Shkurt.ch

Shkrimtari kosovar merr titullin “Doktor Honoris Causa” në Zvicër

Shkrimtari nga Kosova, Fahredin Shehu, është nderuar me çmime në Zvicër, me ç’rast ka marrë edhe titullin Doktor Honoris Causa, përcjell albinfo.ch.

Lajmin për media e kanë bërë të ditur nga Fondacioni për Edukim, Kulturor dhe Trashëgimi.

“Senati i Akademisë UNIVERSUM, në Lugano të Zvicrës i dha plaketën e artë presidenciale dhe Diplomën e Doctor Honoris Causa si dhe Akademik honorabël pranë kësaj Akademie shkrimtarit Fahredin Shehu”, thuhet në njoftim.

Fahredin Shehu edhe më herët, për punën e tij kreative, është shpërblyer me çmime të rëndësishme, si: Medalje e artë nga Filipine për letërsinë si urë lidhëse mes kombeve, çmimi Veilero në Itali, çmimi Naaji Naaman në Liban etj. Shehu është autor i 18 librave të botuar, nëntë prej të cilëve në anglisht, italisht, serbisht, si dhe ka hartuar disa Antologji të poezisë bashkëkohore, përcjell albinfo.ch.

Shehu është i përkthyer në dhjetëra gjuhë botërore, si anglisht, frëngjisht, spanjisht, greqisht, hebraisht, persisht, kinezisht, japonisht, bahasa, malteze, frisiane, bullgarisht, rumanisht, serbisht, maqedonisht, gjuhë rome etj., dhe ka marrë pjesë në shumë festivale botërore, si në Maqedoni, Francë, Belgjikë, Itali, Malta, Izrael, Liban, Egjipt, Turqi etj, thuhet tutje në komunikatë.

Shehu është drejtor për kulturë të Inner Child Press International LTD. në New Jersey. Fahredin Shehu po ashtu është drejtor i festivalit ndërkombëtar të poezisë, i cili mbahet tash e pesë vjet, çdo shtator në Rahovec.