E-Diaspora

Shoqata bamirëse “Cre–Action” e Gjenevës ndihmon fëmijët e Kosovës

Shoqata “Cre-Action”e Gjenevës, e themeluar para tre muajsh gjatë këtij vikendi ka organizuar aksion bamirësie enkas për fëmijët me probleme materiale dhe shëndetësore të Kosovës

Krijimi i këtij asociacioni jofitimprurës ka qenë ide e të riut ferizajas Leonard Ferati, student i vitit të dytë niveli Master në “Haute ecole specialisee de Suisse occidentale” të Gjenevës. 

Ai me një grup moshatarësh kryesisht studentë të Fakulteteve të ndryshme të Universitetit të Gjenevës,ditë më parë kanë vizituar Kosovën dhe nga afër kanë parë gjendjen e rëndë të familjeve pa të ardhura dhe me të sëmurë. 

Të prekur me gjendjen e tyre me të kthyer në Gjenevë, kanë hulumtuar mënyrat dhe gjetjen e mundësive për t’i dalë në ndihmë kësaj kategorie, veçmas fëmijëve të goditur nga sëmundja e leukemisë. 

 

Ata në bashkëpunim me nënat dhe motrat tona të vyeshme kanë përgatitur llojshmëri ushqimesh nga kuzhina jonë tradicionale, gjithnjë në përsosje. 

Pastaj këto ushqime të freskëta dhe të paketuara me mjaft kujdes janë nxjerrë në shitje në ambientet e Coop-it, në komunën Onex të Gjenevës. 

Ekipi në përbërje Nerxhivane Sejdiu Ferati, Yllka Ismet Kurteshi, Besarta Skënder Zeneli, Fjolla Hajzeraj, Arjana Dervishaj, Flora Hasani, Myrvete Haliti, Shkëndije Doberjanca, Arbernita Veseli,etj, përveç që kanë bërë përgatitjen e ushqimeve ato me kujdesin më të madh kanë shërbyer të gjithë blerësit e specialiteteve tona. 

Patjetër duhet theksuar se aksionit i janë bashkëngjitur edhe shoqe e shokë të fëmijëve tanë, nga komunitete të ndryshme të botës, që prej vitesh jetojnë në Republikën dhe kantonin e Gjenevës. 

Gjenevasit të njohur si njerëz të qytetëruar dhe përherë të gatshëm për të ndihmuar, këtë aksion të rinjve tanë e kanë konsideruar si ide mjaft të qëlluar. 

Ata në të shumtën e rasteve kanë paguar shumëfishin e çmimit të caktuar, duke treguar respekt kundrejt këtij organizimi të mrekullueshëm. 

Solidarizimi i tyre me këtë aksionin ka mundësuar realizimin e gjithmbarshëm prej CHF-2017-franga e 10 centë (dymijë e shtatëmbëdhjetë franga e dhjetë centë).

Por, edhe cilësia e gatimeve dhe shërbimi kanë qenë në nivelin e dëshiruar. Madje, një grua zvicerane me fjalë të përzgjedhura ka përgëzuar gratë dhe vajzat tona, për punën e tyre të shkëlqyer. 

Ajo për një pjesë byreku të përgatitur me spinaq dhe djathë të thërrmuar ka dhënë CHF-100-(njëqind franga) 

Në fund i pyetur për rrjedhën e aksionit Lonard Ferati, kryetar i kësaj shoqate thotë: qofshin faqebardhë të gjitha ata që na përkrahën! 

Me realizimin e suksesshëm të këtij aktiviteti sikur morëm zemër edhe për veprime të tjera. 

Ditë më parë kemi përgatitur edhe një kontingjent me veshmbathje e gjësende të tjera, në mënyrë që sadopak t’u dalim në ndihmë familjeve me gjendje jo të mirë materiale. 

Në momentin e kryerjes së procedurave dhe gjetjes së transportit do t’i kontaktojmë shoqatat si motra në Kosovë “Nëna dhe fëmijë të lumtur” dhe “Cure children”. 

Pastaj në konsultim me ato do të bëhet shpërndarja e ndihmës në të holla dhe veshmbathje. 

Ai në fund shprehet optimist dhe i bindur në suksese të reja, ngase në gjirin e saj shoqata që ai drejton ka njerëz të gjitha profileve dhe çdoherë të gatshëm për të ndihmuar.