Lajme
Shpërndau udhëzime mbi prodhimin e eksplozivëve, arrestohet shqiptari në SHBA
Autoritetet amerikane njoftuan të premten arrestimin në Nju-Jork të shqiptaro-amerikanit E. Alimehmeti, bazuar në akuzën për përpjekje për të mbështetur organizatën terroriste Shteti Islamik.
E. Alimehmeti, 33 vjeç, u dërgua të premten para gjykatësit federal Stewart D. Aaron, i cili urdhëroi ndalimin e tij.
Zyrtari i FBI-së në Nju-Jork, James E. Dennehy, tha pas arrestimit se “E. Alimehmeti ka bërë përpjekje në internet për të rekrutuar dhe trajnuar individë, që ai besonte se kishin pikëpamje të ngjashme me të dhe vazhdimisht ka shpërndarë një numër udhëzimesh mbi prodhimin e eksplozivëve për përdorim në sulme terroriste”.
Në një deklaratë për shtypin, të lëshuar të premten nga Zyra e Prokurorit të Distriktit Jugor të Nju-Jorkut, Damian Williams, thuhet se E. Alimehmet, me shtetësi amerikane dhe shqiptare, ka banuar në Bronks dhe më 2014 ishte zhvendosur në Shqipëri. Ai është arrestuar dhe burgosur dy herë nga autoritetet shqiptare, duke vuajtur dënime me burg në vitet 2015-2019 dhe 2020-2022 për armëmbajtje dhe sulm fizik ndaj personave të tjerë.
Sipas akuzës, në vitet 2019 dhe 2020 ai postonte në mënyrë të rregullt në mediat sociale mesazhe dhe video në mbështetje të Shtetit Islamik, duke përfshirë mesazhe lavdëruese për disa figura udhëheqëse të këtij grupi. Në dokumentet e dorëzuara në gjykatë gjithashtu përmendet positmi i një video në mediat sociale, ku ai thotë: “Shteti Islamik në Afrikë po vret kryqtarët, forcat speciale franceze dhe ato amerikane”.
Ndaj 33-vjeçarit nga Tirana janë ngritur dy akuza, njëra për tentativë për të ofruar mbështetje materiale për Shtetin Islamik, për të cilën dënimi maksimal është 20 vjet burgim dhe tjetra për shpërndarje informacioni në lidhje me eksplozivët, mjetet shkatërruese dhe armët e shkatërrimit në masë, për të cilën dënimi maksimal është 20 vjet burgim.
Prokurori federal, Damian Williams, falënderoi autoritetet në Shqipëri dhe ato në Australi për ndihmën e tyre të vlefshme në hetimin e këtij rasti. / VOA
E-Diaspora
-
Video
Kurti mban tubim në Cyrih Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti është duke mbajtur tubim në Cyrih të Zvicrës... -
Në Berlin mbahet eventi “Albanian Startups Diaspora Roadshow” -
Amerikë
Studenti shqiptar diplomohet në Akademinë prestigjioze të Detarisë së SHBA-së -
Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku nesër takim me mërgatën shqiptare në Zvicër -
Zvicër
Ambasada e Kosovës në Bernë me njoftim të rëndësishëm për votimin me postë në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Baume-Schneider, kritike për pagat e larta të sigurimeve shëndetësore Ajo i përgjigjet një raporti se pagat më të larta në kompanitë e mëdha të sigurimeve... -
Zvicra, e dhjeta në mesin e vendeve më të lumtura në botë -
Zvicra synon kthime më të shpejta azilkërkuesve të refuzuar -
Fshati Blatten, një vit pas rrëshqitjes së dheut u rihap pjesërisht -
Ku saktësisht mund të bësh blerje në Zvicër të dielën?













