Kosova

Studenti serb: Shqiptarët nuk janë armiqtë tanë

"Ka ardhur koha që Beogradi dhe Prishtina të merren vesh"

Një grup studentësh nga Serbia së fundmi ishin në Kosovë, të angazhuar në një projekt. Ata u ndanë shumë të befasuar në kuptimin pozitiv me shqiptarët, madje ata thonë se këto pritje të mira nuk i kishin menduar kurrë, transmeton albinfo.ch.

Aleksandar Bugarin, i cili është student i gazetarisë në Universitetin e Novi Sadit dhe pjesëmarrës i Projektit të DW Generation99, është shprehur se pritshmëritë e tij nuk kanë qenë të mëdha.

“Në Kosovë kam shkuar pa ndonjë shpresë apo pritje të madhe, por duke mohuar stereotipet që dëgjojmë për “Šiptari”, apo shqiptarët e Kosovës. Në jetë u besoj më së shumti vetëm syve të mi dhe kurrë nuk kam dashur të paragjykoj për ndonjjë popull të cilin nuk e njoh”, tha ai.

“Prishtina ishte për mua një befasi e këndshme. Kryeqyteti i Kosovës ka shpirtin e një qyteti evropian – kjo është defnitivisht e vërtetë. Ndërtimet moderne të kombinuara me ato që kanë mbetur nga koha e shtetit të përbashkët i japin qytetit një individualitet, një veçori do të thosha. Qyteti shkëlqen dhe tërësisht është i stolisur në frymën e festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Ndërsa në sheshin kryesor janë vendosur shtëpiza të vogla, ku tradicionalisht pihet verë e vluar dhe hahen salçiqe shtëpie”, është shprehur Bugarin për DW.

Më poshtë keni pështypjet e tij për Kosovën

Prishtina, qytet që nuk fle kurrë

Fakt është që ky qytet nuk fle kurrë, klubet mbledhin njerëz të rinj, ku pas disa pijeve harrohen problemet e përdishmërisë, harrohen urrejtja dhe lufta – njerëzit dëfrehen. Muzika popullore e Kosovës të zgjon të ashtuquajturën “sevdaja”. Këta tinguj ta kujtojnë muzikën popullore nga Sarajeva.

Në kuadër të qëndrimit në Kosovë vizitojmë edhe Mitrovicën e Veriut dhe të Jugut. Gjatë gjithë rrëfimit – me nënkryetarin e bashkisë së Mitrovicës së Jugut, shefin e policisë në veri e deri tek vizita në veri – lajmotivi kryesor ishte Ura mbi lumin Ibër, e cila paraqet ndërlidhjen e vetme mes dy popujve, të cilët edhe më tej kujtojnë të kaluarën e cila i kthen mbrapa. Kjo e kaluar vendosë veto në bashkëpunimin mes tyre.

Ura ndarëse

Një urë ndanë dy botë të ndryshme: Mitrovicën e Jugut, e cila i ngjan Prishtinës, një qyteti evropian në qendër të së cilës shihen edhe rrjetet e ushqimeve të shpejta amerikane, dyqane dhe gjëra të tjera. Si dhe Mitrovicën e Veriut, e cila ushqehet me kulturën e popullit serb dhe e cila më shumë të kujton Nishin, Beogradin apo Kragujevcin.

Që nga dita e parë kam dëgjuar të flitet për këtë urë. Kam dëgjuar rrëfime, se është shumë e tmerrshme kur shkelë këtë urë, rrëfime se kur e shkelë ate të ngrihet gjaku në damarë. Por unë nuk kam pasur këtë ndjenjë. Urën e kam kaluar pa asnjë pezmatim, pa frikë. Nuk dua të zmadhoj veten, por them se njerëzit e teprojnë me rrëfimet për këtë urë.

Shqiptarët nuk i kemi armiq

Shqiptarët nuk duhet të shihen si armiqtë tanë, por duhet të shihen si diçka që na lidhë me Evropën. Fakt është që shqiptarët janë ndër fqinjtë tanë të parë. Në vend të luftës verbale që bëjnë udhëheqësit tanë dhe të tyre, më mirë do të ishte të gjejnë ndonjë gjuhë të përbashkët, ndonjë kompromis, të gjejnë ndonjë zgjidhje ku asnjëra palë të mos jetë humbëse.

Kosovo DW-Projekt Generation 99 (DW/Bahri Cani)

Ka ardhur koha që Beogradi dhe Prishtina të merren vesh. Një pjesë e njerëzve më të moshuar, pjesa më konservatore e të dy popujve, ende jeton në frymën e të kaluarës dhe nuk mund të pajtohet me ate që ka ndodhur. Ata përpiqen që këtë ndjenjë ta kalojnë edhe tek të rinjtë. Por jo – ky nuk është problemi ynë. Ne një ditë duhet të mësojmë fëmijët tanë që të mos urrejnë, që të mos ndajnë njerëzit në serbë dhe shqiptarë, por në njerëz dhe jo njerëz.

Nuk është me rëndësi a je serb apo shqiptar, me rëndësi është të jesh njeri. Nëna tërë jetën më ka mësuar se nuk ekziston një popull i mirë apo popull i keq. Më thoshte se ekzistojnë vetëm njerëz të mirë dhe të keqinj. Pas kësaj vizite e kam kuptuar domethënien e kësaj fjalie, pëcjell albinfo.ch.