Shqiperia

Shqipëri: 1.1 milionë vizitorë të huaj në shtator

Shqipëria në 9 muaj të këtij viti ka shënuar një numër rekord vizitorësh të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale shifrat e vizitorëve të huaj nga 2013 deri në periudhën janar-shtator të këtij viti.

“Të dhënat e flukseve turistike në muajin shtator, ku mirëpritëm 1,1 milionë vizitorë të huaj. 8,3 milionë kanë qenë vizitorët nga janari deri në shtator, duke tejkaluar shifrat e gjithë vitit 2022 për t’u konfirmuar si viti më i mirë i turizmit”, tha Rama.

“Në vitin 2013 Shqipëria u vizitua nga 3.4 milionë, në 2014 nga 3.6 milionë, në 2015 nga 4.1 milionë, në 2016 u vizitua nga 4.7 milionë, në 2017 nga 5.1 milionë, në 2018 nga 5.9 milionë, në 2019 nga 6.4 milionë, në 2020 nga 2.6 milionë, në 2021 nga 5.6 milionë, në 2022 nga 7.5 milionë dhe në janar-shtator 2023 nga 8.3 milionë vizitorë”, thuhet në shifrat e paraqitura nga Kryeministri.

Gjatë vitit 2023, përveç shifrave të larta, Shqipëria ka përjetuar edhe një “bum” të promovimit mediatik botëror të potencialeve të saj turistike, deri tani shumë pak të zbuluara për botën.

Përveç vizitorëve nga Kosova, që mbajnë vendin e parë në të njëjtat shifra si vitin e kaluar, gjatë këtyre muajve tregje interesante paraqiten Spanja, Italia, Turqia, Mali i Zi, Franca, etj.

Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë, Sarandë, etj., plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve, edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës. Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj., janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor.

Po ashtu, vendi ka kushte për turizëm gjithëvjetor, për shkak të relievit, që ofron mundësi për turizëm nga jugu, në veri. Fshatrat turistikë të veriut të vendit njohin së fundmi numër të lartë turistësh, ndërsa po zhvillohet edhe infrastruktura për turizmin e aventurës/atsh