Maqedonia

Sot fillon aplikimi i dozës së tretë në Maqedoninë Veriore

Zyrtarisht, në Maqedoni fillon sot vaksinimi me dozën e tretë kundër kovid-19. Sipas Komitetit kombëtar për imunizim, doza e tretë rekomandohet për të gjithë qytetarët mbi moshën 60 vjeç, punonjësit shëndetësorë dhe personat me imunitet të dobët, pa dallim moshe, përcjell albinfo.ch.

Doza e tretë do të jepet nga prodhuesi “Pfizer”, pavarësisht se me cilën vaksinë paraprakisht janë vaksinuar qytetarët. Rekomandimi vlen edhe për qytetarët që kanë kaluar kovid-19, janë vaksinuar dhe bëjnë pjesë në kategoritë e theksuara.

Doza e tretë duhet të merret të paktën 6 muaj pas dozës së dytë. Qytetarët do të marrin mesazh përmes “Termini im” se mund të paraqiten për vaksinë.

“Qytetarët mbi 60 vjeç sipas periudhës kohore pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës do të marrin mesazh për t’u vaksinuar. Ky mesazh do të jetë vetëm një përkujtim në kuptimin që nuk ka datë ose pikë të caktuar vaksinimi, mund të shkojnë kudo më afër vendit ku jetojnë. Edhe më tej do të funksionojë pika e vaksinimit në sallën “Boris Trajkovski”, në të gjitha poliklinikat e tjera këtu në Shkup dhe në të gjithë vendin. Punonjësit shëndetësorë do të vaksinohen në kuadër të organizatës shëndetësore, kurse personat me probleme të imunitetit, me vërtetim nga mjeku, mund të shkojnë në çdo pikë vaksinimi”, tha dje ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Ministri shtoi se po bëhen verifikime të tjera nëse dozën e tretë do të mund ta marrin edhe kategoritë e tjera të qytetarëve, siç janë ata që janë pjesë e infrastrukturës kritike dhe atje ku ekziston rrezik më i madh.

Për dy javë pritet të fillojë edhe skriningu në shkolla, që të zbulohen bartësit eventual asimptomatik të virusit.

Në pikat e vaksinimit në vend dhe në terren, përfshirë 24 shtatorin, janë vaksinuar gjithsej 781.623 qytetarë. Në vend, gjithsej janë aplikuar 1.495.762 doza të vaksinave, kurse janë rivaksinuar 714.135 qytetarë.

Sipas shifrave të fundit, 55% e popullsisë mbi 40 vjeç kanë marrë të paktën një dozë vaksine dhe 31% e popullsisë mbi 18-39 vjeç janë vaksinuar me të paktën një dozë vaksine.