Shqipëria

Shqipëri: Popullsia po plaket shpejt, rritet mosha mesatare

Popullsia po plaket me ritme të shpejta në Shqipëri. Numri i fëmijëve që lindin ka rënë dhe mosha mesatare e popullsisë ka arritur 38 vjeç, nga 27 që ishte në vitin 1990.

Me këto ritme, gjenerata e të moshuarve do të sundojë me numra, duke vënë në vështirësi edhe skemën e pensioneve.

Në vitin 1970, për 10 pensionistë punonin 74 vetë. 50 vjet më vonë, për 10 pensionistë paguajnë kontribute 12 veta. Me këto ritme, varësia kontribuues/përfitues do të përmbyset shpejt, çka do të sjellë falimentimin e skemës. Alarmi është dhënë, por tanimë mbetet zgjidhja.

Rritja e nivelit të sigurimeve shëndetësore sugjerohet nga Banka e Shqipërisë, por për këtë vit qeveria nuk e merr në konsideratë. Kjo e fundit, është në fazë analize dhe për momentin ka vend për ndërhyrje të pjesshme, raporton Euronews, përcjell Albinfo.ch.

“Do të shohim mundësitë e reformimit të skemës për kategori të caktuara”, ka thënë ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj.

Çdo vit, ekonomia shqiptare humbet thuajse 2% të PBB-së, për të mbuluar deficitin e skemës së pensioneve. Në 2020-n, pjesa që u mbulua nga shteti kulmoi me 238 milionë euro.

Për të balancuar humbjet, qeveria vendosi më 2015 të rritë gradualisht moshën e daljes në pension. Edhe rritja e pagës minimale apo rregullimi i rrogave të padeklaruara janë faktorë ndihmës.

Sistemi publik i sigurimeve shoqërore do të vazhdojë të mbështesë me të ardhura 744 deri në 792 mijë persona, dhe deri në 2025-n, do të duhen së paku 100 milionë euro shtesë për të 48 mijë vetë që do t’i shtohen brezit të tretë.

Sikur të mos mjaftonte raporti i ulët i të punësuarve me numrin e pensionistëve, në arkën e shtetit mungojnë 122 milionë euro kontribute të papaguara. Skema e pensioneve konsiderohet nga ekspertët si një nga rreziqet e mëdha të ekonomive botërore sot.