Lajme

Shiu shkakton përmbytje në rajonin e Liqenit Thun

Përroi tani është kthyer në shtratin e tij, por rruga kantonale përgjatë liqenit është përplot me rrënoja dhe mbeturina të sjella nga uji

Reshjet e mëdha të shiut kanë shkaktuar përmbytje në rajonin e Liqenit Thun. Në Gunten (komunaSigriswil) një lumë ka shpërthyer brigjet e tij.

Rruga kantonale Thun – Interlaken, Seestrasse përmes lokalitetit Gunten, është e mbyllur deri në të paktën në orën 17 pasdite.

Për agjensinë e lajmeve Keystone-sda, shefi i zjarrfikësve lokalë Thomas Dreyer  ka thënë rreth mesditës se makinat e mbërthyera nga përmbytjet e rrugëve kanë arritur të largohen.

Megjithatë, disa vetura janë dëmtuan në parkingët nëntokësorë të makinave, në afërsi të përroit që kishte vërshuar, transmeton albinfo.ch. Përroi tani është kthyer përsëri në shtratin e tij, por rruga kantonale përgjatë liqenit është përplot me rrënoja dhe mbeturina të sjella nga uji. Aksioni i policisë dhe zjarrfikësve është duke vazhduar.

Sipas zëdhënëses policore Jolanda Egger, policia kantonale nuk ka njohuri për persona të lënduar, përcjell albinfo.ch. Policia e ujërave (e liqenit) është gjithashtu në detyrë dhe është duke shqyrtuar nëse duhet të vendoset një barrierë kundër mbeturinave drusore të ardhura nga përroi i fryrë.