Shqipëria

Shqipëri: Kritika për rritjen e pagës minimale

Me qëllim për të rritur konkurrencën dhe ndalur largimin e fuqisë punëtore, Qeveria e Shqipërisë ka rritur pagën minimale për 18 për qind, duke filluar nga 1 prilli. Edhe pse e mbështesin politikën për rritjen e pagave, ekspertët kanë ngritur shqetësime se ndryshimet e shpeshta të pagës minimale, 6 herë në një dekadë, dy herë vetëm vitin e kaluar, e vënë biznesin në pozita të vështira, në një kohë krize kur inflacioni është mbi 7%, shkruan Zëri i Amerikës. Ata thonë se kjo nisëm nuk është konsultuar me biznesin, Këshillin Kombëtar të Punës, dhe është e pastudiuar, përcjell albinfo.ch.

“Kjo më bën të mendoj që institucionet nuk funksionojnë, që Këshilli Kombëtar i Punës është vetëm në letër, dhe nuk bën as detyrën themelore që ka për të negociuar sidomos pagën minimale, dhe pjesa tjetër është që nuk gjen asnjë studim, asnjë material dhe indicie, për të parë se çfarë ka ndodhur dhe cila është arsyeja që është rritur paga minimale”, tha Bardhi Sejdarasi, gazetar në fushën e ekonomisë, për Zërin e Amerikës, përcjell albinfo.ch.

Në Shqipëri paga minimale ka ndryshuar 6 herë në 10 vjet, 2 herë vetëm vitin e kaluar dhe sipas ekspertëve, ndryshimet e shpeshta bien ndesh me normat e vendosura në vendet e BE-së. Rritje e pagës minimale shihet si barrë e re financiare ndaj biznesit. “Duhet të kuptojmë që biznesi punëson më mijëra njerëz dhe duhet të jemi të kujdesshëm. Biznesi nuk duhet parë si ajo lopa që është për t’u mjelë, sa herë kemi nevojë për të mbushur hapësirat e buxhetit të shtetit, apo për të mbushur hapësirat e tjera të skemave të ndryshme, siç janë skemat e pensioneve, por duhet parë si partner afatgjatë”, u shpreh për Zërin e Amerikës Artan Gjergji, ekspert i ekonomisë, përcjell albinfo.ch.

Madje, sipas njohësve të fushës, kjo rritje erdhi mbi baza politike e jo ekonomike, e pritet që kosotoja të përcillet tek konsumatori. “Informaliteti nxit korrupsionin, abuzimin dhe spekulimin. Të gjitha këto fenomene qeveria nuk i ka luftuar, pra nuk ka luftuar informalitetin, paranë informale që tashmë ka ndikuar dhe në kursin e këmbimit dhe kjo është diçka që duhet përmendur. Kjo para po ndikon në eksporte dhe remitanca. Kjo është ajo pjesa pastudiuar. Mbi të gjitha, ka një mungesë sinqeriteti për të kuptuar se cilat janë problemet reale”, tha për Zërin e Amerikës Eduart Gjokutaj, analist i Qendrës ekonomike dhe fiskale shqiptare, ALTAX, përcjell albinfo.ch.

Për më tepër, ekspertët mendojnë se rritja e pagës minimale me 18 % shkon në të kundërt me politikën shtrënguese monetare të Bankës Qendrore. “Po shohim thjesht një diskurs publik, politik në lidhje me nevojën imediate për rritjen e pagave që të mos na largohen njerëzit. Balancat e emigracionit, hyrjet, daljet, flukset e migracionit kanë problematika të tjera, kanë faktorë të tjerë prej të cilave ndikohen dhe nuk ndikohen nga një rritje kaq minimaliste, siç është kjo e pagës minimale”, thotë Artan Gjergji, ekspert i ekonomisë, për Zërin e Amerikës, përcjell albinfo.ch.

Qeveria e Shqipërisë ka hedhur poshtë qëndrimet se rritja e pagës minimale dhe premtimi për rritjen e pagës mesatare në 900 euro, po bëhen me qëllim për të ndikuar tek votuesit në zgjedhjet vendore të 14 majit.