Kriza në Ukrainë

Si do ta ndryshojë lufta e Ukrainës demografinë e Evropës?

Disa vende mund të përfitojnë nga një fluks imigrantësh, por rajoni ndoshta do të bëhet edhe më i thinjur.

Përpara se Vladimir Putin të pushtonte Ukrainën më 24 shkurt, shumë europianë ishin të shqetësuar se rajoni i tyre po plakej dhe se më shumë njerëz po vdisnin se sa po lindnin.
Mosha mesatare 43 vjeç e Europës është gati katër vjet më e vjetër se ajo e Amerikës së Veriut, rajoni tjetër më “i thinjur”.

Popullsia e Bashkimit Europian pritet të arrijë kulmin në vetëm 450 milionë brenda disa viteve të ardhshme dhe më pas të bjerë nën 424 milionë deri në vitin 2070. Perspektiva e uljes së shifrave frikëson shumë njerëz. Kjo ka qenë veçanërisht e frikshme për vendet ish-komuniste të Europës Lindore, ku emigracioni ka ndërlikuar efektet e niveleve të ulëta të lindjeve.

Andrej Plenkovic, kryeministri i Kroacisë, e quajti rënien e popullsisë “një problem pothuajse ekzistencial për disa kombe”. Ndryshimi demografik është “tranzicioni i tretë kyç i Europës”, së bashku me tranzicionin e gjelbër dhe atë dixhital, thotë Dubravka Suica, nënkryetare e Komisionit Europian për demografinë dhe demokracinë.

Lufta e Putinit ka dhënë një goditje të veçantë edhe në demografi, por kjo dukuri pritet të jetë e ngadaltë. Rreth 5.3 milionë njerëz – pjesa më e madhe e tyre gra dhe fëmijë – janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i luftës, dhe shumica dërrmuese janë vendosur në vendet që kufizojnë Ukrainën në Perëndim.

Polonia, e cila deri vonë eksportonte më shumë njerëz se sa merrte, ka marrë më shumë se gjysmën e refugjatëve. Popullsia e kryeqytetit të Varshavës u zgjerua me 17% në javë. Hungaria, popullsia e së cilës ishte zvogëluar nga 10.7 milionë në mesin e viteve 1980, në 9.8 milionë në vitin 2020, ka marrë më shumë se 500,000 ukrainas.

Shifra kaq të mëdha mund të ndryshojnë fatet demografike

Për vende si Polonia, Republika Çeke, Sllovakia, Hungaria dhe ndoshta shtetet baltike “kjo krizë është një moment vendimtar, duke i zhvendosur ato shpejt nga vende emigrimi, në vende imigrimi”, thotë Tomas Sobotka nga Qendra Wittgenstein për Demografinë.

Hungaria, popullsia e së cilës ishte zvogëluar nga 10.7 milionë në mesin e viteve 1980, në 9.8 milionë në 2020, ka marrë më shumë se 500,000 ukrainas. BE-ja u ka bërë ukrainasve një ofertë bujare unike, duke u dhënë atyre të drejtën për të jetuar, për të punuar dhe për të studiuar në një vend pritës për tre vjet, privilegje që refugjatët mezi i marrin.

Kjo tregon se ukrainasit do të kenë mundësinë të rrënjosen shpejt në komunitetet e reja. Nëse refugjatët zgjedhin të qëndrojnë, ata do të ulin moshën mesatare të vendeve të tyre pritëse, do të ofrojnë një furnizim të nevojshëm të fuqisë punëtore dhe do të anojnë raportin gjinor drejt grave.

Kjo mund të duket si diçka pozitive për një tragjedi të tmerrshme, por e ardhmja e kësaj përçarjeje demografike është e paparashikueshme. Nëse lufta është e shkurtër, gratë dhe fëmijët me siguri do të kthehen shpejt në Ukrainë për t’u ribashkuar me bashkëshortët dhe baballarët, të cilët, si të gjithë burrat ukrainas, janë të detyruar nga qeveria të qëndrojnë në vend nëse janë midis moshës 18 dhe 60 vjeç.

Çdo divident demografik, do të shpërndahet në mënyrë të pabarabartë midis vendeve europiane. Dhe ndoshta do të zvogëlohet nga rënia e lindjes së foshnjave si rezultat i pasigurisë ekonomike të shkaktuar nga lufta. Me mesatarisht vetëm 1.6 foshnja për grua, edhe para fillimit të luftës, europianët ishin tashmë ndër personat që ngurronin më tepër në botë për t’u bërë prindër.

Për Ukrainën, lufta është një fatkeqësi demografike. Popullsia e saj ishte zvogëluar ndjeshëm për shkak të emigrimit dhe lindjeve të pakta, megjithëse para pushtimit njerëzit kishin filluar të riktheheshin sepse ekonomia ishte përmirësuar. Që nga shkurti, më shumë se një e katërta e popullsisë është detyruar të zhvendoset, duke përfshirë 7.7 milionë njerëz të zhvendosur brenda vendit.

Shkalla e lindjeve pritet të ulet edhe më tej. Jetëgjatësia ndoshta do të bjerë “në mënyrë masive”, thotë zoti Sobotka. Ai thekson se lufta e shkurtër midis Azerbajxhanit dhe Armenisë në vitin 2020, ishte përgjegjëse për një rënie të jetëgjatësisë së meshkujve tre deri në katër vjet.
Rusia gjithashtu do të vuajë. Me mijëra rusë të arsimuar janë larguar nga një vend që tani besojnë se nuk u ofron atyre asnjë të ardhme.

/The Economist