Kosova

“Straycoco” – Një projekt zviceran që kujdeset për qentë në Kosovë

Themeluesja dhe presidentja e fondacionit "StrayCoCo", dr. phil. Helen Wormser së paku dy herë gjatë vitit viziton Kosovën, përkatësisht klinikat veterinare për të parë nga afër rritën e tyre

Javën e fundit të tetorit, udhëheqësja e fondacionit StrayCoCo nga Zvicra, zonja Helen Wormser qëndroi për një javë në Kosovë. Ajo bashkë me një grup donatorësh vizituan disa klinika veterinare dhe drejtuesit e tyre, si dhe bënë vizita turistike nëpër Kosovë, në udhëheqje të Xhevdet Kallabës, i cili që nga viti 2011 shoqëron turistë të huaj nëpër Kosovë.

Grupi prej pesë vetash vizituan klinikat veterinare në Gjakovë, Vushtrri dhe Mitrovicë, por që patën rastin të takojnë edhe veterinarët nga Prishtina e Drenasi.

Stafi i klinikës së Gjakovës së bashku me grupin e vizitorëve nga Zvicra

Veç kësaj ata vizituan edhe vende me monumente kulturore dhe bukuri natyrore siç janë: Ulpiana, manastiret: në Graçanicë, në Pejë e në Deçan, muzeun etnologjik “Emin Gjiku” në Prishtinë, memorialin “Adem Jashari” në Prekaz, xhaminë e Hadumit në Gjakovë, Kalanë e Prizrenit, pyllin e arinjve, kalanë e Artanës si dhe bukuritë natyrore të bjeshkëve të Rugovës dhe të Sharrit piktoresk.

Themeluesja dhe presidentja e fondacionit “StrayCoCo”, dr. phil. Helen Wormser së paku dy herë gjatë vitit viziton Kosovën, përkatësisht klinikat veterinare për të parë nga afër rritën e tyre.

Në një bisedë  që albinfo.ch ka zhvilluar me zonjën Wormser për angazhimin e saj në Kosovë, ajo thotë:“Rreth shtatë vjet më parë përmes një bashkëpunimi kam themeluar fondacionin “StrayCoCo”, pra kontrollin e qenve të rrugës, në Zvicër. Ne punojmë në Kosovë dhe Mal të Zi, ku kemi gjithsej pesë projekte, katër prej tyre janë në Kosovë.

Helen Wormser me kryetarin e Vushtrrisë, Xhafer Tahirin

Projekti në Gjakovë pra është njëri prej tyre. Kjo është klinika jonë kryesore me veterinerët më të kualifikuar, Blendi dhe Eriola Bejdonin. Tashmë kemi një kontratë për t’i marrë qentë endacakë të qytetit, të cilët pas tredhjes së tyre sërish i kthejmë në vendin ku i kemi gjetur. Ata gjejnë ushqim të mjaftueshëm në qytet dhe më pas mund të vazhdojnë të jetojnë atje. Ne shpesh i takojmë ata dhe shohim se jetojnë tash e pesë vjet në qytet. Qentë e tjerë që i kemi këtu dikur kanë qenë të sëmurë. Ata kanë lënguar nga zgjebja ose kanë pasur ndonjë këmbë të thyer apo parazitë në zemër, a diçka tjetër. Duam t’i mbajmë sepse ata nuk mund të mbijetojnë në rrugë, nga ana tjetër kemi edhe kushte më të mira jetësore. Qentë shumë të sëmurë tek ne i eutanizojmë. Secili prej këtyre qenve ka një kumbarë, që do të thotë se ata paguajnë 30 euro në muaj që, të paktën, të heqin shpenzimet e ushqimit. Këtu kemi gjithsej 35 qen që janë mysafirë të përhershëm”.

Më tej zonja Wormser thotë se “e njëjta gjë vlen edhe për Vushtrrinë ku kemi një bashkëpunim me Zenel Zhabarin. Ai po ashtu ka një projekt për qentë e rrugës që mbështetet nga kryetari i Komunës, z. Xhafer Tahiri. Edhe në Mitrovicë kemi mbështetjen e komunës; aty jemi me veterinerin Labinot Osmani në “Mitro-Vet”.

Aktualisht jemi duke ndërtuar një startup në Drenas, që do të thotë se kemi blerë një tokë së bashku me veterinerin Shaban Mehmeti, të financuar privatisht dhe jo nga fondacioni; nga fondacioni do të ndihmojmë rrethojën dhe një strehimore për qentë, të cilët nuk eutanizohen, por edhe që nuk janë mjaftueshëm të shëndetshëm dhe se duhet t’i trajtojmë e të mos i lëmë në rrugë.

Kur flasin për programin e kastrimit në rrugë, thjesht duhet të keni parasysh që kur hyn një qen brenda, ai duhet të kthehet në të njëjtin vend ku është gjetur, jo më vonë se 10 ditë, në të kundërtën vendin e zë një tjetër, çka, pastaj, vjen deri te lufta mes qenve, dhe ne një gjë të tillë nuk e duam.

Sigurisht që ne bashkëpunojmë edhe me “Fondacionin për të drejtat e kafshëve”, sepse duam të ndryshojmë diçka edhe politikisht si dhe ligjërisht, në mënyrë që i gjithë vendi të kujdeset më shumë për qentë dhe jo vetëm t’i flakë ata”.

Në strehimoren e qenve Mitrovet në Mitrovicë

 

Në pyetjen nëse ka mundësi për adoptimin e qenve, zonja Wormser pohon: “ po, edhe ne kemi mundësi adoptimi këtu në vend, sigurisht, por askush nuk e do një qen, përveç disa fermerëve ku kemi vendosur qen, sidomos qentë e livadheve që kemi, dhe nga ana tjetër ka gjithmonë njerëz nga BE-ja, të afërm të kosovarëve, që jetojnë jashtë shtetit dhe që, papritur, duan të bëjnë diçka të mirë dhe të marrin një qen nga Kosova me vete. Këta qen këtu janë të gjithë të përgatitur, e kanë testin e kafshëve; ka nevojë për një analizë të saktë të gjakut, ka nevojë për dokumente të BE-së, por ata qen mund të largohen nga vendi jo më herët se në një afat prej shtatë muajsh. Ndërkaq, ndalohet rreptësisht marrja e këlyshëve me vete, ata do të eutanizohen në EU.

Nga respekti dhe dashuria për qentë, Helen Wormser ka investuar në ndërtimin e dy shatërvanëve në qytetin e Gjakovës. Ky investim është i tëri privat, dhe jo nga fondacioni.

“Jo, kjo nuk ka të bëjë asgjë me fondacionin. Këto janë projekte të mia private. Kryebashkiaku Gjini ndërtoi një shtrat aq të lartë të lumit saqë uji tashmë nuk është i qasshëm, dhe pa ujë nuk ka jetë, që do të thotë se u detyruam të bënim një shatërvan në parkun e qytetit dhe një tjetër në çarshinë e vjetër.

Për domosdonë e investimit të këtij projekti në Kosovë, zonja Wormser tregon se si ajo këtu e ka një vëlla që dikur punonte në ambasadën e Zvicrës, kurse më vonë ka ndërtuar një hotel të vogël. Mysafirët e shumtë që janë kthyer nga vizita në Kosovë janë ankuar sesi në Kosovë mungon trajtimi i qenve, dhe se ka një mbingarkesë të tyre në rrugë. Pastaj ka munguar edhe ndihma veterinere për ata qen. Duke parë se edhe njohuritë për trajtimin e qenve dhe maceve kanë munguar, atëherë ka qenë një nevojë urgjente për promovimin e trajnimit të mëtejshëm në mjekësinë për kafshë të vogla.

Zonja Wormser tani është tejet e kënaqur me veterinerët vendorë, sidomos me partnerin e saj Blendi Bejdonin. “Sigurisht që jam e lumtur me partnerin tim. Ata janë më të mirët dhe po edukohen siç duhet. Fatkeqësisht, për shkak të pandemisë momentalisht ata ndjekin ligjërata vetëm online për dermatologji, për sëmundjet e lëkurës së qenit etj.”

Me projekte të këtilla fondacioni “StrayCoCO”  është i pranishëm edhe në Shkodër, Durrës, Fier e Nikshiq. “Shkodra është një projekt i parvjetshëm, më pas kemi pasur një projekt në Durrës dhe në Fier. Tash e kemi mbështetur pak privatisht, jo me fondacionin, sepse veterinerët nuk janë me përkushtim të plotë, por ndoshta kjo do të ndryshojë. Nga ana tjetër, në Mal të Zi kam një veterinere shumë të mirë, në Nikshiq që ka qenë edhe këtu për vizitë në kuadër të shkëmbimit me veterinerët kosovarë, kështu që atje po ndërtojmë një projekt të madh”, thotë zonja Wormser për albinfo.ch.

Mikpritje e përzemërt në Drelaj të Rugovës 

Në ditën e tretë të qëndrimit të mysafirëve nga Zvicra në Kosovë ata i kishte ftuar për një drekë tradicionale Nizafete Gashi e Besnik Lajçi nga Drelaj në Grykën e Rugovës.

Larushia e ngjyrave të arta të pyjeve të llojllojshme në Grykën e Rugovës mahniti mysafirët, për më tepër mikpritja e familjes Lajçi-Gashi, e cila kishte lënë jetën urbane në Danimarkë për të ndërtuar një jetë të re në Grykë të Rugovës.

Se Drelaj është ardhëmina e jetës në natyrë, në Kosovën shumë të pasur, sidomos në Rugovë, do të mësojmë nga vetë Besnik Lajçi. Ai me mburrje dhe nostalgji flet për vendlindjen e tij që për 35 vjet e kishte braktisur për t’iu kthyer tani me gjithë kapitalin e kursyer në Perëndim.

“Unë jetoj këtu qe dhjetë vjet. Kam jetuar jashtë 35 vjet dhe mendova që të vij në vendlindjen time. Jam shumë i gëzuar, sepse kam kontribuuar për këtë vend që të vij dhe ta gëzoj këtë liri që e kemi. Kështu që, vendosa të kthehem nga Danimarka në pronën time prej 32 hektarësh.

Të them të drejtën në Rugovë është pak vështirë të jetosh, por nuk është vështirë siç ka qenë në kohën e prindërve tanë, sepse sot askush këtu nuk vjen me kalë, por të gjithë i kemi makinat, e kemi rrymën etj. Mirëpo jemi mësuar me një jetë tjetër, prandaj kur vijmë këtu na duket paksa vështirë, por faktikisht nuk është ashtu siç mendojnë të tjerët.

Prandaj, këtu kam ndërtuar një amfiteatër që është tipik ilir – në formë të shqiponjës, kështu që mendova t’ia dhuroj këtij vendi, se arti e zbut egërsinë e njeriut, por edhe egërsinë e kafshëve. Pra, po mendoj ta hap një art-koloni për të gjithë njerëzit e botës, pa marrë parasysh çfarë nacionaliteti, çfarë feje, çfarë ngjyre, – të gjithë janë të mirëseardhur, sepse arti është i të gjithëve, jo vetëm yni.

Besniku, bashkë me Nizafeten kanë edhe një bujtinë ku gjatë vitit presin edhe shumë fëmijë nga shtete të jashtme, qëndrimi i të cilëve është njëjavor. Këta janë edhe specialistë të kuzhinës, sidomos Nizafetja që në kombinim edhe me ushqimet bio, ujin dhe ajrin e pastër e me bukuritë natyrore ia shtojnë vlerën vendit tonë.

Fondacioni për të drejtat e kafshëve 

Një krah i djathtë i zonjës Wormser tashmë është bërë edhe Elza Ramadani me organizatën e saj “Fondacioni për të drejtat e kafshëve”. Kjo organizatë është jofitimprurëse dhe operon në gjithë Kosovën. Ajo synon mbrojtjen e kafshëve në mënyrë ligjore, në Kosovë.

Elza Ramadani, udhëheqëse e Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve

“Pra, organizata jonë synon ngritjen e nivelit të mbrojtjes së kafshëve ku keqtrajtohen apo nuk gjejnë mirëqenie të mirëfilltë kafshët siç e meritojnë. Kështu, kontributi ynë si organizatë për mbrojtjen e kafshëve në mënyrë ligjore dhe të qëndrueshme, duke tentuar që ta shërojmë sëmundjen dhe jo vetëm t’i prekim simptomat e një problemi në përgjithësi, po tentojmë që ta ngremë nivelin e mbrojtjes të një kategorie shoqërore, pra në këtë rast qoftë qen ose kafshë të tjera në përgjithësi, në mënyrë që të zhvillohet një empati më e madhe shoqërore dhe institucionale, sidomos nga organet e drejtësisë në përgjithësi ndaj keqtrajtimit, por sidomos t’i trajtojmë rastet e keqtrajtimit ndaj kafshëve me shumë seriozitet dhe profesionalizëm ashtu siç edhe e meritojnë kafshët”, thotë drejtuesja e këtij fondacioni, zonja Elza Ramadani.

Zonja Ramadani, është mirënjohëse për mbështetjen e madhe që e ka prej partnerëve të jashtëm, organizatat partnere prej Zvicrës “StrayCoCo”, në Itali organizatat “LAV” dhe “ATB”, të cilat që nga paslufta e kanë ndihmuar rajonin e Pejës me projekte të ndryshme, por ka edhe partnerë nga Gjermania, siç është organizata botërore “PETA” që merret me trajtimin e kafshëve dhe mirëqenien e tyre. “Gjithsesi një partner shumë të rëndësishëm e kemi nga Lihtenshtajni. Kjo organizatë quhet “Vëllezërit e heshtur”, të cilët ndihmojnë organizatat si kjo jona, në rritjen dhe fuqizimin tonë, që në mënyrë institucionale dhe të qëndrueshme t’i zgjidhim problemet e kafshëve dhe qenve endacakë por edhe mirëqenien e kafshëve në përgjithësi në vend”, shprehet Elza Ramadani për albinfo.ch. Me këtë rast ajo falënderon edhe bashkëpunëtorin e saj Arif Aliun, si dhe të gjithë aktivistët vullnetarë të këtij fondacioni.

Blendi Bejdoni, udhëheqës i klinikës në Gjakovë

Siç u tha edhe më sipër një vend të rëndësishëm në shërbimin veterinar e ka klinika veterinare “Pro Vet” nga rajoni i Gjakovës me mjekët Blendi dhe Eriola Bejdoni. Bashkëpunimin me “StrayCoCo” e kanë që nga dhjetori i vitit 2014, pra ata janë nismëtarë për trajtimin e qenve endacakë bashkë me fondacionin “StrayCoCo”. “Fillimisht kemi nisur me masa urgjente në rajonin e Pejës ku ka qenë një katrahurë në strehimoren e atij qyteti. Pastaj kemi punuar në Deçan, Gjakovë, Prizren, Suharekë, Malishevë, Graçanicë, pra, pothuajse në krejt Kosovën. Së pari kemi punuar në fshatin Nagavc të Komunës së Rahovecit. Me kalimin e kohës kemi parë të arsyeshme se na duhet një klinikë që nuk ka për të qenë vetëm si klinikë veterinare, por ka për të qenë edhe si shtysë për stimulimin e veterinerëve të tjerë për të investuar në praktikat e tyre veterinare që qeni e macja të marrin një shërbim sa më të saktë, një diagnozë sa më reale dhe jo vetëm qentë endacakë, por edhe ata me përkrahje”, thotë për albinfo.ch mjeku veteriner z. Blendi Bejdoni. Përndryshe, klinika  e tyre është përuruar më 29 tetor 2018 (albino.ch ka raportuar) dhe është bërë një shtysë e fortë për Agjencinë e Ushqimit dhe të Veterinës për krijimin e një projekti nacional.

Falë angazhimit të kësaj klinike dhe përgjegjësve të saj në Gjakovë ka rënë dukshëm prania e qenve endacakë, sepse është ndërprerë riprodhimi i tyre. Si rezultat i krejt këtij angazhimi në klinikën “Pro Vet” aktualisht janë 35 qen, të cilët gjithë kohën e kalojnë në klinikë dhe secili qen ka një histori më vete. Në klinikë janë edhe katër qen që u mungon nga një këmbë, por që kanë shëndet të mirë dhe trajtohen dinjitetshëm në klinikë.

Brenda stafit të klinikës punojnë katër veterinerë dhe po aq punëtorë ndihmës, të cilët janë përherë të gatshëm t’i ndihmojnë qentë endacakë, dhe jo vetëm.

Mjeku i veterinës z. Shefki Ajdini nga Prishtina është falënderues për fillimin e bashkëpunimit me Fondacionin “StrayCoCo”, por edhe me kolegët tjerë nga klinikat simotra nëpër Kosovë. Në klinikën e Prishtinës me një hapësirë për njëqind qen z. Ajdini punon bashkë edhe me dy veterinerë ku kryejnë kastrimin dhe sterilizimin e qenve, ndërkaq pas trajtimit i dërgojnë në strehimoren prej dhjetë arësh me 25 boksa për vendosjen e qenve, në Bardhosh.

“Zakonisht qentë i mbajmë deri në pesë ditë dhe pastaj, pas trajtimit (kastrimit, sterilizimit dhe shërimit) i kthejmë në vendin ku janë marrë”, thotë z. Ajdini.

Njësoj veprojnë edhe veterinerët Labinot Osmani në Mitrovicë dhe Zenel Zhabari në Vushtrri. Z. Osmani e ka më të vështirë trajtimin e qenve, për shkak të ndarjes së Mitrovicës, përkundër kushteve të mira në klinikën e tyre, sepse rreth 80% e tri komunave veriore dëshirojnë që kafshët e tyre të trajtohen në klinikën “Mitro Vet” në Mitrovicën e Jugut.

“Po ashtu e kemi edhe komunitetin boshnjak dhe rom. Edhe ata i duan kafshët, por nuk kanë mundësi t’i mbajnë ashtu siç duhet. Ata vijnë herë pas here te ne për të marrë këshilla, pastaj edhe ne shkojmë në lagjen e tyre për t’i këshilluar si dhe për të bërë sterilizimin e qenve të atjeshëm, në mënyrë që të reduktohet numri i tyre. Kjo ka pasur efekt të duhur, ndryshe tani do të kishim një numër dy-trefish më të madh të qenve endacakë në lagjen e tyre, dhe jo vetëm,” thotë z. Osmani. Një bashkëpunim të mirëfilltë “Mitro Vet” e ka edhe me pjesëtarët e Kforit, të cilët hera-herës adoptojnë ndonjë qen dhe e dërgojnë në vendin e tyre të origjinës.

Nga ana tjetër, z. Zenel Zhabari, udhëheq me klinikën “Nord animal hospital” në Vushtrri. Një hapësirë e përshtatshme për trajtimin dhe shërimin e qenve endacakë si dhe përgatitjen e tyre për adoptim të mëtutjeshëm. “Tani kemi filluar edhe me pjesën private ku unë kam bërë edhe investime vetjake. Kemi analizator gjaku e aparat për rëntgen. Posedojmë 230 metra katrorë me shtatë dhoma hospitalizomi, pastaj  edhe boksat jashtë. Natyrisht për gjithë këtë sukses më duhet ta falënderoj shoqatën  “StrayCoCo” dhe zonjën Helen Wormser”, thotë z. Zhabari. Ai po ashtu është falënderues ndaj organeve të komunës së Vushtrrisë, përkatësisht z. Xhafer Tahiri, i cili në ditën kur vizituam këtë klinikë erdhi për ta përshëndetur punën e zonjës Wormser dhe të klinikës.

Një fillim i ri është puna e klinikës në Drenas me mjekun veteriner Shaban Mehmeti. Z. Mehmeti ka një bashkëpunim të vazhdueshëm me Blendi Bejdonin dhe Zenel Zhabarin dhe sidomos me fondacionin “StrayCoCo”. “Kështu, tashmë po bëhet një vit bashkëpunimi dhe jam shumë i kënaqur, sidomos me korrektësinë e tyre. Nga kjo mbështetje unë kam përfituar shumë, sepse me punën dhe të hyrat nga “Straycoco” klinika ime sot i ka mjetet elementare për analiza, për EKG, dhe sidomos kam përfituar nga bashkëpunimi profesional me Blendi Bejdonin.

Edhe pse momentalisht punon në një hapësirë të vogël prej rreth 60 metrash katrorë, por ka edhe një strehimore prej 100 metrash katrorë, ku zakonisht i vendos dhjetë qen në javë, dhe në muaj i trajton deri në 50 qen nga territori i Drenasit, z. Mehmeti ndjehet shumë krenar kur në qytet takon qen me vathë të “StrayCoCo-s”.

Në pyetjen se sa ai ka ndikuar për t’i nxitur qytetarët që t’i duan qentë, t’i ushqejnë ata e sidomos që t’u japin ujë, z. Shaban Mehmeti thotë: “Thënë realisht, unë nuk kam pasur njohuri të mjaftueshme se sa i duan njerëzit kafshët. Gjithsesi unë bëj postime të shumta në fejzbuk për sensibilizimin e popullatës për rolin e trajtimit të kafshëve në klinika veterinare. U shpjegoj se si ato po trajtohen nëpër klinika tamam sikur edhe njerëzit, pra, atyre u bëhen analiza, u bëhet rëntgeni, u vihen pllakat nëse kanë eshtra të dëmtuar etj. Madje kafshëve, sipas nevojës, u japim edhe infuzion. Natyrisht qytetarët habiten kur dëgjojnë informacione të këtilla, dhe kur pyesin: – a edhe qenve e maceve u jepni infuzion?, atëherë u shpjegoj se si ne ende jemi prapa botës së civilizuar, por përditë e më shumë po përparojmë. Ky sensibilizim ka ndikuar që shumë prindër të insistojnë që fëmijët e tyre të rriten më shumë me praninë e qenve, sesa me telefona në duar”, shprehet z. Mehmeti.

Tani u mbetet organeve shtetërore nëpër komunat e tyre që të organizojnë kampanja informuese për kujdesin më të shtuar ndaj qenve dhe kafshëve të tjera shoqëruese. Një rol të madh mund ta luajnë edhe drejtoritë e shkollave fillore e të mesme në sensibilizimin e nxënësve për kujdesin ndaj qenve endacakë.

Kush është “StrayCoCo” (Kontrolli i qenve endacakë përmes bashkëpunimit)

Fondacioni StrayCoCo është i përfshirë në vende me popullsi të madhe të qenve endacakë që trajtohen në një mënyrë të paimagjinueshme mizore. Aty ku asnjë organizatë e mirëqenies së kafshëve nuk është kujdesur deri më tani për kafshët, StrayCoCo shkon në terren, i kap qentë, i sterilizon/vaksinon dhe nëse është e nevojshme i trajton sëmundjet dhe lëndimet e tyre. StrayCoCo  punon së bashku me autoritete shtetërore dhe individë privatë të gatshëm për bashkëpunim. Qëllimi i këtij fondacioni është promovimi i projekteve të qëndrueshme me popullatën lokale, veterinerët, vullnetarët dhe aktivistët lokalë të mirëqenies së kafshëve. StrayCoCo tregon modele për këtë, por edhe është i vetëdijshëm se ka të bëjë me një rrugëtim të gjatë dhe të kushtueshëm.