëtar “ProWein” në Gjermani -
Finlandë
Hana Orllati kalon fazën e dueleve në “The Voice of Finland” -
Vdekja tragjike e një 20-vjeçareje shqiptare në Itali, pas një rënieje nga ballkoni
Jeta në Zvicër
-
Jura regjistron ulje të aksidenteve dhe zero viktima në rrugë për vitin 2025 Kantoni i Jurës ka shënuar dy arritje historike në trafikun rrugor vitin e kaluar që nga... -
Kantoni Schaffhausen po shqyrton heqjen e mësimit të dy gjuhëve të huaja në shkollën fillore -
Çiftet në Zvicër mund të përdorin përsëri mbiemër të dyfishtë -
Zjarri në autobusin postar në Kerzers: Dalin detaje të reja nga hetimet -
Swiss Airlines ofron bonuse për largime vullnetare të stjuardesave dhe pilotëve













