Integrimi

Debat “fer” në mes socialdemokratëve dhe liberalëve shqiptarë të Zvicrës

Kanë marrë pjesë dy kandidatë për zgjedhjet nacionale nga SP/PS (Etrit Hasler dhe Arbër Bullakaj) dhe dy nga FDP/PLR (Nazmije Ismaili dhe Egzon Zhuta)

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

Në tryezën e organizuar nag albinfo.ch të dielën në St. Gallen, katër kandidatë me rrënjë shqiptare për zgjedhjet nacionale të 18 tetorit kanë debatuar mes vete dhe me publikun lidhur me zgjedhjet që janë në prag dhe tema të tjera.  Katër kandidatët nga regjioni ishuîn dy nga Partia Socialdemokrate (Etrit Hasler  dhe Arbër Bullakaj) dhe dy nga ajo Liberale, FDP (Nazmije Ismaili dhe Egzon Zhuta). Përveç Nazmije Ismailit që vjen nga Kantoni Thurgau, tre të tjerët janë nga kantoni i St. Gallenit.

Tryezën e kanë drejtuar Ajtene Xhemajli-Asani dhe Bekim Dalipi. Ata kanë dhënë disa informacione për sfondin e zgjedhjeve në regjionin nga i cili vijnë kandidatët. Kantoni i St. Gallenit jep 12 deputetë në Parlamentin Nacional ndërsa ai i Thurgaut, 6 sish. Në këto rrethana nevojitet një fushatë e fuqishme dhe mbështetje e madhe që kandidatët me rrënjë shqiptare të arrijnë sukses në zgjedhjet nacionale.

Pas prezantimit të programeve të partive të tyre dhe të profileve personale politike, në debatin që pasoi, katër kandidatët treguan nivel të kënaqshëm të ballafaqimit të argumenteve para publikut.

Integrimi i të huajve dhe me këtë edhe i komunitetit shqiptar, si në çdo organizim të ngjashëm, ishte në qendër edhe të këtij debati. Kandidatët e SP-së sigurisht kishin atu më të forta në këtë drejtim pasi që siç dihet, një pjesë e madhe e angazhimit politik të partisë së tyre e zë pikërisht integrimi i të huajve në Zvicër. Mbi këtë bazë partia në fjalë ka filluar e para edhe rekrutimin e kandidatëve të saj për parlament  nga komunitetet e huaja në Zvicër

Ndërsa dy kandidatët e FDP-së, duke  transmetuar  frymën e partisë së tyre që proklamon lirinë e individit dhe ndërhyrjen sa më të pakët të shtetit në përditshmëri, e konsiderojnë integrimin si një çështje që nuk i takon shtetit. Në këtë kuptim as partia e tyre nuk ka angazhime të veçanta që do t`u dedikoheshin vetëm migrantëve.

A duhet pritur gjithçka apo asgjë nga shteti ?

Egzon Zhuta për shembull e shpjegon kështu lidhjen e tij me FDP-në. “Deri në moshën 9 vjeçare kam jetuar në Strugë, Maqedoni. Si i tillë, jam rritur si pjesëtar i një pakice kombëtare që gjithmonë ka qenë e papërfillur nga shteti. Si shqiptarë në Maqedoni ne jemi detyruar të gjejmë vet zgjidhje, pa pritur nga shteti. Kjo mënyrë jete edhe pse nuk është gjithmonë pozitive, ka përcaktuar edhe qëndrimin tim për FDP-në, e cila të jep lirinë që t`i japësh jetës formë pa pritur që gjithçka të vijë nga shteti”. Sigurisht, ka plotësuar Zhuta, janë kufijtë ku ndërhyrja e shtetit është e domosdoshme por liria e individit është në rend të parë.

Ndërsa Nazmije Ismaili ka thënë se për politikë është interesuar që në fëmijëri  – “deshëm s`deshëm, politika merret me ne” – por aktivisht me të ka filluar të merret para pak viteve. Ajo është edhe nënkryetare e FDP-së në qytetin Romanshorn, punon si ekonomiste e diplomuar në Helvetia Versicherungen. “Jam pjesëtare e gjeneratës së tretë, gjyshi im ka ardhur para shumë vitesh në Zvicër dhe pastaj ka sjellë këtu edhe babanë im ndërsa unë jam e lindur këtu. Prandaj më pëlqen jeta në Zvicër, jam e mishëruar me kulturën e këtij vendi dhe jam përcaktuar të jap kontributin tim në politikë, përkatësisht  në FDP”, ka thënë ajo. E përballur me vërejtjen nga publiku se në partinë e saj ka edhe njerëz si Dick Marti, i cili në komunitetin shqiptar dhe në Kosovë nuk ka ndonjë reputacion të mirë, Ismaili është përgjigjur se partitë në strukturat e tyre nuk janë monolite. “Në secilën parti, qoftë kur ajo quhet “e djathtë” apo “e majtë”, ka politikanë me orientime që dallojnë. Kështu edhe në FDP, janë disa politikanë që anojnë nga e djathta, shumica janë rreth qendrës dhe ka edhe të tillë qëndrimet e të cilëve janë të përafërta me të majtën”, është përgjigjur kandidatja për Parlamentin Nacional nga FDP-ja.

Etriti i jep përkrahje Arbrit!

Etrit Hasler, i cili në shaka e identifikon veten si “halbaner” (gjysmëshqiptar), i njohur edhe si gazetar, poet dhe këshilltar komunal e kantonal, ka shkëlqyer me oratorinë e tij dhe shkathtësinë e paraqitjes së argumenteve në favor të kauzës që përfaqëson. Duke folur për përcaktimin e tij për SP-në, ai ka thënë se kjo gjë është e thjeshtë: “prej më se 20 vitesh kjo parti angazhohet për të huajt dhe në këtë kontekst edhe për shqiptarët”.

Etriti, i cili është djali i një shqiptari dhe një zviceraneje, ka pranuar se votat e shqiptarëve kanë qenë përcaktuese për zgjedhjen e tij në Parlamentin e qytetit dhe më vonë edhenë atë  të Kantonit të St. Gallenit dhe ka falënderuar për këtë komunitetin shqiptar të këtij kantoni. Ndërsa befasia që ai ka ndarë me të pranishmit ka qenë se ai në këto zgjedhje i jep përparësi mikut të tij, kandidatit tjetër nga partia e përbashkët, Abër Bullakajt.

Për Bullakajn, përcaktimi i tij për Partinë Socialdemokrate ka qenë një gjë e nënkuptueshme, pasi që siç është shprehur ai “falë përpjekjeve të kësaj partie është bërë e mundur në mënyrë indirekte edhe ardhja ime dhe e familjarëve tjerë në Zvicër për  t`iu bashkuar babait i cili punonte këtu prej vitesh. Arsyet tjera që më kanë shtyrë drejt kësaj partie kanë qenë fushatat që parti të tjera i bënin kundër të huajve, me ç`rast SP-ja i mbronte të huajt dhe punonte kundër diskriminimit të tyre”. Më tutje Bullakaj ka thënë se partia e tij është kundër parullës për më pak shtet që e përfaqëson FDP-ja. Ai e ka arsyetuar këtë me shumë veprime në favor të migrantëve, të cilat kanë qenë të mundura vetëm falë ndërhyrjes së shtetit .

Të zgjedhësh në mes të pagës së ulët dhe mbetjes papunë!

Në debat është folur edhe për pagat e ulëta, për dukurinë që afaristë zviceranë po i bartin kompanitë e tyre në vendet me fuqi punëtore më të lirë dhe për probleme tjera që e preokupojnë shoqërinë zvicerane. Edhe në lidhje me problemet e përmendura më lartë kishte ballafaqime mendimesh të kundërta në mes të përfaqësuesve të SP-së dhe FDP-së. Sipas të parëve, duhet siguruar pagat e dinjitetshme për të gjithë ndërsa sipas të dytëve kjo gjë është e dëshirueshme por në mes të ikjes së firmave jashtë e vendit e me këtë edhe mbetjes së punëtorëve të papunë dhe pagave pak më të ulëta por me vende pune që mbeten në Zvicër, ata do të zgjidhnin këtë të dytën.

Në këtë kontekst “shtizat u thyen” edhe sa i përket iniciativës “për paga të pakushtëzuara për të gjithë” e cila ditë më parë dështoi në parlament. Për Etrit Haslerin e SP-së humbja e thellë e kësaj iniciative shpjegohet me zgjedhjet që janë afër. “Pak kush nga deputetët do të rrezikonte rizgjedhjen duke u përcaktuar pro kësaj iniciative” ka thënë ai. Veç kësaj ajo do ta rrezikonte edhe sistemin ekzistues social të Zvicrës. Ndërsa për kandidatët e FDP-së kjo iniciativë, (e cila ka marrë vetëm 14 vota) është diçka që nuk ka bazë në realitetin jetësor të Zvicrës.

Publiku i pranishëm ka marrë pjesë aktive në debat, duke dëshmuar njohuri solide mbi sistemin politik të vendit dhe vetëdije për angazhimin shoqëror që kërkohet edhe nga komuniteti shqiptar.