Turizëm

Shtohet numri i turistëve kosovarë në Shqipëri

Turistët nga Kosova vazhdojnë të mbesin besnikë ndaj bregdetit shqiptar. Edhe këtë vit, kosovarët kryesisht kanë zgjedhur të pushojnë në Shqipëri.

Siç shkruan ATSH, duke iu referuar të dhënave nga INSTAT, fundjavat shënojnë edhe fluksin më të madh të qytetarëve nga Kosova, të cilët i drejtohen jo vetëm bregdetit shqiptar, por edhe destinacioneve të tjera turistike që Shqipëria ofron, përcjell albinfo.ch.

“Shifrat e publikuara sot nga INSTAT konfirmojnë faktin se taksa e Rrugës së Kombit nuk ka ndikuar në uljen e numrit të pushuesve nga Kosova, përkundrazi gjatë këtij muaji ato kanë shënuar rritje më të lartë krahasuar me një vit më parë. Numri i turistëve nga Kosova që zgjodhën këtë qershor për të kaluar pushimet në Shqipëri, sipas INSTAT ka një rritje me 55% në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë. Në total kanë hyrë mbi 213 mijë shtetas nga Kosova”, transmeton ATSH.

Sipas të dhënave, gjatë gjashtë mujorit të parë të vitit 2019, në Shqipëri kanë hyrë 608,649 shtetas nga Kosova. Kjo i bie një rritje me 6,4% më shumë shtetas nga Kosova krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018-ës.